607 afganë akomodohen në Shqipëri, strehohen në Qytetin Studenti, Durrës dhe në Lezhë! Nisin 'plazhin' në Shëngjin! Sot mbërritën në Rinas 150 refugjatë

607 refugjatë afganë janë akomoduar deri tani në Shqipëri. Mëngjesin e sotëm kanë mbërritur edhe 150 refugjatë afganë në aeroportin e Rinasit. Ministria e Jashtme njoftoi se avioni i ardhur nga Abu-Dabi është ulur në pistë rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm. 103 prej tyre janë akomoduar në Qytetin Studenti dhe 47 të tjerë në struktura hoteliere në Durrës.

Ndërkohë shtetas afganë janë strehuar edhe në Shëngjin. Ata janë pjesë e kontigjentit të parë të afganëve që kanë mbërritur në vendin tonë. Fillimisht janë strehuar në Qytetin Studenti e mandej janë zhvendosur në strukturat akomoduese. Burime nga Ministria e Jashtme konfirmojnë për Report Tv se mëngjesin e sotëm 123 shtetas afganë janë akomoduar në një resort në zonën turistike të Shëngjinit në Lezhë.

Një ditë më parë në vend mbërritën edhe dy avionë të tjerë me 182 afganë në vendin tonë mes të cilëve edhe fëmijë. Avioni i parë nga Kabulli solli 121 afganë në Shqipëri më 26 gusht, ndërsa gjatë 2 fluturimeve të tjera një ditë më pas erdhën 154 persona të ndarë në 2 grupe.

Të gjithë afganët që kanë mbërritur fillimisht janë regjistruar në çadrat e ngritura në Rinas dhe më pas janë shoqëruar për t'u akomoduar një pjesë në konviktet e Qytet Studentit, ndërsa pjesa tjetër në hotele në Durrës. Pjesa më e madhe e tyre janë zëra të shoqërisë civile, aktivistë dhe studentë dhe gra që kishin ngritur zërin për të drejtat e tyre dhe u rrezikohej jeta nga telebanët. Kryeministri Rama deklaroi se një pjesë e afganëve të mbërritur, janë aktivistë pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohet jeta nga talebanët. Pritet që në Shqipëri të strehohen 4000 afganë të cilët do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:59
I biri i George Soros viziton afganët e strehuar në Durrës: Janë të sigurt në Shqipëri

Alexander Soros, i biri i George Soros dhe nënkryetar i Fondacioneve “Shoqëri e Hapur” ka vizituar një grup afganësh të cilët janë strehuar në Durrës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai.

“Gjatë fundjavës pata privilegjin të takojë kolegë nga Fondacioni Shoqëri e Hapur në Afghanistan. Ky grup përfshin gazetarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, nëpunës civilë, artistë dhe familjet e tyre të ngushta. Qëndrueshmëria e tyre përballë asaj që sapo kishin duruar ishte absolutisht frymëzuese. Disa fytyra janë të mbuluara për të mbrojtur identitetin e tyre.”, shkruan ai.

 

Ora 11:40
Pas mbërritjes në Shëngjin, afganët dalin të shijojnë plazhin

Pas akomodimit të 150 afganëve në një resort në Shëngjin, duket se disa prej tyre kanë dalë për të shijuar plazhin. Report Tv ka siguruar pamjet ku refugjatët afganë po shëtisin lirshëm buzë detit të Shëngjinit dhe po relaksohen.

Ora 10:48
Pas strehimit në Qytetin Studenti dhe në Durrës, 123 refugjatë afganë do të akomodohen edhe në një resort Shëngjin

Shtetas afganë janë parë teksa shëtisin në bregdetin e Shëngjinit mëngjesit këtë të hënë. Ata janë pjesë e kontigjentit të parë të afganëve që kanë mbërritur në vendin tonë. Fillimisht janë strehuar në Qytetin Studenti e mandej janë zhvendosur në strukturat akomoduese. Burime nga Ministria e Jashtme konfirmojnë për Report Tv se mëngjesin e sotëm 123 shtetas afganë janë akomoduar në një resort në zonën turistike të Shëngjinit në Lezhë.

Ora 10:16
Veliaj poston fotot e fëmijëve afganë nga Qyteti Studenti: Është më e lehtë të rrisësh fëmijë të fortë, sesa të korrigjosh burra të dobët

Me një thënie të Frederick Douglass, – “Është më e lehtë të rrisësh fëmijë të fortë, sesa të korrigjosh burra të dobët”, – kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi ekipin e Bashkisë së Tiranës për angazhimin me fëmijët afganë te Qyteti Studenti.

“Super angazhim i Anisa Ruseti dhe gjithe stafi social i Bashkisë Tiranë te Qyteti Studenti, sidomos me gratë dhe fëmijët që s’kanë asnjë faj për tmerret në Afghanistan”, shkruan Veliaj në Twitter teksa ka postuar edhe disa foto.

 

M.Q./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Më ofroi postin e nënkryetarit', Agron Shehaj i përgjigjet Arben Malajt

'Më ofroi postin e nënkryetarit', Agron Shehaj i përgjigjet Arben Malajt