(Në foto: Arkivoli me trupin e pa jetë të Vaçe Zelës duke u transportuar në banesën e saj në Tiranë)
MBËRRIN NË AEROPORTIN E PRISHTINËS TRUPI I PAJETE I VACE ZELES
Trupi i Vaçe Zelës, ikonës së muzikës shqiptare, e cila u nda nga jeta mëngjesin e 6 shkurtit mbërriti sot rreth orës 14.00 në Aeroportin e Prishtinës. Trupi do të niset për në Tiranë, ku pritet të mbërrijë rreth orës 17.00. Nesër artistes së madhe do t'i bëhen homazhe dhe do të përcillet për në banesën e fundit. Ndërkohë që edhe në Lushnjë, qytetin e lindjes së Vaçes, zhvillohen homazhe.
HOMAZHET NE LUSHNJE
Homazhet po zhvillohen në qendrën kulturore që mban emrin e saj. Qindra qytetarë janë të pranishëm në homazhe për të nderuar artisten e popullit.
Ministria e Kulturës dhe Bashkia Lushnje do të ulin flamurët në gjysmështizë gjate homazheve në nderim të veprës së artistes.
TRUPI I VACE ZELES NE 14: 00 NE AEROPORTIN E PRISHTINES
Trupi i Vaçe Zelës mbërriti fillimisht në aeroportin e Prishtinës, sot në orën 14.00, ku u prit nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Më pas është menduar që trupi të niset për në Tiranë me makinë.
Këngëtarja Vaçe Zela ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare, rreth orës 2.00 të mëngjesit të djeshëm, në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës, ku ajo jetonte prej vitesh.
Trupi i artistes Vaçe Zela do të mbërrijë fillimisht në aeroportin e Prishtinës, sot në orën 14.00, ku do të pritet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.
Më pas është menduar që trupi të niset për në Tiranë me makinë. Ndërsa homazhet në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen nesër, ditën e Shtunë, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në orën 10.00- 12.00.
Në oraret e homazheve, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës, në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.
Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, në vëmendjen e Kryeministrit, z. Edi Rama.
Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore, do të bëhet menjëherë pas homazheve, nesër, në orën 13.00, duke u nisur nga TKOB për t'u prehur në varrezat e Sharrës.
Ministria e Kulturës u shpreh ngushëllime familjarëve, njerëzve të artit dhe kulturës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.
"Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. KËNGA e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare. Falemnderit për emocionet që na dhurove, faleminderit që na ngrohe zemrat nga Veriu në Jug, nga Kosova, Shkupi, Tetova, Struga e gjithë diaspora", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Këngëtarja Vaçe Zela ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare, rreth orës 2.00 të mëngjesit të djeshëm, në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës, ku ajo jetonte së bashku me vajzën e saj dhe bashkëshortin, Pjerinin.
Artistja, prej kohësh nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Pesë muajt e fundit ajo i pati kaluar në spital, prej ku kishte afërsisht dy javë që kishte dalë.
Një prej pengjeve më të mëdha të artistes, të cilin e shprehu dhe në të gjallë, ishte jeta e saj larg Shqipërisë vitet e fundit.
Edhe amaneti i saj ishte të prehej përfundimisht në tokën shqiptare.
Redaksia online
(b.g/ e.sh/shqiptarja.com)