2 avionë të tjerë me 182 afganë mbërritën sot në Shqipëri! Shkon në 457 numri i të strehuarve në Tiranë e Durrës! Rama: Shpëtuan nga lufta! Mikpritja jonë flitet me admirim nga ndërkombëtarët

Në orët e para të mëngjesit mbërritën dy avionë të tjerë me 182 afganë në vendin tonë mes të cilëve edhe fëmijë. Në orën 3.50 mbërriti në aeroportin e Rinasit avioni me 154 pasagjerë, 108 prej të cilëve u vendosën në Qytet Studenti dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës.

Ata u pritën nga zv.ministrja e Jashtme, Megi Fino, vajza e ish deputetit të ndjerë të PS Bashkim Fino, e cila u shfaq në publik për herë të parë në Kongresin e Partisë Socialiste. Ndërsa pak më parë mbërriti avioni i pestë nga Afganistani brenda 72 orëve me 28 persona në bord, të cilët u vendosën në Tiranë. Lajmin e bën me dije ministria e Jashtme. 182 personat e mbërritur sot e çojnë në 457 numrin e qytetarëve afganë të ardhur në vendin tonë deri tani, të cilët janë strehuar në dy hotele në Durrës dhe në godinat 11 dhe 12 në Qytetin Studenti.

Pas mbërritjes së fluturimeve të fundit në një reagim kryeministri Edi Rama  shprehet se ata u shpërngulen nga lufta dhe u mikpriten në Shqipërinë e besës dhe respektit për kujtesën traditën dhe vetveten. Sipas Ramës mikpritja e Shqipërisë tani flitet me admirim nga opinioni ndërkombëtar.

Avioni i parë nga Kabulli solli 121 afganë në Shqipëri më 26 gusht, ndërsa gjatë 2 fluturimeve të tjera një ditë më pas erdhën 154 persona të ndarë në 2 grupe. Më 27 gusht avioni i parë që mbërriti në orën 22:45 me 95 afganë në bord nga Kabuli, ndërsa në fluturimin e dytë që mbërri në Rinas në orë 01:00 pas mesnate që ishte tranzit në Doha erdhën 59 afganë.

Të gjithë afganët që kanë mbërritur fillimisht janë regjistruar në çadrat e ngritura në Rinas dhe më pas janë shoqëruar për t'u akomoduar një pjesë në konviktet e Qytet Studentit, ndërsa pjesa tjetër në hotele në Durrës. Pjesa më e madhe e tyre janë zëra të shoqërisë civile, aktivistë dhe studentë dhe gra që kishin ngritur zërin për të drejtat e tyre dhe u rrezikohej jeta nga telebanët. Kryeministri Rama deklaroi se një pjesë e afganëve të mbërritur, janë aktivistë pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre. Grupet e para pasi janë akomoduar në ‘Qytet Studenti’, janë parë duke shëtitur, në zonën që për ta është shndërruar tashmë si një shtëpi e dytë, ndonëse jo për shumë kohë, pasi me të filluar viti i ri akademik, ato do të largohen për t’u strehuar në ambiente të tjera, me shumë gjasa hotele si grupet e tjera.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohet jeta nga talebanët. Pritet që në Shqipëri të strehohen 4000 afganë të cilët do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:52
Ardhja e 457 afganëve, Drejtoresha e Fondacionit Ndërkombëtar për Demokracinë: Shumë aktivistë s'janë më në rrezik! Krenar për strehën e sigurt të Shqipërisë

Pritja e 5 grupeve të afganëve me 457 persona, po flitet nga ndërkombëtarët. Drejtoresha e asociuar për Evropën në Fondacionin Ndërkombëtar për Demokracinë, Tanja Dramac, falënderon Shqipërinë për pritjen e shtetasve afganë, të cilëve iu rrezikohet jeta nga regjimi i talebanëve.

 “Më në fund e bëmë. Më shumë aktivistë e vartës afganë tani janë të sigurt dhe nuk janë më në rrezik. Krenar dhe mirënjohës që një vend si Shqipëria ka ofruar një strehë sigurt”, shroi ajo në një mesazh të postuar më herët, pas mbërritjes së dy avionëve në orët e vota të mbrëmjes së kaluar.

Në një tjetër mesazh në “Tëitter”, Dramac shpreh mirënjohje për ekipin që priti afganët në Aeroportin e Rinasit, si dhe Ambasadën e SHBA në Tiranë e kryeministrin Edi Rama.

“Jemi mirënjohës ndaj ekipit në terren, i cili vazhdoi të punojë gjatë gjithë mëngjesit, dhe veçanërisht ambasadës së SHBA në Shqipëri dhe kryeministrit Edi Rama, për pritjen e vëllezërve dhe motrave tona afgane”, shkruan zyrtarja në mesazh.

 

Ora 11:54
Rama: Arrin në 457 numri i afganëve që shpërngulen nga lufta dhe mikpriten në Shqipërinë e besës! Flitemi me admirim në opinionin ndërkombëtar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbërritjes së 2 avionëve të tjerë me 182 afganë në vend. Rama shkruan se ka arritur në 457 numri i afganëve që shpërngulen nga lufta dhe mikpriten në Shqipërinë e besës e të respektit për kujtesën, traditën, vetveten. Për vendin tonë Rama thotë se tani flitet me admirim në opinionin ndërkombëtar.

"Arrin në 457 numri i afganëve që shpërngulen nga lufta dhe mikpriten në Shqipërinë e besës e të respektit për kujtesën, traditën, vetveten, për të cilën sot flitet me admirim në gjithë opinionin ndërkombëtar", shkruan Rama.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë