"Mbetjet", Shalsi: Nishani si PD
ligji i 2016-ës është i zbatueshëm

ligji i 2016-ës është i zbatueshëm">
Kthimi në kuvend nga Presidenti Republikës i ligjit të mbetjeve ishte parashikuar nga Partia Socialiste, pasi siç thotë kreu i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi në “5 pyetjet nga Babaramo”, kreu i shtetit ka ndjekur linjën zyrtare të PD.

"Presidenti ka aprovuar se qenë konseguet në një pikë, te linja zyrtare e kryetarit de facto të Partisë Demokratike", u shpreh Shalsi duke theksuar se do të ishte surprizuese për të nëse Nishani do ta dekretonte ligjin. 

Shalsi mbrojti Ligjin e Mbetjeve të vitit 2016, i cili sipas tij është ndryshe nga ai i 2013-ës që parashikonte importin e mbetjeve ndërsa vendi nuk kishte infrastrukturë për këtë proces.

Sipas tij, tashmë bëhet fjalë për sasira që nuk cenon trajtimin e mbetjeve në vend ndërsa jnë ngritur disa landfille.

Po ashtu, deputeti socialist i cilëson korrekte deklaratat e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në Greqi për marrëdhëniet shqiptaro greke.

Intervista e plotë në 5 "pyetjet nga Babaramo":

Z.Shalsi, e keni lexuar relacionin shoqërues të dekretit të Presidentit që e kthen pas këtë ligj?
I hodha një shikim të shpejtë dhe asnjë surprizë. Do të surprizohesha po të ishte ndryshe.
 
Prisnit ta kthente?
Patjetër. Presidenti ka aprovuar se qenë konseguet në një pikë, te linja zyrtare e kryetarit de facto të Partisë Demokratike.
 
Pse jeni kundër argumenteve të tij?
Te konsultat, industria e riciklimit është një pjesë e Shoqërisë Civile. Mungoi, të paktën në sytë e mi, në media, asnjë njoftim zyrtar nuk pati, me një pjesë profesionale të Shoqërisë Civile. Me një nga argumentet, është mungesa e transparencës dhe konsultimeve. Ligji është paraqitur nga ana jonë, në 30 qershor të këtij viti. Ndërkohë që, debati mbi këtë ligj, ka ekzistuar vazhdimisht.
 
Hera e parë ka qenë rrufe në qiell të pastër. Në momentin që anullua ligjin Berisha, s'ka pasur asnjë diskutim, u anulua edhe referendumi dhe krejt pa pritur, kur vëmendja ishte te reforma në drejtësi, ju kaluat këtë projekt...
Dyshimi është i arsyeshëm. Nga data 21 korrik që ligji duhet të kalonte në Kuvend, ne ligjin e kaluam në 22 shtator. Në datën 13 korrik ka qenë seanca e parë me dyer të hapura me grupet e interesit, shoqëria civile dhe ricikluesit. Ka pasur debat në atë mbledhje për objeksionet që unë kisha paraqitur. Ne kemi një vit që i kërkojmë qeverisë që të përfshihet në zgjidhjen e një problemi i cili mund të konsiderohet si shumë i rëndësishëm për të ardhmen e pastrimit në Shqipëri. Në vëmendjen tonë erdhi një nga shqetësimet, industria e riciklimit, e cila ishte përpara falimentimit ose të largohej. Kemi katër kërkesa direkte, 2 në prag falimentimi, një licencë të marrë në Serbi, një tjetër për të shkuar në Kosovë dhe dy të tjera për të shkuar në Maqedoni. Industria e riciklimit e kishte të pamundur të mbijetonte me përpunimin e mbetjeve të vendit. Ne e kemi ngritur si shqetësim, do lejojmë industrinë të falimentojë dhe largohet nga Shqipëria, apo do t'i japim zgjidhje..
 
Po të shohësh në QKR xhiron e tyre, pra nga 2013-2016, xhiroja e kompanive ka rritje...Ku është rreziku i falimentimit?
Pavarësisht se xhiro e një kompanie mund të rritet, pika që e bën një kompani rentabël apo jo, është sa e ka kapacitetin dhe sa % të kapacitetit punon. Pra, pavarësisht se një kompani mund të njohë rritje, rritja është e pamjaftueshme për ta mbajtur biznesin në vend. Bie fjala, nëse ke një kompani e cila përpunon 100 njësi si kapacitet dhe ti e përdor me 30%, atëherë ky biznes është i destinuar të falimentojë. Pra, rritja e papërfillshme është e tillë që nuk e lejon biznesin që të mbajë veten në këmbë.
 
