Shitjet online, reklamat në rrjetet sociale, telemarketingu dhe operatorët postarë do të jenë në fokus të Planit Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Online, që ka publikuar sot Administrata Tatimore. Nisma synon forcimin e pajtueshmërisë tatimore, formalizimin e ekonomisë dixhitale dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës për bizneset që ushtrojnë aktivitet në internet.

Plani vjen në një kohë kur tregtia elektronike në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të përfshira në dokument, 42.4% e qytetarëve të moshës 16-74 vjeç kanë kryer blerje online gjatë vitit 2024, një rritje mbi katër herë krahasuar me periudhën para vitit 2020. Veshjet, këpucët dhe aksesorët mbeten produktet më të blera në internet, të ndjekura nga porositë e ushqimit.

Administrata Tatimore thekson se një nga risqet kryesore mbetet pagesa në dorëzim (cash on delivery), pasi transaksioni kryhet online, por pagesa bëhet me para në dorë, duke krijuar mundësi për fshehjen e qarkullimit dhe shmangien e detyrimeve tatimore.

Në zbatim të planit do të identifikohen dhe analizohen risqet kryesore të sektorit, me fokus regjistrimin e tatimpaguesve, deklarimin e saktë të qarkullimit, përmbushjen e detyrimeve për TVSH, deklarimin e punonjësve dhe pagave, si edhe zbatimin e faturimit elektronik.

Sipas dokumentit, në fokus janë rreth 2,016 subjekte aktive që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor, ku pjesa më e madhe janë persona fizikë dhe rreth 68% ndodhen në Tiranë.

Plani parashikon përdorimin e analizës së riskut, shkëmbimin e të dhënave me institucione dhe operatorë të tjerë, si dhe kontrolle të shkallëzuara që nisin me fushata ndërgjegjësimi dhe njoftime dixhitale, vijojnë me kontakte përmes Call Center dhe, për rastet me risk të lartë, me verifikime në terren, blerje-test, auditime dhe hetime investigative.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtisë dhe shërbimeve online të përmbushin detyrimet sipas legjislacionit në fuqi, me synim formalizimin e ekonomisë, zhvillimin e një tregu më transparent dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë