Shqipëria po vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë të huaj, me shifra që konfirmojnë rritjen e fortë edhe në muajt e parë të vitit.

Gjatë muajit mars 2026, vendi ynë ka mirëpritur 609,363 vizitorë të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë 59,598 turistë më shumë, ose rreth 11% rritje.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e sheh këtë si një sinjal të qartë se Shqipëria po konsolidohet si destinacion në rritje.

“Shqipëria vijon të konfirmohet si një destinacion në rritje! Gjatë muajit mars 2026, vendi ynë mirëpriti 609,363 vizitorë të huaj, një rritje prej +59,598 turistësh krahasuar me marsin 2025, ose rreth +11% më shumë. Në një kohë sfidash globale, Shqipëria po spikat si një alternativë e sigurtë dhe gjithnjë e më tërheqëse për turizmin gjithëvjetor. Nga natyra te trashëgimia kulturore, mikpritja, kulinaria dhe jeta artistike, oferta turistike shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës” ”, shprehet ai nëpërmjet një postimi në rrjete sociale.

Rritja nuk shihet vetëm te hyrjet në vend, por edhe te vizitat në sitet kulturore. Sipas të dhënave nga Drejtorisë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore për Gjirokastrën, Kalaja e Gjirokastrës ka njohur një interes të fortë të turistëve gjatë marsit.

Vetëm në këtë muaj, kalaja është vizituar nga 14,253 turistë, duke shënuar një rritje prej 57.56% krahasuar me marsin e vitit 2025.

Këto shifra, sipas autoriteteve, tregojnë se Shqipëria po hyn gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve që vizitohen jo vetëm në verë, por gjatë gjithë vitit.