Falimentimi është shëndoshje për ekonominë...krasitje e degëve të kalbura...

Jo. Është krejtësisht e gabuar. Po, në një kompani kapitaliste, bizneset jo rentabël janë të destinuar të falimentojnë,m por në rastin konkret kemi të bëjmë me një falimentim i cili krijon pasoja për ekonominë, punësimin dhe objektivin madhor, për pastrimin e Shqipërisë. Nuk ka vend të pastër, pa një industri riciklimi të fuqishme.
 
Mund të kenë bërë investimin e gabuar...s'kanë studiuar tregun. Të marrim investimin e gabuar në autostradën Tiranë-Durrës me 50 benzinata, gjysma e tyre janë në prag falimentimi. Për të shpëtuar ata duhet ët sjellim makinat nga Shkodra për të blerë benzinë? Kanë falimentuar se kanë zgjedhur vendin e gabuar...

Rasti nuk është analog. Në rastin konkret ke të bësh me një industri e cila ka investuar në bazë të ligjeve shqiptare. Në 2010-ën lejohej lirshëm importi i plehrave, jo i mbetjeve. Në vitin 2011-ë, u miratua një ligj, ai i menaxhimit të mbetjeve, mbi bazën e të cilave, kjo industri që ekzistonte që në '92, u mbështet mbi një ligj i cili presupozonte se njësitë vendore do të fillonin të trajtonin mbetjet sipas ligjeve, ndarjen në burim, plastikës, aluminit dhe kanoçeve. Pra, u mbështetëm mbi një ligj i cili sanksiononte për herë të parë menaxhimin e integruar të mbetjeve. Pra, këto morën përsipër të bënin disa investime mbi bazën e ligjit. Ligji i 2011-ës, dështoi. Më gjej një vend që 2 vjet pas miratimit të ligjit, mbetjet trajtoheshin sipas asaj që parashikonte ligji...
 
Ka dështuar bërja e ndarjes në burim?

Na duhet të pranojmë që kjo industri ishte në prag të falimentimit. E gjithë bota e zhvilluar ka industri të fuqishme riciklimi. Nëse biem dakord që këtë industri të mos e lejojmë të falimentojmë, por ta fuqizojmë, le të kalojmë tek marrja e masave për t'i dhënë oksigjen.
 
E keni quajtur tradhti kombëtare në 2013-ën...

Sepse s'kishte asgjë në 2013-ën. S'kishte asnjë model. Kishte landfill? Jo. Nuk kishte një laborator që të merrje një mostër dhe ta analizoje. Kishte një kompani të autorizuar nga Kryeministri e cila importonte mbetje pa pasur impiant riciklimi. Pra, lejohej importi nga çdo pikë doganore e Shqipërisë. Ndalemi te 2016-a. Fokusi është trajtimi i mbetjeve vendase.
 
Sa % të mbetjeve shqiptare, kjo industri riciklon? Po shifra që 83% mbeten të paricikluara, e konfirmoni? Mos do ishte më mirë që kjo industri të pastrohet pse jo edhe 100 të mbetjeve?

Të bëjmë një sqarim. Në vitin 2013-ë ne e kemi marrë Shqipërinë si një magazinë pa inventar. Edhe vendet e zhvilluara, fqinje ose jo, Itali, Gjermani, vendet nordike, kanë kaluar në disa faza. Është e pamundur të kalosh nga 10% riciklim, të kalosh në 60 apo 70%. Tani kanë ndryshuar disa gjëra. Në vitin 2013-ë, Shqipëria kishte rreth 400 komuna dhe bashki. Kemi një premisë që nuk e kemi pasur më parë. Ligji i 2011-ës i kalonte përgjegjësinë pushtetit vendor që të miratonte politikat për menaxhimin e mbetjeve dhe një nga ato është ndarja e mbetjeve në burim. Si do ta bënte pushteti vendor me 400 komuna e bashki, të ndara më vete, e  kishin të pamundur që secila të hartonte politika për hesap të tyre. E pamundur qoftë nga pikëpamja e banorëve, territorit etj. Keni qenë ndonjëherë në Bushatin e Shkodrës, ka një landfill të ndërtuar prej vitesh dhe ka dështuar. E lanë në dorë të disa komunave që të bëheshin bashkë dhe të caktonin tarifat me njëra-tjetrën dhe të bashkëpunonin. Me ndarjen e re territoriale, ti i jep mundësi bashkive që secila të hartojë politika më vete, pra e ka të mundur bashkia e Tiranës e vitit 2016 që të ndërtojë një politikë për mbetjet. Kur isha unë në Bashki ishte e pamundur. Shihni sot Bashkinë e Elbasanit, kemi incineratorin dhe landfillin e Elbasanit. Pse u bë i mundur brenda një kohe shumë të shkurtër, sepse kemi premisa. Kemi gati landfillin e Maliqit, do kemi atë të Fierit. Gradualisht me ndarjen e mbetjeve.
 
