Një situatë e rrallë dhe e pazakontë ka çuar në përjashtimin e një prej talenteve më premtuese të Tunizisë nga lista për Kupën e Botës 2026, duke sjellë habi edhe brenda stafit teknik. Trajneri i kombëtares, Sabri Lamouchi, ka vendosur të lërë jashtë sulmuesin e ri Louey Ben Farhat, pas një ndërhyrjeje të papritur nga familja e lojtarit.
Sipas raportimeve, babai i 19-vjeçarit ka kontaktuar drejtpërdrejt trajnerin për t’i komunikuar se djali i tij nuk ishte ende gati për një kompeticion të përmasave të Kupës së Botës, duke e konsideruar pjesëmarrjen “të parakohshme”.
Ky qëndrim ka habitur Lamouchin, i cili më pas tentoi të sqaronte situatën me vetë futbollistin. Megjithatë, mungesa e përgjigjes nga ana e Ben Farhat u interpretua si një refuzim përfundimtar.
"Mora një telefonatë nga babai i Louey Ben Farhat. Ai më tha se ishte shumë herët për ta zgjedhur dhe refuzoi. U shokova. E telefonova Loueyn, ai nuk u përgjigj. E telefonova përsëri babanë e tij, as ai nuk u përgjigj. Është mungesë respekti. Ky rast është mbyllur. Nëse nuk kemi respekt për këtë fanellë, për këtë flamur, nuk meritojmë të luajmë për Tunizinë", tha trajneri Sabri Lamouchi.
Si pasojë, tekniku tunizian vendosi ta përjashtojë sulmuesin nga lista përfundimtare, duke i dhënë fund çdo dileme rreth përfshirjes së tij në turne.
Louey Ben Farhat, i lindur në Gjermani, konsiderohet një nga talentet në ngritje, teksa aktivizohet me Karlsruher SC në Bundesliga 2. Pavarësisht se humbi pjesën e parë të sezonit për shkak dëmtimi, ai u rikthye në formë të mirë në gjysmën e dytë të kampionatit.
Ai gjithashtu bëri debutimin me përfaqësuesen e Tunizisë muajin e kaluar, në ndeshjet miqësore kundër Haitit dhe Kanadasë, duke lënë përshtypje pozitive.
Komente





