Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi ka çelur ekspozitën “Gjon Mili: Retrospektivë”, duke sjellë për publikun shqiptar veprën e një prej figurave më të rëndësishme të fotografisë botërore, me origjinë shqiptare.
Ekspozita prezanton përmes fotografive dhe materialeve arkivore rrugëtimin artistik të Gjon Milit, i cili revolucionarizoi fotografinë moderne përmes eksperimenteve me dritën, kohën dhe lëvizjen. Gjatë karrierës së tij, Mili bashkëpunoi me emra të njohur të artit dhe kulturës botërore, mes tyre Pablo Picasso dhe revista prestigjioze LIFE.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi, Luçjan Bedeni, e cilësoi ekspozitën si një moment të rëndësishëm për kulturën shqiptare dhe për historinë e fotografisë.
“I gjithë ky koleksion prej 95 veprash ekspozohet për herë të parë kaq i plotë në dhe në muzeun Marubi. Nuk kishte për ne një moment më të rëndësishëm për të festuar 10-vjetorin e hapjes ë muzeut Marubi. Ne vazhdojmë të kontribuojmë për ruajtjen e trashëgimisë së fotografisë dhe shpresoj që ky koleksion do t’i mbesë muzeut Marubi”, tha Bedeni.
Ekspozita vjen në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 10-vjetorin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi, një institucion që prej një dekade ruan, promovon dhe pasuron trashëgiminë fotografike shqiptare.
Komente










