Mbi 200 motoristë nga Kosova dhe Shqipëria u ngjitën këtë të diel në bjeshkët e Pashtrikut, duke përshkuar “Shtegun e Lirisë” nga Kushnini deri në majat e Pashtrikut, në një aktivitet që bashkoi adhuruesit e sportit të motorizmit, natyrës dhe historisë. Organizimi u bë nga Shoqata e Motoristëve të Hasit të Prizrenit “Enduro Pashtriku”, në nderim të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për shumë prej pjesëmarrësve, udhëtimi në shtigjet malore mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte më shumë se një garë apo aventurë sportive. Ata e përshkruan përvojën si një kombinim emocionesh, adrenalinë dhe krenarie për historinë që mbart kjo zonë kufitare.

Motoristët thanë se terreni i Pashtrikut ofron një nga përvojat më të veçanta për sportet “off-road”, me shtigje të thepisura, pyje, livadhe alpine dhe pamje panoramike që lidhin bjeshkët e Kosovës me ato të Shqipërisë. Shumë prej tyre vlerësuan mikpritjen dhe organizimin, duke theksuar se ngjitja në këto male sjell ndjesi të veçantë lirie dhe afërsie me natyrën.

Drejtori i Turizmit në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, deklaroi se aktiviteti shënon nisjen e një festivali të ri që synon të promovojë sportin e motorizmit dhe potencialin turistik të bjeshkëve të Pashtrikut.

“Sot po fillon një festival i ri që promovon sportin e motorizmit dhe turizmin malor në bjeshkët e Pashtrikut, një zonë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, por edhe më herët”, tha Morina.

Organizatorët synojnë që ky aktivitet të shndërrohet në një traditë të përvitshme, duke e kthyer Pashtrikun në një destinacion të rëndësishëm për turizmin aventurier dhe sportet malore në rajon.