Mbi 42 mijë foto dhe video me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve janë gjetur në një faqe interneti shqiptare. Zbulimi është bërë nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al, e cila e cilëson këtë një nga rastet më të rënda që ka hasur deri më sot.
Vetëm gjatë muajit qershor, ekspertët e qendrës zbuluan 42,624 materiale në këtë faqe dhe e raportuan menjëherë rastin te autoritetet policore, duke kërkuar që materialet të hiqen nga interneti dhe të nisin hetimet.
Sipas iSIGURT.al, gjatë verifikimeve rezultoi se të gjitha fotot dhe videot ishin publikuar në një faqe interneti me adresë ".AL". Sipas qendrës, kjo tregon se edhe faqe të regjistruara në Shqipëri po përdoren për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve të paligjshme.
"Fakti që vetëm gjatë një muaji u identifikuan mbi 42 mijë materiale me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në një faqe me domain .AL është jashtëzakonisht alarmues. Ky rast tregon se Shqipëria nuk është e paprekshme nga këto forma të kriminalitetit dhe se nevojiten masa shumë më të forta për monitorimin e internetit, hetimin e autorëve dhe mbrojtjen e fëmijëve", u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA Shqipëri.
Sipas CRCA Shqipëri, rasti nxjerr në pah nevojën urgjente për forcimin e monitorimit të faqeve me adresë ".AL", bashkëpunim më të shpejtë mes autoriteteve, ofruesve të internetit dhe kompanive të hostimit, forcimin e hetimeve penale ndaj autorëve të këtyre veprave, si edhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe raportimit nga qytetarët.
iSIGURT.al u bën thirrje qytetarëve që, nëse hasin materiale që dyshohen se përmbajnë abuzim seksual të fëmijëve, të mos i shkarkojnë, ruajnë apo shpërndajnë, por t'i raportojnë menjëherë në platformën e saj.
Sipas qendrës, çdo raportim ndihmon në mbrojtjen e një fëmije dhe në ndjekjen penale të autorëve.
Deklarata e plotë e Qendrws Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al,
"Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al, ka identifikuar dhe raportuar për heqje 42,624 materiale (foto dhe video) me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM) vetëm gjatë muajit Qershor 2026. Ky është një nga rastet më të rënda të konstatuara deri më sot nga iSIGURT.al dhe ngre shqetësime serioze mbi përdorimin e infrastrukturës shqiptare të internetit për shpërndarjen e materialeve që dokumentojnë abuzimin seksual të fëmijëve. Gjatë verifikimit të rastit u konstatua se të gjitha materialet ishin publikuar në një faqe interneti me domain .AL, duke treguar se edhe hapësira shqiptare e internetit po shfrytëzohet nga autorët e këtyre krimeve për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve të paligjshme.
Çdo foto apo video me përmbajtje të abuzimit seksual të një fëmije nuk është thjesht një skedar digjital. Ajo përfaqëson provë të një krimi të rëndë dhe një fëmijë viktimë, i cili riviktimizohet sa herë që materiali shikohet ose shpërndahet. Menjëherë pas identifikimit të materialeve, iSIGURT.al i raportoi ato pranë autoriteteve kompetente për heqjen e tyre dhe nisjen e procedurave hetimore.
"Fakti që vetëm gjatë një muaji u identifikuan mbi 42 mijë materiale me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në një faqe me domain .AL është jashtëzakonisht alarmues. Ky rast tregon se Shqipëria nuk është e paprekshme nga këto forma të kriminalitetit dhe se nevojiten masa shumë më të forta për monitorimin e internetit, hetimin e autorëve dhe mbrojtjen e fëmijëve," u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA Shqipëri.
Ky rast evidenton nevojën urgjente për:
forcimin e monitorimit të faqeve me domain .AL;
bashkëpunim më të shpejtë ndërmjet autoriteteve, ofruesve të internetit dhe kompanive të hostimit;
forcimin e hetimeve penale ndaj autorëve të këtyre veprave;
rritjen e ndërgjegjësimit dhe raportimit nga qytetarët.
iSIGURT.al u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse hasin materiale që dyshohen se përmbajnë abuzim seksual të fëmijëve, të mos i shkarkojnë, ruajnë apo shpërndajnë, por t'i raportojnë menjëherë në www.isigurt.al Çdo raportim ndihmon në mbrojtjen e një fëmije dhe në ndjekjen penale të autorëve"
Komente









