Edhe përdorimi i tij në këto rradhë nuk i përjshton situatat e një kthese të tillë, siç konceptohet dhe vlerësohet akordimi për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian i statusit zyrtar të Shtetit kandidat të tij. Çka do të thotë me fjalë të tjera, hyrja e vendit tonë në një fazë progresive për integrimin më të plotë në familjen e zhvilluar evropiane. Në këtë drejtim zbulohet gjithnjë e më shumë dhe më qartë një reliev i ri, i ndryshuar, që bën të domosdoshme përgatitjen e projekteve në një hartë të re. Të re brenda të gjitha atyre të perëndimit të këtij Kontinenti.
Megjithatë, këto lloj tranzicionesh mbartin sigurisht edhe nga ato që krahasohen me gulçet e vdekjes dhe ankthet e lindjes. Këto gulçe dhe ankthe, të dhimbshme, por edhe zhgënjyese, të ashpra, por edhe groteske, mëse një herë po ndjehen edhe në vendin tonë, veçanërisht gjatë një viti që kaluam dhe po kalojmë. Ankthe të lindjes për shumicën e popullit, që e ka dhënë verdiktin qysh më 23 qeshorin e shkuar. Pikërisht atëhere, kur nisën të gërnjasin herë me lotë dhe herë me zhurmë gulçet e vdekjes së ca qëllimeve të mbrapshta dhe të imponuara nga tradita e një grupi të mbyllur dhe tashmë të veçuar.
E atij grupi, që instiktivisht vazhdon të pranojë verdiktin e një individi, të cilin e gabon “aftësia” për të mos arsyetuar dhe për të sharë e shpifur, duke mospërfillur dëshirat dhe vizionet e një populli. E një popullit të tërë, që ka braktisur tashmë bindjet e papajtueshme me skemën logjike të fitores dhe mbajtjes së pushtetit, duke kërkuar dhe nisur të punojë për krijimin dhe racionalizimin e një besimi të ri. Kështu që, në klimën e këtij kontradiksioni të shoqëruar edhe me klithma, që të bëjnë edhe të qash edhe të qeshësh, pra të një kontradiksioni ndërmjet shumicës që ka vendosur të ecë përpra për zhvillim të shpejtë dhe të një pakice pothuajse të papërfillshmne që tenton ta frenojë këtë zhvillim, përsëri e përsëri zë vend shqiptimi i aforizmit të përmendur. Konkretisht.
Qysh kur filloi punimet Legjislatura e re në shtator të viti të kaluar, duke konstituuar mazhorancën e re parlamentare dhe Qeverinë e zgjedhur prej saj, ish qeverisja e vjetër e shndërruar tashmë në minorancë, nuk ndëjti pa mbledhur edhe ato pak fuqi që i kishin mbetur, ato pak fuqi për të shpresuar te kthimi i vet në pushtet, nëpërmjet shamatave dhe intrigave. E pamundur të nënshtrojë krahun e madh, që ka zënë vendin nga e majta në Parlament, me rregulla të mirëfillta të lojës demokratike, pra, e pamundur të kërkonte ndonjë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së porsakrijuar, zuri të bënte thirrje për protesta “madhështore” në sheshe dhe në rrugë.
Si pretekst i parë u gjet filmimi dhe transmetimi i disa sekuencave filmike nga Korça, me rastin e zgjedhjeve të pjesëshme të qeverisjes vendore atje. Dhe, sikur të mos mjaftonin rrugët dhe sheshet e këtij qyteti me traditën e pasur të urbanizimit, manifestimet duhej të zhvilloheshin në Kryeqytet. Çfarë ndodhi? U mbars mali dhe polli një mi!
Mirëpo, mali u mbars edhe afro tre muaj më pas, në janar të këtij viti, kur Qeveria po ndërmerrte masa efektive në zbatim të një ligji dhe të një akti nënligjor të qeverisjes së shkuar, për lëvizjen më të rregullt të mjeteve të transportit interurban. Kështu, meqë moti u tregua më i mëshirshëm, ndonëse stina e dimrit kishte nisur, opozita politike përsëri i bëri thirrje popullit për të vërshuar mu në qendër të Kryeqytetit në një demonstratë, e cila sipas parashikimeve të rekrutuesve të pjesëmarrësve do të mund të rrëzonte Qeverinë.