Pse nuk e kufizoni në sasi dhe kohë importin e mbetjeve?

Meraku i madh ka qenë se mos Shqipëria shndërrohet në vend depozitimi të mbetjeve. Shqetësimi i moskthimit të Shqipërisë në një destinacion për vendgrumbullim plehrash është real. Në vitin 2004 ka një vendim qeverie që lejonte ndërtimin e furrave për të sjellë plehra nga jashtë. Dhe ky ishte shqetësimi. Vendosëm një pikë ku ndaluam kategorikisht importin e mbetjeve me qëllim depozitimin, asgjësimin dhe incinerimin (groposjen).
 
Do e firmosni ligjin për referendumin?

Ma jepni se e firmos unë i pari.
 
Si? Mbështesni projektin e PD?

Çfarë referendumi? Duhet të lexosh se çfarë shkruhet. Nuk flasim për plehra, por për mbetje të riciklueshme. Unë jam për importin e mbetjeve të riciklueshme. Pra, lejohet importi i lëndëve të para dytësore. PD është një parti non sens, me dy koka, një de facto dhe një de juro. De jure, deri në datën 15 ishte dakord në komision, pastaj thanë jo. Qëllimet e PD kanë qenë gjatë gjithë kësaj kohe qesharake. E gjithë sjellja e tyre në korrik-gusht-shtator të këtij viti kanë qenë konform ligjit. PD deri në datën 22 në seancë plenare, nuk kishte shprehur asnjë kundërshtim për ligjin. Cilën PD thoni? PD-në e Sali Berishës? Apo të Lulzim Bashës?  

Z. Shalsi, si e shpjegoni, është çështje perceptimi.Ndërkohë që po sillen në Shqipëri mbetje të Europës për tu ricikluar?
Të riciklueshme, është nevoja që të familjarizoheni edhe ju me termin “të riciklueshme” në mënyrë që të mos manipuloheni as vetë e as njerëzit.

Po hyni në fushën për të cilin jam shkolluar, kjo është tautologji?
Jo, tautologji është përsëritja e gjërave me fjalë të tjera. Unë po them mbetje të riciklueshme,është shumë e rëndësishme të thuhet e kuptohet.

