Mbesa e Konicës: 100-vjetori,
kryeministri priti mbesën e rreme

Mbesa e Konicës: 100-vjetori,<br />kryeministri priti mbesën e rreme
TIRANE - Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë në muajin nëntor erdhi në Tiranë një grua siriane që mbante emrin Ramanda Al Azem Konica dhe u prezantua si mbesë e Faik dhe Mehmet Konicës, duke pretenduar se e kishte gjysh Mehmetin. Ramanda (Randa, shkurt) u prit nga kryeministri Sali Berisha dhe u shfaq edhe me një intervistë në një gazetë ditore. Ajo ka lindur dhe është rritur në kryeqytetin e Sirisë, Damask, dhe ka pretenduar se ka një nënë shqiptare që quhet Lavdije, e cila sipas saj është bijë e Mehmetit, vëllait të Faik Konicës.

Randa vetë ka lindur nga një baba sirian dhe nënë shqiptare dhe ka pohuar se nga nëna “ishte kushërirë e Ahmet Zogut, e Toptanasve dhe e Sulejman Delvinës”. Zonja Alma Konica, vajza e djalit të Mehmet Konicës, që jeton në Shqipëri ndihet e revoltuar për pretendimet e Randës që thotë se është mbesë e diplomatit Mehmet Konica dhe në një intervistë për “Shiptarja.com” ajo shprehet se “Randa ka gënjyer”. Sipas Ana Konicës, duke qenë se gjyshja e Randës, Edibe Zavalani ishte martuar në të njëjtin fis nga vinte nëna e Mehmet Konicës “fëmijët ishin kushërinj dhe Edibeja, gjyshja e Randës, nuk kishte mundësi të martohej me Mehmet Konicën”.

Sipas Alma Konicës, Mehmet Konica kishte qenë i martuar me një grua irlandeze, që është gjyshja e Alma Konicës. Në këtë kohë gjyshja shqiptare e Randës kishte lindur Lavdijen nënën e saj dhe tezen e saj Merushen me Qemal Delvinën që i vdiq. Rrëfimet e të dyjave janë tepër kontradiktore, ndërsa Ana Konica dihet saktësisht që është vërtetë mbesa e Mehmet Konicës dhe thotë një të vërtetë të njohur që Mehmeti ka pasur 2 djem, gjë që pretenduesja si mbesë, Randa, e ardhur nga Siria, duket se nuk e di (...?!) dhe thotë shprehimisht se “Mehmeti nuk ka pasur trashëgimtarë në linjën mashkullore”. Duke pasur parasysh se Randa u prit për festën e 100-vjetorit të pavarësisë nga Kryeministri i Shqipërisë, z.Berisha, si mbesë e Konicës, dhe ajo vetë deklaroi se ishte e vetmja linjë trashëgimore, duket si paradoks që Ana Konica, e cila jeton në Shqipëri të ishte e ftuar për të mbajtur një kumtesë në prani të Kryeministrit, duke u nderuar si mbesë e Mehmet Konicës, në simpoziumin “Qeveria e parë në kryeqytet”, zhvilluar më 11 shkurt 2013.

Duket se mbetet ende një debat i hapur se kush është mbesa e vërtetë e Mehmet Konicës, diplomatit të njohur dhe vëllait të Faik Konicës. Janë të dyja apo vetëm njëra. Ana Konica në intervistën për “Shqiptarja.com” rrëfen se paraardhësit e Mehmetit e Faik Konicës që janë në Shqipëri janë persekutuar në regjimin komunist për këtë fakt. Për të hedhur më shumë dritë në këtë mister, ende të pazbardhur, Alma Konica rrëfen kronikën e trashëgimisë familjare dhe martesave që sollën në jetë brezninë më të fundit Konica.

Zonja Alma Konica, ju jeni mbesa e Mehmet dhe Faik Konicës. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë erdhi një kushërira juaj këtu, që quhej Ramanda Al Azem Konica dhe u prit në kryeministri si mbesa e tyre....
-Gënjeshtra! Gënjeshtra! Më vjen çudi kush u bë shtysë që ajo të vinte e shprehej në gazetë. Pu, pu, çfarë gënjeshtra. Gënjeshtra të papara dhe mua më duhet të bisedoja pak me zonjën Edith Harxhi se ajo e ka mundësuar takimin me Kryeministrin Berisha të Randës. Randa s’ka lidhje fare me familjen time. Nëna e saj quhej Lavdije, dhe kjo Lavdije ka pasur një nënë dhe një baba. Nëna e Lavdijes quhej Edibe Zavalani. Edibe Zavalani martohet me Qemal Delvinën. Kur u martua me Qemal Delvinën lindi dy vajza, Lavdijen dhe Merushen. I shoqi, Qemali i pëson një krizë nervore dhe bie në ashensor dhe vdes. Ndërkohë gruaja e Mehmetit, gjyshja ime, kishte vdekur dhe ajo. Gjyshit i kishte vdekur dhe vajza e madhe, që i bie të jetë halla ime e madhe dhe ngelën tre fëmijë, dy djem dhe halla tjetër. Ngrihet gjyshi Mehmeti dhe vjen nga Franca në Shqipëri.

