Mbesa e Federico Fellini-t,
Farncesca, vjen në Tiranë

Mbesa e Federico Fellini-t,<br />Farncesca, vjen në Tiranë
TIRANE - Francesca Fabbri Fellini ka ardhur dje në Tiranë. Ajo është mbesa dhe trashëgimtarja e vetme e regjisorit të madh Federico Fellinit, fituesit të 5 çmimeve Oskar. Sot më 14 maj Francesca do të prezantojë, në orën 19.00, në Sallën “Nënë Tereza” të Pallatit të Kulturës librin e nënës së saj Magdalena Fellini, të titulluar “Në tavolinë me Federico Fellinin”.

Më pas do të vijojë prezantimi i filmit dokumentar “Duke Kujtuar Federico Fellinin”. Dokumentari, i realizuar nga vetë Francesca Fellini, do të prezantohet sot. Është një dokumentar konfidencial dhe jo formal, një lloj albumi familjar “ku miqtë dhe bashkëpunëtorët tregojnë Fellini-n e tyre” thotë ajo. Homazhet kushtuar Federico Fellini-t bëhen edhe me rastin e përurimi të selisë së re të Institutit të Kulturës.

Dje në katin e dytë të Pallatit të Kulturës me këtë rast është përuruar në prani të Ambasadorit të Italisë, ekspozita “Ushqimi në vizatimet e Fellini-t”, kushtuar regjisorit të madh me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta. “Përurimi ka nisur dje me një spektakël kërcimi mbi fasadën e Pallatit të Kulturës dhe sot do të vijojë me homazhet kushtuar Federico Fellini-t”, tha dje drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneciani, për të cilën Francesca Fellini thotë se është “kuratorja më e mirë e prezantimit të kulturës italiane në botë”.

Instituti Italian i Kulturës i kushton Fellini-t disa aktivitete, ku përfshihet edhe ekspozita me 18 vizatime origjinale të mjeshtrit nën titullin “Ushqimet në vizatimet e Fellini-t”, pasi siç shpjegon edhe mbesa e tij në intervistën për “Shqiptaraja.com”, “gastronomia ishte mjaft e rëndësishme për babanë e filmit kult ‘La Dolce Vita”. Me profesion gazetare, Francesca Fellini, rrëfen edhe marrëdhëniet me dajën e saj, i cili u nda nga jeta në vitin 1993. Ajo tregon se raporti ka qenë gjithmonë mjaft familjar, por me një peng të mbetur, që nuk arriti t’i bënte një intervistë si gazetare...

Franecsca, besoj se është hera e parë që ju vini në Shqipëri. Si e keni pritur këtë ftesë?
-Me kënaqësi të madhe. Mbi të gjitha e prita me kënaqësi se kur vjen një ftesë për të krijuar Federico-n, besoj se duhet vrapuar menjëherë. Sepse jam e bindur që Federico është një pasuri e njerëzimit. Dikush mund të thotë që është daja yt, është pjesë e familjes, por është bukur megjithatë ta ndash me të gjithë. Si trashëgimtare e familjes së tij, unë jam e lumtur që kam mundësinë për të treguar, për ta bërë atë të njohur edhe tek ata që nuk e njohin.

Por edhe fakti që ftesa më erdhi nga Shqipëria, një vend që nuk e njoh, është një gjë shumë e bukur. Është hera e parë që unë vij në këtë vend dhe kam kënaqësi ta njoh, të njoh traditat, kulturën. Si mund të mos e prisja me kënaqësi ftesën kur ajo vjen mbi të gjitha nga një institut italian i kulturës jashtë vendit, që ka një drejtoreshë që kuron në detaj historinë e kulturës së vendit tonë, edhe në botë, edhe në Shqipëri.

Me çfarë do ta kujtoni ju dajën tuaj, Federico-n?
-Nesër do të jetë diçka unike. Unë kam bërë një dokumentar, 50 minuta, ku janë përfshirë intervistat me bashkëpunëtorët më të ngushtë të Federico-s. Për fat të keq, këta nuk janë më. Por janë skenografët e Federicos, aktorët, janë Tullio Pinelli, Tonino Guerra, miku i tij i madh dhe pastaj vijmë te drejtori i fotografisë Giuseppe Rotunno, që ka punuar një jetë së bashku me Federico-n. Është pastaj muzikanti i madh Nicola Piovani, fitues i çmimit Oskar me filmin “La vita e bella”.

Ah, isha duke harruar një mik të madh të familjes sime, Lugero Mastroianni-n, vëllai i Marcello Mastroianni-it. Përveç kësaj videoje për Federico Fellini-n paraqitet edhe libri për të. Ky është një libër me kujtime të familjes, ku shfaqet mjeshtri Fellini në tavolinë, jo vetëm në familje, por edhe me miqtë. Janë 20 faqe me prezantimin nga albumi i kujtimeve hap pas hapi. Mamaja ime, Magdalena Fellini, kujton se tavolina për Fellini-n ishte shumë thelbësore. Edhe në vizatimet e tij miqtë janë përfshirë në biseda dhe dreka në tavolina.

Çfarë mund të na tregoni rreth ekspozitës me ilustrimet nga jeta, të bëra nga dora e Fellini-it?
-Ekspozita është shumë interesante dhe intriguese, sipas meje, ku mund të shihet aspekti thelbësor ironik, sipas Federico Fellini-t në çdo gjë që bënte, dhe në çdo gjë që bënte ai përpiqej ta tregonte se ç’bëhej. Veprat e ekspozitës janë vizatime, ku shfaqen gratë Fellin-iane. Ka vizatime që kanë të bëjnë me kuzhinën, me majonezën, me recetat e pjatave të ndryshme, ndërsa në këto vizatime janë përfshirë çaste nga jeta dhe miq real të jetës së tij. Mendoj se është një ekspozitë me shije dhe e këndshme për ta parë. Kjo ekspozitë shërben edhe për të zbuluar hap pas hapi se çfarë dhuntie krijuese ka pasur Federico, që niste nga shkrimi, te filmi dhe pastaj tek vizatimet ilustruese, sepse ai ishte edhe një disenjator i madh.

Ju vetë çfarë kujtimesh mbani mend nga daja juaj?
-Kam kujtime shumë të ëmbla. Dhe mamaja ime Magdalena më ka treguar kujtimet e saj. Ajo më thoshte se takimi im i parë me të ka qenë në Bolonjë, sepse ai ka qenë kumbari im. Kur unë linda, në datën 24 maj 1965, ajo më tregon se ka qenë një takim i ëmbël dhe i këndshëm. Familjarët tregojnë sesi ai u përkul tek djepi im dhe këtë ma ka treguar edhe gjyshja ime, që është një memorie historike. Mbetet i këndshëm imazhi i asaj dite, sepse ai thoshte që unë kisha lindur e rrudhosur.

Ai tha se megjithatë unë isha e bukur, sepse kisha lindur e rrudhosur, por me flokë të kuq, kur të dy prindërit unë i kisha me flokë të zinj. Kjo shkaktonte humor dhe gjatë jetës unë kam kujtime shumë të ngrohta me të. Por më vjen keq që të gjitha kujtimet i pata vetëm si kujtime të dajës tim dhe nuk pata kujtime profesionale. Edhe pse kam punuar gazetare 23 vjet, mua më vjen keq që nuk i kam bërë një intervistë. Ky është pengu im, sepse ai vdiq vetëm tre vjet pasi kisha nisur punën si gazetare. Mbase një ditë do t’ia bëj këtë intervistë mbi një re...!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024