Dakort, po e lëmë mbetje të riciklueshme për marrëveshje fjale. Ju thoni se në mëngjes do të shkoj tek plehrat. Vijojmë. Si e shpjegoni, largohet një investitor me 450 milionë euro ndërkohë që në vend do vijnë mbetjet e riciklueshme?
Padrejtësisht, çështja e mbetjeve të riciklueshme po merr një vëmendje kaq të madhe, nuk e meriton. Këtë e gjykojnë mediat dhe siç për dy muaj diskutimet ishin ët tilla që nuk pati vëmendje kaq të madhe hamendësoj që kjo “furtunë në gotë” ishte e padrejtë që iu bë shqiptarëve. Nga ana tjetër po më përmend një rast që duket i izoluar por po ia thoni një njeriu që nuk ka dyshimin më të vogël që ai kauzë, ajo Shqipëri e rrëmujshme, magazinë pa inventar në 2013, nuk mund të bëjë rregull në një kohë kaq të shkurtër. Nuk di një vend në botë që në një kohë kaq të shkurtër të kalojë nga rrëmuja në rregull. Nga kaosi në perfeksion pa një situatë normale. Ju e dini shumë mirë që ne kemi një sistem gjyqësor që për herë të parë ke një forcë politike që e ka negociar dhe falë partnerëve tanë SHBA e BE po e bën realitet. Ne sot kemi mekanizmat për një shtet demokratik që është i çalë, i korruptuar e degraduar. Si mundet që një shoqëri që një nga boshtet kryesor, atë të drejtësisë, nuk e ka të pretendosh që raste të tilla të mos ekzistojnë. Ndërkohë, iu thashë, padrejtësisht debati po përqëndrohet tek mbetjet e riciklueshme por në këtë vend në këto vite kanë ndodhur gjëra madhore. Mund të duket çudi po nga Brukseli një miku ynë tha”Thuaj vetëm një gjë, a është e vërtetë që nuk po pihet cigare në lokalet e Tiranës? Pse i thashë unë, ai u përgjigj: Më duket e paimagjinueshme. Një vend që ka ndaluar pirjen e cigares në lokale është e vogël por shumë sinjifikative. Sot kemi një vend që për herë të parë është vënë nën kontroll. Zhvillimi kaotik, ndërtimi kush e ku të mundet ka marrë fund. Sot ka plane të mirëfillta rregullatore, ka për bregdetin, për Tiranën. Bashkitë e reja kanë instrumentat në dorë, çështja e decentrealizimit e funksionimit adeguat të bashkive. do të marrë kohë në vend dhe mjafton të kthesh kokën pas e të shohësh se çfarë ëhstë bërë në këto tre vite. Të gjithë do donim të ishin bërë akoma më shumë gjëra, akoma më shumë investitorë të mëdhenj por me këtë sistem drejtësie ishte e pamundur. Ajo që kishim ne në dorë ishte vullneti, për herë të parë, për të ndërhyrë dhe për të reformuar plotësisht. Ka disa reforma madhore që janë bërë dhe mos prisni që reforma në arsim të japë frytet që në vitin e parë. Reforma e pensioneve që e shpëtoi Shqipërinë nga një falimentim të një sistemi, por kemi një reformë të jashtëzakonshme. A ka padrejtësi më të madhe se gjysma e shqiptarëve paguanin dritat dhe gjysma jo në 2013? Ku ishte shoqëria civile? E shihni çfarë problemi madhor dhe deformim ka qenë ky? Kjo reformë u bë pa dhimbje. Kanë kaluar vetëm tre vite nga koha kur gjysma e shqiptarëve paguanin për gjysmën tjetër dhe sot kemi një reformë që jo vetëm shpëtoi Shqipërinë nga kapitullimi energjetik por po jep shenja rimëkëmbje aq sa partnerët tanë,Komuniteti i Energjisë, e marrin si model të një vullneti politik për të marrë një sektor në prag të humnerës për ta kthyer në lokomotivë të ekonomisë.

Në vijim të bisedës dua t’iu pyes për dy vizita që kanë shkaktuar debat në Tiranë. Në Athinë me Metën dhe Nish të Serbisë me Ramën. A mendoni se Shqipëria nuk ka qëndrim të unifikuar për një çështje të rëndësishme. Pame tre ligjerata të ndryshme në Kuvend. Tjetër gjë tha Meta, tjetër tha Bushati e tjetër tha nënkryetari i Kuvendit, Idrizi, lidhur me vizitën tuaj në Athinë?
Kur u ktheva në Shqipëri nga Greqia pashë shumë deformime dhe një pasqyrim jo të saktë të asaj që ngjau në Greqi. Isha pjesë e një delegacioni ku thuhej se i gjithë grupi që kishte marrë kryetari i parlamentit është një grup minoritarësh, por unë nuk i përkas këtij komuniteti. Bashkë me mua ishte edhe Fatmir Toçi. Pasaktësia e parë ka të bëjë me përbërjen e grupit të delegacionit. Pasaktësia e dytë ishte lidhur me temat që u diskutuam në Greqi, me Presidentin, Kryeministrin, Ministrin. Vizitat ishin mëse normale dhe çështjet e diskutuara janë çështjet për të cilat Shqipëria ka qëndrim të saktë e të përmbledhur lidhur me fqinjin jugor. Nuk e kuptoj se përse Ministri i Jashtëm me Kryetarin e Parlamentit kanë pasur qëndrime të kundërta. Ministri i Jashtëm ka thënë se kemi probleme të së kaluarës dhe probleme aktuale por që do ti zgjidhin me sytë nga e ardhmja. Kjo nuk është tauntologji. Kjo është se ne do të diskutojmë edhe për ato plagë për të cilat nuk është diskutuar siç duhet në të kaluarën. Meta tha se, “Një plagë edhe kur e përkëdhel të dhëmb”.