U hapën ca fjalë, për të cilat shqetësohet dhe ngrihet xhaxhi i babit tim Faiku dhe vjen nga jashtë edhe ai në Shqipëri dhe i thonë gjyshit, se “kemi dëgjuar që Mehmeti do martohet me Edibenë”. “Ç’është ky llaf që dëgjuam, që ti do të martohesh me Edibe Delvinën”, i thotë gjyshi. “Në asnjë mënyrë”, -i thotë, Mehmeti, -Edibe Delvina më është afruar dhe më ka thënë “meqenëse ty të ka vdekur gruaja, mua më vdiq burri, tani martohemi bashkë dhe të ikim aty ku do të jesh ti”. Mehmeti, gjyshi im i thotë edhe Edibesë se “në asnjë mënyrë, nuk bëhet kjo, se unë vij nga një familje që nuk bëjmë të tilla gjëra. Por ajo iu qep kaq keq gjyshit tim dhe ai e mori me vete në Itali për ta ndihmuar. Në Itali kishte miqësi të ngushtë me presidentin e Sirisë, bisedon me të dhe i thotë “kjo është kushërira ime e largët me të dyja vajzat e saj dhe merre dhe rregulloje të jetojnë në Damask. Presidenti i Sirisë i premton Mehmet bej Konicës. Merr nën kujdesje Edibenë dhe të bijat Lavdijen me Merushen dhe ato stabilizohen në Damask.

Edibeja vdes dhe Lavdijen e  martojnë me një sheik shumë të pasur sirian. Mirëpo këto vajza nuk ishin mësuar të bënin një jetë sipas normave strikte në Siri, bënin një jetë të shthurur dhe iu futën pijeve alkoolike. Në Siri nuk lejoheshin pijet, dhe i shoqi sirian i thotë se duhet ta ndalonte pijen qoftë edhe në shtëpi. Nuk iu bind të shoqit dhe Lavdija ndahet nga burri. Ndahet, po merr me vete dhe vajzën që lindi me sheikun sirian Al Azem, e cila është Randa, që erdhi në nëntor në Tiranë. Vajza e ka emrin Randa dhe ka mbiemrin edhe të të atit sirian, Al Azemi. Se kuptoj se ç’lidhje ka që të mbajë edhe mbiemrin Konica. Tani kjo Randa thotë që unë e kam gjysh Mehmet Konicën.

Unë normalisht në shtëpi kam certifikatën e lindjes së Lavdije Delvinës dhe sipas Randës kjo duhej të ishte certifikatë e lindjes së Lavdije Konicës. Por certifikata thotë se Lavdija është vajza e Edibe Zavalanit dhe Qemal Delvinës dhe nga martesa e tyre kanë lindur pra dy vajza, Merushe Delvina dhe Lavdije Delvina. Në rast se mua do më jepet rasti, unë këtë gjë do ta bëjë publike edhe me anë të dokumenteve zonjës në fjalë, Randës, që është martuar me një tregtar nga Presheva, do t’i them “më trego dokumentet se ku ke lindur dhe kush është nëna dhe babai yt, vajzë e kujt është gjyshja jote, më trego certifikatën e lindjes, ashtu si unë po të tregoj tënden, tregoma dhe ti”.

Si shpjegoni ju pritjen zyrtare në një situatë ende të paqartë, ju po thoni se diplomati Mehmet Konica nuk është martuar kurrë me gjyshen e Randës?
-Çuditem si zonja Harxhi arriti të çojë këtë vajzë në emër të familjes sime në pritje te Kryeministri. Ajo nuk ka asnjë të drejtë. Për të tilla veprime duhet t’i thuash tjetrës, zonjë ke ndonjë dokument që tregon për lidhjen tënde me këtë njeri të madh.

Zonja Harxhi është edhe në Ministri të Jashtme. Mund të vijnë shumë persona që të shtiren si trashëgimtarët tanë. Njëherë erdhi dhe  një djalë dhe më ka takuar mua dhe më ka thënë se “jam nipi i Faik Konicës”. Por më qesharakja është se ka qenë edhe një grua e rrugëve, e cila lart e poshtë thoshte gjithmonë “unë jam mbesë e Faik Konicës”. Edhe Sherif Delvina e mohon që ajo nuk është mbesë e Mehmet Konicës.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit