Masa gjigande e sfungjerit dhe plastikës – kryesisht prej makinave të importuara për skrap që një prodhues çeliku i ka nxjerrë të papërdorshme – është peshqesh i një vendimi qeverie që të mos i quajë të tilla importe mbetje apo plehra.
Kodra e krijuar është të paktën 200 metra e gjerë dhe rreth 20 metra e lartë, dhe vë në dyshim betimet ekologjike të bëra nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Rama erdhi në pushtet duke premtuar fundin e importit të plehrave.
Por ai anashkaloi faktin se plehrat më problematike në vend s’vijnë nga sipërmarrës të vegjël shqiptarë që duan të sjellin mbetje nga Bashkimi Evropian, por nga Kurum Holding, kompania metalurgjike që duket të jetë përgjegjëse për këtë ngrehinë.
Të paktën 10,000 tonë nga skrapi që sjell apo përpunon Kurumi është i paprocesuesëm dhe duket të shtrihet përgjatë apo pranë bregut, duke kërcënuar mjedisin.
“Rrezik është problemi më i madh mjedisor i Shqipërisë,” i tha BIRN-it një zyrtar që kërkoi të mos identifikohej.
Importi i plehrave (apo mbetjeve) u shpall teorikisht i paligjshëm prej shtojcës së 2013-it të Ligjit shqiptar mbi Manaxhimin e Integruar të Mbetjeve.
Megjithatë, Kurumit iu lejua të importojë skrap që prej 2012-ës, pak pasi qeveria e atëhershme e deklasifikoi skrapin e hekurit prej listës së mbetjeve.
Zyra e kryeministrit Rama konfirmoi se importet e skrapit nga Kurumi ishin të ligjshme dhe sipas kritereve të BE-së.
Ajo shtoi se “mbetjet toksike” të mbledhura nga fabrika ishin nënprodukt i trajtimit të skrapit dhe ishin të planifikuara për eksport.
Por e pyetur nga BIRN-i, kompania turke tha se mbetjet do përdoreshin në një vend tjetër në Shqipëri, pranë bregdetit.
Një pjesë e madhe e importeve të skrapit nga Kurumi dalin të papërdorshme dhe grumbullohen prej të paktën tre vjetësh në një depozitë në terrenin e fabrikës.
Kjo kompani turke ka qenë aktive në Shqipëri prej vitit 1997 dhe është furnizues i rëndësishëm rajonal i shufrave të hekurit për ndërtim.
Vitet e fundit, ajo e ka zgjeruar aktivitetin në Shqipëri me biznese të administrimit portual dhe prodhimit të energjisë elektrike.
Me 700 punëtorë, ajo është punëdhënëse e rëndësishme në Elbasan, një qytet 120,000 banorësh papunësia dhe plagët sociale të të cilit shpërthyen me mbylljen e industrive të rënda shtetërore dy dekada më parë.
Masa e plehrave është në kombinatin metalurgjik që Shqipëria ndërtoi viteve shtatëdhjetë me ndihmën e Kinës, aleates kryesore të asaj kohe.
Por kolapsi ekonomik e ktheu këtë vend në skëterrë mega-eksperimentesh të falimentuara dhe katastrofash ekologjike.
Shqipëria importoi 240,000 tonë skrap të derivateve të hekurit që nga vendimi i qeverisë i fund-2011-ës, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara. Prej 2009-ës deri vjet, importet e skrapit në total arritën në 805,000 tonë.
Mbi gjysma e kësaj vinte nga Serbia, çereku nga Maqedonia ndërsa pjesa tjetër nga Bullgaria dhe Rusia. Pjesa dërrmuese është sjellë nga Kurumi.
Masa e plehrave dhe sfungjerërave në Bradashesh u dokumentua fillimisht nga ekologu shqiptar Fatbardh Sallaku dhe shkencëtari amerikan Ryan Perroy.
Ata nxorën një video të masës në YouTube në 2012, video që sipas tij tregonte kamionë të Kurumit që hidhnin plehra në të.
Në një email të janarit 2013, Perroy tregonte se ç’pati vënë re.
“Korrikun e kaluar, kur mblidhja mostra për testime përgjatë Shkumbinit, pranë kompleksit metalurgjik, tre shkarkesa me skorje u hodhën direkt në lumë brenda 20 minutave që isha aty,” pati shkruar ai. Ai e pati njoftuar qeverinë shqiptare për këtë problem që në atë verë.
“Ky aktivitet, them, mundet vetëm të rritet sa herë që të rrisnin prodhimin po nuk pati presion real nga shoqëria/qeveria/BE-ja? për ta ndaluar,” shtonte ai.
