Mbi 42 mijë të vdekur nga tërmetet shkatërrimtare në Turqi dhe Siri! Nëna dhe dy fëmijët nxirren nga rrënojat pas më shumë se 228 orësh

Numri i të vdekurve nga tërmetet Turqi-Siri ka kaluar mbi 42 mijë persona. Autoritetet turke thonë se 36,187 njerëz janë vrarë në vend. Qeveria siriane dhe Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 5800 njerëz kanë vdekur në Siri.

Një nënë dhe dy fëmijët e saj janë shpëtuar në qytetin turk Antakya më shumë se 228 orë pas tërmeteve që shkatërruan Turqinë juglindore dhe Sirinë veriperëndimore. Ela dhe dy fëmijët e saj,  Meysam dhe Ali, u nxorrën nga rrënojat e bllokut të tyre të apartamenteve. Të mërkurën, një grua 74-vjeçare dhe një grua 46-vjeçare u shpëtuan në qytetin turk Kahramanmaras, afër epiqendrës së tërmetit.

Ndërkohë vullnetarët në Gaziantep të Turqisë po ndërhyjnë për të ndihmuar në përpjekjet për lehtësimin e pasojave të tërmetit, duke përfshirë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, shpërndarjen e ushqimit dhe ngritjen e strehimoreve të përkohshme për të mbijetuarit. Ndërkohë, shume shtete kanë vijuar ndihmën për Turqinë madje edhe personazhe publikë. 

Talebanët nga ana tjetër kanë preferuar të japin ndihmën e tyre financiare në para ‘cash’ për të prekurit nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit. Sipas mediave turke, Matiul Haq Halis, kryetar i Gjysmëhënës së Kuqe afgane, i ka dorëzuar ambasadorit të Turqisë në Afganistan, Cihad Erginay, rreth 50 mijë dollarë të futura në një qese plastike, ndërsa përcolli ngushëllimet e tij për popullin turk.

Këngatarja turke organizoi një fushatë të madhe ndihme në Holandë dhe mblodhi 88 milionë eurove në natën e ndihmës. Edhe Seren Ay Cetin, një boksiere turke që fitoi titullin e Këshillit Botëror të Boksit (ËBC) në vitin 2022, po nxjerr në ankand rripin e kampiones për të ndihmuar viktimat e tërmetit në Turqi.

Kryqi i Kuq ka trefishuar kërkesën për ndihmë ndaj të prekurve nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Siri. Apeli për financim emergjent shkon deri  në  700 milionë dollarë. Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuar ka nisur një apel për të mbledhur 1 miliard dollarë për viktimat e tërmetit në Turqi, por edhe në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, i cili  ka lënë mbi 42 mijë të vdekur. Seren Ay Cetin, një boksiere turke që fitoi titullin e Këshillit Botëror të Boksit (ËBC) në vitin 2022, po nxjerr në ankand rripin e kampiones për të ndihmuar viktimat e tërmetit në Turqi.

Ndërkohë kanë ndodhur edhe arrestime pasi disa njerëz kanë përfituar nga tragjedia. Një shofer kamioni në Turqi është arrestuar në flarancë teksa tentonte të shiste në tregje të ndryshme të vendit materialet e ndihmave të mbledhura për të prekurit nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit në Juglindje të Turqisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:12
E njëjta xhaketë, i njëjti vend, por realiteti i ndryshëm, babai që përloti botën: Jam gjallë, por kam vdekur së brendshmi

Nje skenë e dhimbshme që ka përlotur gjithe botën ishte ajo e një babai që shtëngonte dorën e vajzës së tij 15-vjeçare, të vdekur e nën rrënoja, duke mos dashur të pranojë realitetin. Fotos që bëri xhiron e botës, e një burri 49-vjeçar, Meseut Hançer tashmë i është bashkangjitur dhe një intervistë në një emision për t'a përmbyllur publikisht ngjarjen e tmerrshme, por për të lënë të hapur në kujtime të çdokujt që përjetoi të njëjtën tragjedi, shijen e hidhur të humbjes. Skenat zemërthyese nga Kahramanmaras përshkruanin më së miri pikëllimin që pësoi miliona njerëz në vendet e goditura nga tërmeti i Turqisë dhe Sirisë.

Mesut Hançer humbi gjashtë anëtarë të tjerë të familjes në një fatkeqësi natyrore vdekjeprurëse, përfshirë nënën dhe të afërmit e tij. Humbja më e dhimbshme ishte sigurisht ajo e së bijës, ku turku mund të mbante vetëm dorën e saj pa pasur mundësi ta ndihmonte.

“Unë u përpoqa ta liroj vajzën time, princeshën time, me duar të zhveshura, por në fund u desh ta lija në gërmadha”, tha Hançer.

Çdo ditë ai viziton vendin ku ka parë për herë të fundit vajzën e tij Irmak. Ai shkon në atë vend me një xhaketë portokalli, të njëjtën që kishte veshur kur u regjistruan fotot më tronditëse nga Turqia.

“Vajza ime dhe gjashtë të afërm të tjerë vdiqën të gjithë teksa po qëndronin në shtëpinë e nënës sime në Kahramanmaras. Epiqendra e tërmetit ishte pikërisht aty. Unë isha në punë, në furrë buke, kur toka u drodh. Menjëherë telefonova gruan time. Ajo më tha se ajo, dy vajzat dhe djali ynë ishin të sigurt. Por vajza më e vogël fjeti në divan në shtëpinë e gjyshes sime atë natë sepse donte të ishte me të afërmit e saj. I dëshpëruar thirra nënën time, por ajo nuk u përgjigj thirrjes, kështu që unë vrapova në shtëpinë e saj”, shtoi Mesut Hançer.

Kur arriti në shtëpinë e nënës së tij, konstatoi se pallati dhjetëkatësh ishte shembur. Irmak, nëna dhe të afërmit e tij kishin vdekur.

“Nuk doja ta lija. Ia mbajta dorën, kjo ishte e vetmja pjesë e trupit që dukej nën rrënoja. U përpoqa ta nxirrja me duar të zhveshura, por ajo po flinte. Zoti ma mori vajzën”, tha babai i tronditur në një intervistë për televizionin turk TV100.

“Ishte shumë e vështirë për të hequr rrënojat. Ne po kërkonim një ekskavator, por nuk mundëm ta merrnim. Policia mbërriti në vendngjarje, por nuk mundi të na dërgonte një ekskavator. Dhe ekipi i shpëtimit u përpoq por s’mundi. Dua t’i falënderoj. Kam pikëllim për çdo anëtar të familjes sime, por vdekja e vajzës sime ma theu zemrën. Jam gjallë, por brenda ndihem i vdekur. Ajo ishte si trëndafili dhe mbante aromë trëndafili”, përfundoi Mesut. 

 

Ora 21:56
Boksierja turke nxjerr në ankand rripin e fitores për viktimat e tërmetit

Seren Ay Cetin, një boksiere turke që fitoi titullin e Këshillit Botëror të Boksit (WBC) në vitin 2022, po nxjerr në ankand rripin e kampiones për të ndihmuar viktimat e tërmetit në Turqi.

Në një postim në Twitter, Seren Ay Cetin, 26 vjeç, tha se do të vendoste në ankand rripin e saj të titullit WBC Silver Bantam, duke shpresuar ta shesë atë për të paktën një milion lira turke ose 53,000 dollarë. Ajo premtoi t'i jepte të gjitha të ardhurat Ahbap, një organizatë joqeveritare turke që ndihmon viktimat.

Cetin ishte boksierja e parë turke që fitoi një titull WBC pasi mposhti Eva Voraberger, një kampione e botës dy herë në WBC, në një kampionat të zhvilluar majin e kaluar në Stamboll.

Ora 21:20
Tërmeti në Turqi, macja i 'shpëton' jetën tre personave, mes tyre një foshnje

Qentë janë kafshët e trajnuara për të gjetur njerëzit nën rrënoja, por kësaj radhe ka qenë një mace që ka shpëtuar jetë njerëzish pas më shumë se një jave nga tërmeti i tmerrhëm që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt.

Një nënë me dy fëmijët e saj si edhe dhe një foshnjë janë shpëtuar nga ekipet e shpëtimit në Turqi falë një maceje. Një video e publikuar në rrjete sociale tregon se si një mace çon ekipin e shpëtimit drejt banesës së dëmtuar që ishin njerëzit dhe ata ia kanë dalë t'i nxjerrin të gjallë nga rrënojat të tre personat e gjetur.

Kujtojme se, numri i viktimave që goditi Turqinë dhe Sirinë i ka kaluar 42 mijë, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë mundur të nxjerrin të gjallë nga rrënojat rreth 10 mijë vetë.

