TIRANË-154 afganë të tjerë gra, burra, të moshuar, gra e fëmijë kanë prekur tokën shqiptare në dy fluturime të ndara gjatë orëve të vona të natës së djeshme, ndërsa janë strehuar në Qytetin Studenti. Pjesa më e madhe e tyre janë gra dhe zëra të shoqërisë civile, aktivistë dhe studentë. Avioni i parë që mbërriti në orën 22:45 me 95 afganë në bord nga Kabuli, ku u pritën nga Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja Yuri Kim.

Ndërsa në fluturimin e dytë që mbërri në Rinas në orë 01:00 pas mesnate që ishte tranzit në Doha erdhën 59 afganë, ku përveç Xhaçës dhe Kim u pritën edhe nga kryeministri Rama. Fillimisht ata janë regjistruar në çadrat e ngritura në Rinas dhe më pas janë shoqëruar në konviktet në Qytetin Studenti ku do të strehohen përkohësisht. Në total së bashku me avionin e parë në Shqipëri po strehohen 275 afganë në Qytet Studenti në Tiranë dhe në dy hotele në Durrës.

Kryeministri Rama ishte vetë në Rinas së bashku me ministren e jashtme Xhaçka e ambasadoren Yuri Kim e cila i uroi mirëseardhjen emigrantëve afganë nga bordi i avionit.

Xhaçka tha se pjesa më e madhe e afganëve të ardhur janë gra që kishin ngritur zërin për të drejtat e tyre dhe u rrezikohej jeta nga telebanët. Kryeministri Edi Rama shtoi se afganët e mbërritur mbrëmë, janë aktivistë pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohet jeta nga talebanët. Pritet që në Shqipëri të strehohen 4000 afganë të cilët do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.

 

 

 

 

FOTO+VIDEO Mbërritja e refugjatëve afgan

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:39
Mbërritja e 154 afganëve Xhaçka: Një pjesë e madhe, gra aktiviste që i rrezikohej jeta nga talebanët

 

Veprimtarë të shoqërisë civile, gra që kanë kërkuar të drejtat e tyre, janë mes 154 afganëve që mbërritën mbrëmë në vendin tonë. Nga aeroporti i Rinasit, nga ku i uroi mirëseardhjen afganëve, Xhaçka tha se ata ishin një kategori shumë e rrezikuar nga talebanët dhe mbërritja e tyre në vendin tonë, për Xhaçkë, është lehtësim.

"Një pjesë e madhe veprimtarë të shoqërisë civile, gra që kanë qenë të zëshme për të drejtat egrave dhe një kategori që janë shumë të rrezikuar nga talebanët. Nuk ishte  lehtë t'i sillnim kanë kaluar ditë jashtëzakonisht të vështira. Një pjesë e madhe janë edhe studentë. Është lehtësim i madh që mundëm 'i sillnim", thotë Xhaçka.

Ora 07:25
Nga bordi i avionit, Yuri Kim i uron mirëseardhjen afganëve dhe i ndihmon të zbresin valixhet: Faleminderit që jeni këtu

 

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim i ka uruar mirëseardhjen nga bordi i avionit, grupit të afganëve që erdhën mbrëmë në vendin tonë, e shoqëruar edhe nga Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. 'Faleminderit që jeni këtu', i tha Yuri Kim afganëve, duke i garantuar mbështetjen. Ambsadorja nuk ka ngurruar t'i ndihmojë afganët, duke mbajtur edhe çantën e njërit prej tyre.

"Përshëndetje, unë jam Yuri Kim, ambasadorja e SHBA në Shqipëri. Jam këtu me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe duam t'ju urojmë mirëseardhjen. Kryeministri i vendit, Edi Rama është poshtë duke pritur t'ju urojë mirëseardhjen, faleminderit që jeni këtu", u shpreh Yuri Kim.

Ora 07:11
Mbërritja e grupit tjetër të afganëve, Rama: Mes tyre aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë e gazetarë

 

Nga Rinasi, ku i uroi mirëseardhjen grupit tjetër të afganëve që mbërritën në vendin tonë, kryeministri Edi Rama bën me dije se mes 154 afganëve që mbërritën mbrëmë, mes tyre ka aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre.

"Mirëmëngjes pa u gdhirë dhe nga Rinasi ku deri sot kanë mbërritur 275 të arratisur nga Afganistani fatkeq, ndër të cilët edhe gra aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre, ju uroj një fundjavë të qetë", shkruan Rama.

Ora 00:34
VIDEOLAJM/ 95 emigrantët afganë strehohen në Qytet Studenti

95 emigrantët afganë që mbërritën një orë më parë në Rinas tashmë po strehohen në Qytetin Studenti. Report Tv ka siguruar pamjet nga pritja e emigrantëve afganë për tu akomoduar brenda godinave, të cilat janë përcaktuar për qëndrimin e tyre. Pak më vonë pritet të mbërrijë në Rinas një avion me rreth 60 afganë, të cilët do strehohen po në Qytetin Studenti. Deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur 216 emigrantë afganë, të cilët janë strehuar në Durrës dhe Tiranë.

Ora 23:59
Gra me sy të vuajtur... fëmijë dhe të moshuar, pamje të 95 afganëve që mbërritën sot në Rinas! Priten nga Kim dhe Xhaçka

Këto janë pamje të 95 afganëve që kanë mbërritur mbrëmjen e sotme rreth orës 23:00 në Rinas. Fëmijë, gra me sy të vrarë, të moshuar e burra, shihen në këto pamje. Ky është grupi i dytë i afganëve i mbërritur në Shqipëri duke u shpëtuar nga duart talebanëve.