Një trilion e gjysmë dollarë, ose një mijë e pesëqind miliardë dollarë, në vetëm pak më shumë se një mijë e pesëqind metra katrorë. Ceremonia inauguruese e Donald Trump ishte një përqendrim konkret dhe i prekshëm i pasurisë – ndoshta më i madhi që është parë ndonjëherë.
Kjo ishte e mundur falë numrit të madh të miliarderëve që ishin ngjeshur krah më krah në Rotondën e Kapitolit.
Llogaritë janë të qarta: mes tyre ishte Elon Musk, që dominon edhe listën e Forbes me pasurinë e tij prej 448 miliardë dollarësh; Jeff Bezos, një pasues i ri i Trump-it, me 245 miliardë; Mark Zuckerberg, i cili gjithashtu iu bashkua festës me pasurinë e tij prej 216 miliardësh; dhe Bernard Arnault nga Franca, që kishte ardhur me familjen dhe pasurinë e tij prej 188 miliardësh. Në rresht ishte edhe Sundar Pichai i Google me 174 miliardë. Me këta të vetëm, shifra totale e pasurisë kalonte një trilion dollarë.
Përveç këtyre, ceremonia mblodhi edhe një numër të madh miliarderësh të “nivelit të dytë” – ata që nuk e kalojnë kufirin e qind miliardëve. Kështu, ishte Mukesh Ambani nga India me 90 miliardë dollarë; Miriam Adelson, mbretëresha e kazinove në SHBA, me 36 miliardë; Rupert Murdoch, i cili me 20 miliardë nga mediat e tij të “vjetra” sfidonte gjigantët e teknologjisë; dhe Tilman Fertitta, që pritet të jetë ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Itali, me 13 miliardë dollarë.
Kishte edhe të ashtuquajturit “të afërmit e varfër” të klubit të super të pasurve, si Tim Cook i Apple me 2.2 miliardë dhe Sam Altman i OpenAI me 2 miliardë dollarë.
Në Rotondën e Kapitolit, ku çdo metër katror mbante mesatarisht një miliard dollarë pasuri, gjendeshin pasuri që ishin të barabarta me prodhimin vjetor të vendeve si Spanja apo Meksika, ose me tre të katërtat e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Italisë për një vit.
Nëse nuk do të ishin këta njëzet miliarderë, do të duheshin plot 24 milionë njerëz “të zakonshëm” për të arritur të njëjtën pasuri totale.
Në një përllogaritje mesatare, që ndan 500 trilionë dollarët e pasurisë globale mes 8 miliardë banorëve të planetit, del se çdo person, teorikisht, do të duhej të kishte 62,500 dollarë pasuri.
Në ditën kur Oxfam prezantoi raportin e saj për pabarazitë ekonomike në Davos, elita e mbledhur atje dukej e vogël në krahasim me grumbullimin e jashtëzakonshëm të pasurive në oborrin e Trump-it.