 

Ora 19:54
4 ditë nën rrënoja, dy motrat rrëfejnë tmerrin nga tërmeti në Turqi: Ishim aq të etura sa s’nxirrnim dot zë

 

Dy motra 22 dhe 20 vjeç përshkruan për Sky News momentet që jetuan të ngujuar për katër ditë nën rrënojat e banesës 7-katëshe në qytetin e Kahramanmaras derisa u shpëtuan ekipi turk dhe izraelitë.  Zeynep dhe Elife Tzivi ishin në gjumë kur tërmeti me magnitudë 7.8 goditi orët e para të së hënës, më 6 shkurt. Siç thotë Elife, dy vjet më e vogël, nga spitali Kahramanmaras ku po kurohet.

“Nuk do të kisha mbijetuar pa Zeynep”. “Isha me fat, kisha motrën time të madhe me vete. Ishim poshtë krevatit.  Ishte ftohtë dhe të frikësuar”.

 Kur u pyet se çfarë ndodhi kur filloi tërmeti në Turqi, Elife përshkruan “ne menduam se do të dridhej për një kohë dhe do të ndalonte, por kjo nuk ndodhi. Ndërtesa filloi të rrëshqasë. E gjithë dhoma filloi të rrëshqasë'. Sipas motrës së saj , Zeynep, vendimi që ajo mori kur kuptoi se ndërtesa do të shembej ishte vendimtar.

“Isha gati të shkoja në dhomën e nënës sonë. Ndalova dhe prita. Dëgjova zhurmën e shembjes së ndërtesës, kat më kat. Vazhdova të dëgjoja "bang, bang". Atë moment unë e vendosa kokën e Elife nën krevat dhe rashë edhe unë nën të.”

Dy motrat e gjetën veten të bllokuar në një "xhep ajri" nën shtratin e Zeynep, por pa asnjë mënyrë për të dalë.

“Kishim hapësirë për të lëvizur majtas ose djathtas. Mund të ulesha kur më mpiheshin këmbët dhe të kthehesha anash”, përshkruan më e madhja për orët në rrënoja.

Temperaturat nën zero gradë Celsius gjatë natës – nuk kishin ushqim dhe ujë.

“Ditën e fundit, mendova se ky ishte fundi . Nuk mund të vazhdoja pa ujë. Nuk flija sepse kisha etje. Nuk lëvizja dot. Nuk kisha zë që të na dëgjonte dikush”, thotë Elife 20-vjeçare. 

“Po i thërrisja nënës sime, a je mirë? dhe nuk dëgjoja asgjë. Ishte shumë keq”, përshkruan Zeynep. Nën rrënoja afër ishte dhe një burrë me foshnjën e tij .

Shpresa u shfaq në ditën e katërt, kur dëgjuan një shpëtimtar duke bërtitur.

“Kisha një krem në duar dhe fillova të trokas me tub. Burri poshtë gjithashtu filloi të bërtasë. Ishim bashkë në atë moment”, “Dëgjova që më pyesnin emrin. Unë iu përgjigja "Elife". Ishte një moment i pabesueshëm. 

Zeynepai nuk kishte të njëjtin optimizëm. 

“I thashë Elife-s "do të vdesim, a e kupton këtë?". Dhe pikërisht atëherë dëgjuam një tingull të ulët. Shpëtimtarët erdhën dhe thanë "mund të të dëgjojmë" dhe ne bëmë të pamundurën për të bërë një zë. Më në fund na nxorrën jashtë”.

 Pyetjes së gazetares britanike nëse kjo përvojë do të ndryshojë jetën e tyre, Elife është përgjigjur:

“Mendoj se gjithçka ndodh në sekonda. Mund të jesh gjallë sot dhe të ikësh nesër. Unë do ta jetoj jetën time aq sa mundem”.

Ora 17:18
OKB nis një apel për mbledhjen e 1 miliard dollarëve për viktimat e tërmetit në Turqi

Organizata e kombave të Bashkuar ka nisur një apel për të mbledhur 1 miliard dollarë për viktimat e tërmetit në Turqi, por edhe në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, i cili  ka lënë mbi 42 mijë të vdekur. 

Organizata botërore tha në një deklaratë se fondet do të ofrojnë ndihmë humanitare për tre muaj për 5.2 milion njerëz, duke lejuar organizatat e ndihmës të "rrisin me shpejtësi mbështetjen jetike".

Mdihma të tjera ka kërkuar edhe Kryqi i Kuq, por edhe personazhe të njohur të botës së artit, të cilët kanë humbur vetë të afërm nga tërmeti. E fundit ka qenë këngëtarja turke, e cila mblodhi 88 milion dollarë në ndihmë të të prekure të tërmetit që goditi Sirinë.