Kurumi përpiqet të mbajë larg veprimtarët dhe gazetarët nga ajo masë. Ahmet Mehmeti, një aktivist mjedisor nga Elbasani, tha se roje agresive të kodrës së mbetjeve s’e lanë t’i afrohej asaj mase pranverën që kaloi.
Foto satelitore nga Google Earth sugjerojnë se zona e mbuluar nga plehrat është rritur disa herë katër vitet e fundit.
Shqipëria ndalonte të gjitha importet e mbetjeve, por qeveria e qendrës së djathtë e Sali Berishës vendosi të lejonte importin e një pjese prej tyre në 2011-in dhe ta administronte si proces.
Në nëntor të atij viti, ajo aprovoi një ligj që lejonte importet e 55 materialeve të një liste mbetjesh “të gjelbërta.” Kjo mbrohej me faktin se industria ricikluese e vendit nuk do mbijetonte vetëm duke ricikluar mbetjet e vendit.
Por ky tolerim zgjoi furinë e protestave e ambientalistëve dhe veprimtarëve të tjerë të shoqërisë civile, të cilët ngulmonin se Shqipëria s’e kishte aftësinë të përpunonte materiale të tilla të rrezikshme.
Ambientalistët krijuan një front të përbashkët dhe arritën të siguronin mbajtjen e një referendumi në fund të 2013-ës, gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, për anulimin e neneve që lejonin importin.
Por Berisha humbi pushtetin nga koalicioni i udhëhequr nga Rama në ato zgjedhje.
Qeveria e re, e cila pati ndërtuar fushatën mbi ndalimin e importimit të mbetjeve kur ishte në opozitë, i ndaloi përsëri të gjitha importet në mbledhjen e saj të parë.
Kurumi, i cili llogaritej të kishte mbi nëntëdhjetë përqind të importit të skrapit, e kishte bindur qeverinë Berisha ta lejonte të importonte deri në 600,000 tonë skrap në vit – dhe të mos e quante mbetje.
Një ish-zyrtar i qeverisë Berisha i tha BIRN-it se kompania pati pranuar se 10 përqind e këtyre mbetjeve nuk ishin të trajtueshme, ndaj ishin mbetje me çdo kriter. Një pjesë prej këtyre ishin metale të rënda.
Por ndalimi që i bëri qeveria aktuale mbetjeve pengonte vetëm kompani të vogla dhe të mesme riciklimi.
Këto kompani importonin letër dhe plastikë, për shkak të sasisë së pakët të lëndës së parë në vend.
Vullnet Haka, kryetari i shoqatës shqiptare të ricikluesve, i cili koordinonte përgjigjen e sektorit ndaj ndalimit të importeve, tha se Kurumi pati trajtim të veçantë pasi ishte shumë më i madh se importuesit e letrës apo plastikës.
“Ata kishin lobim më të fuqishëm. Çeliku ka lobim më të fuqishëm edhe në Evropë,” tha ai. “Edhe në BE, çeliku dhe hekuri u deklasifikuan të parat si mbetje. E çuditshmja ishte se Shqipëria e bëri menjëherë më pas,” tha Haka. Ai tha se një licensim i tillë tregonte trajtim të pabarabartë.
Burime të tanishme zyrtare thonë se Kurumi nuk arriti të gjente zgjidhje të përshtatshme për mbetjet e patrajtueshme që prodhonte, të depozituara pranë Shkumbinit.
“Kompania na pati thënë se kishte 10,000 deri në 15,000 tonë mbetje metalesh të rënda të depozituara pranë fabrikës,” tha një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit deri vonë i ngarkuar me mbetjet.
“Tha se do i gjente vend të sigurtë por nuk i dha ende zgjidhje përfundimtare,” tha ai.
Zyra e Kryeministrit Rama tha në një deklaratë se Kurumi duhet të bënte hapa të kujdesshëm me mbetjet që prodhonte.
“Shoqërisë Kurum i është lënë detyrë që t’i ambalazhojë mbetjet, t’i etiketojë dhe t’i magazinojë në vende të përshtatshme, duke qënë se janë mbetje të rrezikshme,” tha zyra e Ramës. “Në mungesë të trajtimit të këtyre mbetjeve në impiantet e shoqërisë Kurum, alternativë e vetme është eksportimi i tyre jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.”
“Dhe në asnjë mënyrë të mos hidhen në venddepozitimet ekzistuese.”
Gjë që Kurumi s’e përmend kund.
“Një pjesë e mbetjeve nga shkrirja u jepet kompanive të shtrimit të rrugëve,” tha një zyrtare e Kurumit. “Pjesa tjetër mendohet të përdoret për nivelimin e një territori pranë portit të Durrësit ku kompania do që të ndërtojë një bazë logjistike.”
Marrë nga Birn