Për të trumbetuar një parashikim të tillë u shfrytëzuan edhe disa media, u bënë edhe takime rreth më rreth, u kërcënuan edhe deputetët e mazhorancës në sallën e Kuvendit për gjëmën që i priste. Çfarë ndodhi? U grumbulluan gjithsejt nja 5 mijë e 500 vetë dhe ndonëse nuk ishte nevoja të mbahej fjalimi me zë shumë të lartë, Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha iu hollua zëri. Si në protestën e parë, të asaj të tetorit. Pra, u mbars mali dhe prapë polli një mi!
Prej atëhere, nga liderët e opozitës u mendua se, që të kishin sukses në misionin e tyre, domethënë, protesta masive, madje madhështore, duhej gjetur apo shpikur një ide e re, një ide bombë, me shpërthimin e së cilës do të hidhej në erë Qeveria. Dhe kështu, kur Policia e Shtetit që po reformohej nga Qeveria ende lehonë po i bënte një luftë pa kompromis kriminalitetit në përgjithësi dhe narkotrafikut në veçanti, në Parlament u dashkej ngritur (mbase edhe çjerrë) zëri nga opozita, se me trafikantët na qenkej e lidhur ngushtë Qeveria dhe se kreu i saj ishte as më shumë dhe as më pak baroni i drogës.
Po çfarë ndodhi? Në një kohë kur Kryeministrin e kishin pritur dhe e prisnin në disa Shtete Anëtare të Bashkimit Europian, duke i kumtuar entusiazmin e kancelerive të tyre rreth përpjekjeve të Shqipërisë në sundimin e shtetit ligjor, një të enjte në Tiranë mblidhen në protestën tjetër të organizuar e paralajmëruar jo më shumë se sa 1600-1700 persona nga disa rrethe. Ata u mblodhën përpara Parlamentit për të bashkuar zërin me deputetët e zellshëm opozitarë brenda tij, duke mos lejuar zhvillimin e axhendës në seancë plenare. Për të protestuar kundër trafikut të drogës, në mes të ardhurave ranë në sy edhe kryetari i Komunës së Lazaratit dhe nja 50 bashkëfshatarë të tij me vetura luksoze. Kryetari i Partisë Demokratike e quajti këtë grumbullim të stisur, ashtu sikurse edhe skena e një avioni panoramik të rrëzuar në rërën e bregdetit të Divjakës, si rasti që shënonte fundin e kësaj Qeverie dhe humbjen morale të saj. Por ja që u mbars mali dhe prapë se prapë polli një mi!
Në mbyllje të kësaj serie kronikash të paralajmëruara me të njëjtin fund të trishtë, do të zinte vend edhe një protestë tjetër kundër trafikimit të drogave dhe baronit të tyre. Në të njëjtën ditë, kur kishte ardhur nga Brukseli Drejtori për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, i cili tërhoqi vëmendjen në një konferencë shtypi të përbashkët me Minisatrin e Brendshëm të Shqipërisë, se është pë pgjegjësi e të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë që të fokusohen te axhenda e Bashkimit Evropian dhe të punojnë në mënyrë konstruktive. Mirëpo, dje kishte një veçori.
Serisë së protestave iu shtua një risi: ngritja e katër çadrave me 15 grevistë, që ishin pushuar nga puna në administratën shtetërore. Me përjashtim të një mjekeje që u largua vetë nga çadra, kur u kujtua se ishte shkarkuar nga një institucion privat dhe jo publik, pothuajse të gjithë të tjerëve nuk u kishte lënë kohë opozita që t’u drejtoheshin gjykatave për të kërjuar të drejtën e tyre (sigurisht, nëse ekzistonte vërtet kjo e drejtë, për dëmshpërblim nga shteti dhe kthimi i tyre në detyrat e mëparshme).
Një sfond i denjë për protestën, apo jo? Për një protestë, që nuk ushtrohej nga më shumë se sa nga disa qindra militantë të verbër partiakë, rradhët e të cilëve sa më shumë kohë që kalon, aq më tepër rrallohen. Rrallohen, aq sa në adresë të opozitës të mos mungojë jo vetëm pas dështimeve, por edhe përpara tyre, si një refren tallës aforizmi shumë i përdorur në jetën e shqiptarëve: Mbarset mali dhe pjell miun!
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)