Meta u akuzua se zbuti tonet në Athinë, ju çfarë konstatuat?
Unë mendoj se vizita e Metës në Athinë u deformua dhe keqinterpretua nga disa segmente të caktuara. Ishte vizitë në të cilën të gjitha çështjet që diskutohen në Shqipëri janë diskutuar dhe në Greqi. Nëse Meta e tha saktësisht edhe për çështjet çame që duket si më delikatja në raportet mes dy vendeve tha se kemi qëndrime të kundërta. Ndryshe e sheh Greqia ndryshe e sheh Shqipëria.

Ky keqkuptim që ka ndodhur në Tiranë është produkt i përplasjes së dy aleatëve tuaj në qeveri?
Konkluzionet nxirrini ju. Di të them se Meta ka qenë korrekt në deklaratat dhe çështjet e ngritura në Greqi dhe besoj e i përkas një gjenerate ku e ardhmja mund të jetë e sigurt vetëm në rast se debatojmë duke parë sy më sy fqinjët tanë dhe të flasim pa komplekse për probleme që nuk i kemi shkaktuar ne por ata që kanë qenë përpara nesh. Ajo që unë vë re si asnjëherë më parë, është që me fqinjët tanë jugor, me Greqinë që kemi shumë gjëra të përbahskëta ëhstë hapur një kapitull i ri diskutimi e negocimi si asnjëherë më parë. Janë disa cështje pezull për të cilat në dijeninë time të dy vendet po punojnë me shumë intensitet. Supozohet letra e djeshme e Ministrit të Jashtëm grek, që ishte shumë emocionale dhe shpreh habi sepse Ministri i Jashtëm grek ka treguar se si njeri akademik mund të jetë i shkëputur nga tonet pseudopatriotike dhe deklarata që nuk do të ndihmonin për zgjidhjen e problematikave që duan kurajo, duhet të jesh dinjitoz që e kam vënë re tek Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë vizitës në Greqi.

Çfarë u diskutua në Nish mes dy kryeministrave?Deri tani ka pasur shkëmbime batutash por asnjë deri tani nuk është prodhuar?
Unë mendoj se Nishi është një kapitull i ri marrëdhëniesh me Serbinë. Nishi kristalizoi e krijoi Dhomën e Përbashkët Shqiptaro-Serbe. Nishi ishte një forum që solli disa biznesmenë shqiptare me serbë, një takim ku batutat nuk ishin thelbi, por pati mesazhe të qarta për bashkëpunimin ekonomik dhe ngritjen e tij në një fazë të re. Këtë e konsolidoi ky takim. Pas këtij takimi pati takime të veçanta mes biznesmenëve shqiptarë e atyre serb që do të pasohet me një tjetër aktivitet në të ardhmen. Ajo që ka ndryshuar me ardhjen e kësaj qeverie dhe Edi Ramës është raporti i mirë me fqinjët. Ne besojmë se plagët e së kaluarës mund të shërohen duke bashkëpunuar në fushën ekonomike, duke i pranuar si probleme dhe të gjenden rrugët e zgjidhjes. Shqipëria po jeton një moment shumë të mirë në rajon në lidhje me fqinjët. A mund të shuhen problemet e mbartura prej dekadash në një kohë të shkurtër? Jo. Unë them se po punohet në mënyrë dinjitoze për të gjetur rrugët e duhura dhe një nga kjo është bashkëpunimi ekonomik që takimi i Nishit e ngritur në një fazë të re.

Përveç njohjes reciproke që patën biznesmenët, a pati ndonjë gjë konkrete për ndonjë investim konkret që mund të bëhet?
Kryeministri serb hapi dyert për investitorët shqiptarë që duan të investojnë në Serbi duke i ofruar vullnetin dhe lehtësira dhe për të hequr barrierat burokratike që administrata publike i krijon. Pati dhe investitorë serbë që shprehën interesin për t’u njohur me fusha të ndryshme ku mund të investonin. Një forum i tillë nuk është e thënë që të bëhen e kristalizohen e realizohen projekte të reja konkrete por hap rrugën për të shtuar këmbimet tregtare dhe për të bërë që për të dy anët e kufirit të rriten këmbimet tregtare. Kjo i shërben më shumë paqes, qytetarëve të të dy vendeve.


Redaksia Online
l.q-f.t/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë