Eksportet e mallrave shënuan rritje me ritëm dyshifror në korrik, duke dhënë një sinjal pozitiv për tregtinë e jashtme. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë muajit të kaluar u eksportuan mallra me vlerë 33,7 miliardë lekë, 10,6% më shumë se në korrik të vitit 2025. Krahasuar me qershorin, eksportet ranë me 5%, duke treguar se ritmi mujor mbetet i luhatshëm.

Nga ana tjetër, importet vijuan të rriten, duke arritur në 86,4 miliardë lekë. Në krahasim me një vit më parë ato u zgjeruan me 3,6%, ndërsa kundrejt qershorit u rritën me 3,5%. Si rezultat, deficiti tregtar i vendit në korrik arriti në 52,8 miliardë lekë. Megjithëse ishte 0,5% më i ulët se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ai u zgjerua me 9,8% krahasuar me qershorin.

Analiza e INSTAT për grupet të mallrave tregon se rritja e eksporteve është mbështetur kryesisht nga "Materialet e ndërtimit dhe metalet", të cilat dhanë kontributin më të madh me 8,9 pikë përqindjeje. Ndikim pozitiv pati edhe grupi "Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike", me 5,3 pikë përqindjeje, si dhe "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi", me 0,9 pikë përqindjeje. Në kahun tjetër, eksportet e "Tekstileve dhe këpucëve" vijuan të tkurren, duke ulur ecurinë e përgjithshme me 4,3 pikë përqindjeje, ndërsa edhe "Produktet kimike dhe plastike" dhanë ndikim negativ me 0,6 pikë përqindjeje.
Edhe te importet, rritja u mbështet kryesisht nga mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike, që kontribuuan me 1,5 pikë përqindjeje. Pas tyre renditen grupi "Ushqime, pije dhe duhan", me 0,8 pikë përqindjeje, dhe "Materiale ndërtimi dhe metale", me 0,3 pikë përqindjeje. Ndërkohë, ndikim negativ, edhe pse minimal, patën grupet "Lëkurë dhe artikuj prej tyre" dhe "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi".
Sa u përket partnerëve tregtarë, eksportet shqiptare shënuan rritjen më të madhe drejt Greqisë, me 19%, dhe Gjermanisë, me 2,5%. Eksportet drejt Italisë ranë me 2% dhe Kosovës me 2,4%. Nga ana e importeve, rritja më e madhe u regjistrua për mallrat e ardhura nga Kina, me 22,7%, dhe Italia, me 0,3%, ndërsa importet nga Greqia ranë me 2,9% dhe ato nga Gjermania me 9,2%.
Bashkimi Evropian vijon të mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Në korrik, 53,6% e gjithë tregtisë së jashtme u zhvillua me vendet e BE-së. Eksportet drejt tregut europian përbënin 68,4% të totalit të eksporteve shqiptare, ndërsa 47,8% e importeve erdhën nga vendet anëtare të unionit.









Komente
Komento