Mbetjet spitalore dhe farmaceutike gjenden në brigjet e lumenjve. Në një vëzhgim të bërë nga Report Tv përgjatë lumit të Tërkuzës, të Ishmit dhe Liqenit të Bovillës, vihet re prania e këtyre mbetjeve spitalore e farmaceutike.
  
Ilaçe, shiringa, serume janë disa prej mbetjeve që hidhen në vendshkarkimin e mbetjeve në Zall Herr e më pas përfundojnë në rrjedhën e lumit Tërkuzë, duke u përhapur në të gjithë zonën. Kjo ka sjellë ndotjen e ujit lumenjve dhe të tokave bujqësore rrotull që përdorin ujin e lumit për vaditje.

Artan Manushaqe, ekspert ligjor për mjedisin, shprehet se edhe pse ka kompani të licencuara për mbledhjen dhe asgjësimin e tyre, të përcaktuar në ligj, këto mbetje të rrezikshme vazhdojnë të mos menaxhohen siç duhet.
 
“Nuk po them landfille sepse Shqipëria nuk ka landfille klasike, por duhet të ketë vende të posaçme për depozitimin e këtyre mbetjeve. Duke filluar që nga transporti, që nga personi fizik ose juridik që duhet të jetë i licencuar nga subjektet përkatëse deri në procesin e asgjësimit te vendgrumbullimet në zona të caktuara “, tha Manushaqe.
   
Sipas ekspertit ligjor këto mbetje klasifikohen si të rrezikshme pasi niveli i ndotjes që vjen prej tyre është i lartë.

“A disponon farmacia një injeksion për diabetin, një injeksion për uljen e tensionit? Po. E kanë edhe në ligj që përcaktohet që nëse një person ka nevojë të marrë ndihmën e shpejtë mund ta marrë, pra që në momentin që ti ke një shiringë dhe shiringa është mbetje e rrezikshme, ta përcakton ligji atje, qëkur ti ke një shiringë ti quhesh prodhues dhe zotërues i mbetjeve të rrezikshme dhe ti automatikisht duhet të kesh të lidhur kontratën atje sepse je subjekt i ligjit”, thotë ai.
 
Po cilat janë pasojat që sjellin këto mbetje të hedhura?

“Për shkak të shpejtësisë së ndotjes nga këto mbetje kanë tendencën të kontaminojnë tokën, ajrin, ushqimin e ujin që del në çezma dhe në thelbin e vet në mënyrë të drejtpërdrejtë ka lidhje me problemet shëndetësore si sëmundjet në gjak”, deklaroi Manushaqe.
 
Në një raport të Qendrës EDEN në vitin 2016 rreth mbetjeve farmaceutike, 60% e farmacive të përfshira në studim nuk kishin në kontratë një subjekt trajtues.
Aktualisht në Tiranë ushtrojnë aktivitet 730 farmaci të licensuara të shpërndara në 11 njësi administrative.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com