Ministria e Turizmit, nga rreth 2.000 aplikime për të pajisur me leje për të shitur shërbimin me çadra dhe shezlong nëpër plazhe, deri sot ka miratuar përfundimisht vetëm 150 ndërkohë që 1.000 të tjera janë pranuar vetëm paraprakisht. Kur sezoni veror ka filluar, me një situatë katrastrofike për operatorët për shkak tëCOVID, burokracia shtetërore shton pengesa të reja edhe përtej virusit.
Sot 90% e plazheve në Shqipëri që deri vitin e kaluar kanë ofruar shërbime me çadra dhe shezlong, do mbeten formalisht të jashtëligjshme deri në lëshimin e lejeve, por që institucionet i vonojnë. Shumica e operatorëve janë detyruar kështu të ofrojnë falas çadra që tashme janë montuar duke respektuar distancat dhe duke humbur edhe lekët nga ato pak turistë që kanë vendosur muajin qershor për pushimet e tyre.
Por ky nuk është absurditeti i vetëm që godet operatorët turistikë. IKMT ka marrë urdhër të prishë gjithë baret dhe restorantet në bregdet (që shpesh janë thjesht kafe plazhi) që deri vitin e kaluar ishin pajisur me leje shfrytëzimi të përkohshme, por që këtë vit akoma nuk e kanë marrë. Kështu në mënyrë krejt të papritur gjithë këto lokale, që kanë vuajtur deri më sot efektet e karantinës do prishen me fadroma sepse janë konsideruar pa leje. Dhe fadromat nuk presin as fundin e sezonit turistik. Ata kanë filluar operacionin shkatërrues prej disa javësh në gjithë zonat bregdetare. Kështu masakra ekonomike që ka filluar përpara tërmetit dhe pastaj COVID, plotësohet tani me fadromat e Shtetit.
Vendimet që nuk kane asnjë kuptim në një momet krize financiare kaq të thellë, kur Shteti me një dorë financon me rroga lufte njerëz të mbetur pa punë, dhe me dorën tjetër prish biznese turistike pikërisht në fillim të sezonit. Nëse kjo është vërtetë një luftë kundër një armiku të padukshëm, ateherë ky është edhe momenti i duhur për një moratorium në luftën ndaj informalitetit, të paktën deri në momentin kur kriza financiare do të jetë minimizuar dhe sezoni turistik të ketë mbaruar.