Ora 17:04
Kryqi i Kuq trefishon kërkesën për ndihmë për të prekurit e tërmetit në Turqi e Siri, kërkon 700 milionë dollarë

Kryqi i Kuq ka trefishuar kërkesën për ndihmë ndaj të prekurve nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Siri. Apeli për financim emergjent shkon deri  në  700 milionë dollarë.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe tha se tani vlerëson se do të nevojiten 650 milionë franga zvicerane  për të ndihmuar në përgjigjen ndaj nevojave në rritje humanitare në të dy vendet.

Pak më shumë se një javë më parë, organizata kishte vlerësuar nevojat e saj për financim në 200 milionë franga (216 milionë dollarë).

Ora 16:27
Këngëtarja e njohur turke humb 16 të afërm nga tërmeti tragjik në Turqi, mbledh 88 milion euro ndihmë për të prekurit

Këngëtarja turke Karsu ka humbur 16 familjarë të saj nga tërmeti tragjik që goditi turqinë dhe Sirië më 6 shkurt. Më shumë se 41,000 njerëz kanë vdekur në Turqi si pasojë e tërmetit të javës së kaluar, duke e bërë atë fatkeqësinë më vdekjeprurëse që nga themelimi i vendit, 100 vjet më parë. Ajo ishte e ftuar në një emision televiziv në Holandë ku edhe jeton dhe nëpërmjet televizionit bëri thirrje për donacione në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. Ajo këndoi në turqisht e gjithashtu shprehu edhe revoltën e saj për fatkeqësinë që ndodhi, pasi theksojmë se shumë personazhe të famshëm kanë reaguar negativish për qeverinë.

Këngatarja, organizoi një fushatë të madhe ndihme në Holandë dhe mblodhi 88 milionë eurove në natën e ndihmës.

Ora 08:54
Përfitoi nga fatkeqësia, arrestohet shoferi i kamionit në Turqi! Ndihmat e mbledhura për të prekurit nga tërmeti, i shiste në tregje të ndryshme

Një shofer kamioni në Turqi është arrestuar në flarancë teksa tentonte të shiste në tregje të ndryshme të vendit materialet e ndihmave të mbledhura për të prekurit nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit në Juglindje të Turqisë.

Në deklaratën e kryer nga Kryeprokuroria Publike, thuhet se ka nisur hetimi pasi është konstatuar se në disa tregje të qytetit shiteshin materiale ndihme humanitare me ushqime, të dërguara nga Ankaraja në zonat e tërmetit.

Drejtuesi i kamionit Y.Ö është arrestuar nga Gjykata Penale e Paqes për veprën penale “Shpërdorim besimi”, duke përfituar në këtë mënyrë nga fatkeqësia e të prekurve nga kjo tragjedi.

Ora 08:53
Tërmeti në Turqi/ Shtëpia goditet nga shkëmbi, ngel e “varur” në greminë

1676534066_kjh.JPG

Tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit bënë që shumë gurë të mëdhenj të shkëputen nga një kodër në Bektaş të Turqisë dhe u rrokullisën në një fshat me 250 familje.

Një shtëpi 3-katëshe është goditur nga një gurë i madh, e për pasojë godina u zhvendos e gjitha, gati për të rënë në greminë. Për fat të mirë, anëtarët e familjes që jetonin në të kanë shpëtuar mrekullisht pa lëndime.

“Shtëpia ime është zhvendosur rreth 4 apo 5 metra. Gjithçka është tashmë nën rrënoja, ndërsa për fat të mirë na ruajti Zoti”, tha një prej anëtarëve të familjes.

Ora 08:26
Talebanët u vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti në Turqi! Dhurojnë 50 mijë dollarë ‘cash’ të mbështjella me qese plastike

Talebanët kanë preferuar të japin ndihmën e tyre financiare në para ‘cash’ për të prekurit nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit. Sipas mediave turke, Matiul Haq Halis, kryetar i Gjysmëhënës së Kuqe afgane, i ka dorëzuar ambasadorit të Turqisë në Afganistan, Cihad Erginay, rreth 50 mijë dollarë të futura në një qese plastike, ndërsa përcolli ngushëllimet e tij për popullin turk.

Javën e kaluar, menjëherë pas tërmetit, Ministria e Punëve të Jashtme të Afganistanit deklaroi se do të dhuronte 160 mijë dollarë për Turqinë dhe Sirinë.

B.V/F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik