Në vitin 1662, kronikani turk Evliha Çelebi, në librin e tij “Udhëtimet“, ndër të tjera e përshkruan qytetin si “Pogradeci, një qytet i ëmbël buzë gjolit (liqenit), me katër lagje dhe katër xhami, një medrese, dy shkolla fillore, një teqe, tre hane, një banjë e 600 shtëpi me tjegulla e me kopështe”. Çelebiu thotë se në atë periudhë në Pogradec kishte 150 dyqane dhe në breg të liqenit ishin tabakët që regjnin lëkurët. Vendasit merreshin me gjuetinë e peshkut me disa gjemi. Peshkimi dhe tregëtia ishin mjetet e jetesës së këtyre banorëve …
Peshkatarët e vjetër tregojnë se, me kalimin e viteve, mjetet e lundrimit pësuan evoluimin e tyre. Inxhinieri i talentuar i peshkimit Vladimir Peshkatari, djali i Kolo Peshkatarit - një nga mjeshtrit e peshkimit, që njihej nga pogradecarët si “Ujku i Liqenit“ - tregon për gazetën Shqiptarja.com se gjemia e parë (varka) ka ardhur aty rreth vitit 1919 nga gjyshi i tij Maxhari, një peshkatar i vjetër dhe me shumë përvojë nga Ohri, i cili erdhi të jetojë familjarisht në Pogradec. Ai erdhi nga Ohri me një gjemi të gjatë rreth 8 m dhe rreth 2.5 m të gjerë e 1 m e 20 cm të lartë. Atë varkë e punonin katër veta: tre lopataxhinj dhe një tjetër, që mbante drejtimin. Xha Kolua më ka treguar se Maxhari solli dhe rrjetat e para të peshkimit nga Ohri.
Por sjellja e kësaj varke kaq të madhe dhe funksionale filloi të përdorej, përveç peshkimit, edhe për transport mallrash në vijën ujore nga Pogradeci për në qytetin e Ohrit. Ustallarët e Ohrit filluan të prodhojnë gjemi e varka edhe për fqinjët e tyre pogradecarë. Këta të fundit iu çonin dërrasa prej gështenje, ndërsa ndërtimin e bënin mjeshtrat në Ohër. Tashmë varkat që prodhoheshin në Ohër, jo vetëm që përdoreshin për peshkim, por edhe për transport mallrash. Shumë pogradecarë shkonin me këto varka të mëdha nëpërmjet liqenit në Ohër dhe Strugë për tregti: çonin fruta dhe zarzavate në Ohër dhe prej andej sillnin vajguri dhe kripë. Po me këto varka pogradecarët shkonin në manastirin e Shën Naumit, në Ohër, në Strugë, edhe për festa familjare apo fetare. Varkat përdoreshin edhe për piknik në liqen apo festa familjare, për argëtime të ndryshme. Varka e parë në qytetin e Pogradecit nga vendasit është prodhuar rreth viteve `20. Ka qënë inxhinjeri francez Albert Gariku, i cili solli fillimisht projektin dhe mjetet e ndërtimit të varkave. Zbatuesi dhe prodhuesi i parë i varkës në Pogradec është mjeshtri Sotir Shkurti, i cili më vonë këtë zanat ia trashëgoi djalit të tij Koços. Duke vazhduar deri në ditët tona, tani prodhojnë varka Mondi Bashua apo Raqi Matua, etj.
Por, ky liqen, me bukuritë e tij të pafund, prej shumë vitesh numëron edhe shumë tragjedi me varkat në liqen, që nga kohët më të lashta, kur një princeshë Ilire është mbytur në këtë liqen me një varkë gjatë një shëtitjejë në afërsi të Shën Naumit (vendi quhet Zaum, që do të thotë përmend).
Tragjeditë e liqenit me varka kanë vazhduar deri në ditët tona, por ato më të bujshmet, të cilat mbahen mend, kanë qenë më të mëdha; ndonëse kanë kaluar shumë vite, ato janë të veshura me një mister dhe shumë prej tyre kanë ngelur me shumë enigma.
SI U MBYTËN 9 PERSONA ME MOTOVARKË
Adhon Polena është djali i mjeshtrit të madh të kirurgjisë shqiptare, doktor Kristaq Polenës. Ai ngjarjen tragjike të xhaxhait të tij, Niko Polenës, e ka ruajtur të gjallë dhe të freskët, me të gjitha detajet, sipas tregimit të prindërve të tij dhe duket se i ka lënë gjurmë të thella.Ka qënë ditë e diel, më 30 mars 1930. Me katër makina të vogla, janë nisur herët në mëngjes në drejtim të Pogradecit konsulli grek në Korçë Joan Lazarou, sëbashku me bashkëshorten e tij, konsulli sërb, doktor Aristidhi, doktor Nikollaq Polena, sëbashku me të fejuarën e tij Julia Fundo, sekretari i konsullatës sërbe sëbashku me të shoqen, dr. Nikollaq Zografi sëbashku me të shoqen, si dhe disa nëpunës të vegjël të konsullatës greke dhe sërbe në Korçë. Rreth orës 9 e 30 minuta mbritën në Pogradec dhe prej andej u nisën për në manastirin e Shën Naumit. U futën në kishë dhe, pasi shëtitën manastirin, ujin e bekuar dhe varrin e Shën Naumit, duke kryer ritualet fetare, afër drekës u ulën për të drekuar. Në atë çast marrin një njoftim nga qyteti i Ohrit se është nisur, me një varkë me motor, prefekti i Ohrit, si dhe një kolonel i ushtrisë. Nuk vazhdoi as një orë dhe tek manastiri mbritën nga Ohri prefekti dhe koloneli i ushtrisë jugosllave. Në një nga ambientet e manastirit u shtrua dreka rreth orës 13 dhe nuk zgjati shumë. Ajo kaloi në mënyrë shumë të gëzueshme dhe me shumë humor. Vizitorët, sapo mbaroi dreka, dolën jashtë dhe dalluan, të ankoruar buzë liqenit, atë tip motovarke që kishte sjellë prefektin e Ohrit dhe kolonelin. Disa nga gratë propozuan që të bënin një shëtitje në liqen. Rreth orës 14 e 30 minuta, të gjithë u vendosën tek kabina e motovarkës, gjithësej 9 persona. U nisën drejt burimeve të Drinit dhe ishin larguar reth 100 m nga bregu, kur papritur drejtuesi i motovarkës merr një kthesë të papritur, duke hedhur në ujin e liqenit pasagjerët, rreth 6 m larg varkës, e cila ishte anuar. Të parët që ranë në ujë ishin doktor Aristidhi dhe doktor Zografi, të cilët po ngjiteshin në motovarkë, kur vijnë klithma nga të tjerët, që mundoheshin me not t’i afroheshin skafit, por, për fat të keq, asnjëri prej tyre nuk dinte not mirë. Paniku ishte i madh, klithma dhe tmerr. Njerëzit e manastirit me telefon kërkuan ndihmë nga Pogradeci dhe nga Ohri. Nga të gjithë personat që ishin në motovarkë, me not doli vetëm prefekti i Ohrit, i cili, sapo doli në breg, hoqi rrobat dhe u fut sërish në ujë për të shpëtuar konsullin sërb të Korçës, i cili doli me anën e një kamardareje emergjence, që kishte motovarka. Ndërkohë, këmbanat e manastirit binin papushim. Konsulli sërb rifutet në liqen për të shpëtuar gruan e sekretarit të konsullatës sërbe, por, sapo i afrohet asaj, tërhiqet poshtë nga sekretari i konsullatës sërbe, kështu që ata ngelën të tre në fund të liqenit. Tashmë, në sipërfaqen e liqenit mungonin edhe Niko Polena, e fejuara e tij Julia Fundo dhe koloneli sërb e konsulli grek. Pas 20 minutash iu vjen në ndihmë një barkë nga Shën Naumi, por ishte tepër vonë. Ndërkohë, që nga Pogradeci vjen një skaf në ndihmë, por gjithçka kishte mbaruar. Bilanci ishte tejet tragjik: 9 persona të mbytur.
Konsulli grek Jean dhe zonja e tij Llazarou, Niko Polena dhe e fejuara e tij Julia Fundo, Margarita e Gaqo Turtulli, zonja e sekretarit të konsullatës sërbe të Korçës, prefekti i Ohrit, si dhe koloneli i ushtrisë sërbe e një marinar i motovarkës humbën jetën në ujrat e liqenit në këtë tragjedi.Rreth ngjarjes tragjike jugosllavët nuk zhvilluan asnjë ekspertizë, por shumë indinjues ishte fakti që të mbyturit shqiptarë u lanë jashtë, në anën e bregut të liqenit, në rërë, ndërsa ata sërbe dhe grekë u futën në një nga dhomat e manastirit. Nga ana tjetër, autoritetet jugosllave e fshehën përgjegjësinë dhe e hoqën gjatë natës motovarkën e prishur nga vendngjaria.
TRAGJEDIA E SHOKËVE TË KLASËS
Ata ishin katër shokë klase, që kishin qënë bashkë që në gjimnaz dhe kishin profesione të ndryshme. Mjeku Gjergji Topalli, që në fëmijëri kishte hobi gjuetinë e peshkut dhe enkas kishte ndërtuar një varkë për të gjuajtur peshk. Ai takon paraditen e 27 prillit të vitit 1993 tre shokët e klasës së gjimnazit, inxhinierin e ndërtimit Koço Ruvina, doganierin Qazim Zgjani dhe inxhinierin Nuçi Icka. Pasi pinë një kafe, Gjergji iu bën ftesë për të parë varkën e tij të sapondërtuar, që e kishte ankoruar pranë Hotel Turizmit. Vendosën që të futen pasdreke në liqen për gjueti korani, më tepër për t’u argëtuar. Por në orët e mbasdites, kur kanë qënë në drejtim të fshatit Hudënisht, varka ka filluar të futë ujë dhe, me gjithë thirrjet e tyre në drejtim të bregut, janë mbytur në liqen mjeku Gjergji Topalli, baba i dy vajzave të vogla atëhere, ishte 30 vjeç, Koço Ruvina inxhinier i urbanistikës së qytetit që kishte gjithashtu dy fëmijë të vegjël dhe Qazim Zgjani, i pamartuar. Të nesërmën është gjetur mbi bazamentin e varkës të kthyer përmbys vetëm ing. Nuçi Icka, në mes të liqenit, i traumatizuar dhe i ngrirë, por pa asnjë pasojë. Ai nuk tregon asnjë fjalë rreth asaj tragjedie, përveç shpjegimeve që ka dhënë në prokurori, të cilat nuk janë bërë publike. Megjithë interesimin e familjarëve të personave të mbytur, ai nuk ka treguar asgjë.
Por tragjedia mori përpjestime më të mëdha, pasi trupat e tyre nuk u gjendën në liqen dhe vetëm pas një muaji Bashkia e qytetit organizoi një përkujtimore, duke hedhur tufa lulesh në liqen. Ata ngelën pa një varr. Vetëm pas disa mujas, në breg të liqenit u gjend një xhaketë e njërit prej të mbyturve.
Dhe tragjedia vazhdon pas dy vjetesh, kur një mësues historie, Kozma Burnazi, kishte dalë për gjueti. Edhe ai u mbyt në liqen aksidentalisht edhe trupi i tij nuk u gjet.
MISTERI I DY DJEMVE TË LINIT
Erion Bice, student në Ekonomik në Elbasan dhe gjimnazisti Klarent Qyshko, mbytjen e tyre e kanë të veshur vërtet me një mister, që i kalon përmasat e një tragjedie. Erion Bice dhe varka e tij me jastëkë ajri anash dhe motorë të fuqishëm e konstruksion metalik kishte dhënë prova se nuk mund të mbytej. Vetëm disa muaj para aksidentit, në vjeshtën e vitit 2000, kur ata u deklaruan nga policia se janë mbytur, Erion Bicja në ujrat teritoriale ndiqet nga një skaf i policisë maqedonase që patrullonte në liqen, madje edhe i hapin zjarr në muajin prill të vitit 2000, por Erioni ia lidh timonin varkës në drejtim të bregut të fshatit Lin dhe e lëshon me motor të ndezur, ndërsa vetë hidhet në liqen dhe del me not, duke notuar në një distancë të gjatë, ndonëse uji i liqenit në muajin prill ishte shumë i ftohtë.
Ky person, Erion Bice, vetëm pas pak muaj më pas, në vjeshtën e po atij viti, sëbashku me gjimnazistin Klarent Qyshko, zhduket në mesnatë në liqen, duke gjuajtur peshk. Atë natë, thonë banorët e fshatit Lin, kishte të shtëna në liqen dhe është mbytur duke shkuar në drejtim të fshatit Lin një maqedonas - Mile quhej - që iu merrte në liqen vendasve peshk koran. Takimi bëhej natën në mes të ujrave teritoriale, tek shenja e kufirit midis dy shteteve. Milen, sapo mori peshkun në varkën e tij - kishte marrë një sasi shumë të madhe, rreth 3 kuintalë, thonë peshkatarët e Linit - e ze një dallgë e madhe dhe ai njofton për ndihmë në Strugë miqtë e tij se po mbytej. Pas pak, vjen skafi i policisë maqedonase, por ai ishte mbytur. Ndërkohë, atë natë pranë maqedonasit Mile kanë qenë duke gjuajtur peshk Erion Bice dhe Klarent Qyshko. Banorët kanë dëgjuar të shtëna.
Babai i Klarent Qyshkos, Gaqoja, thotë se e ka kërkuar djalin e tij përgjatë gjithë bregut, por nuk ka parë asnjë shenjë të dyshimtë apo ndonjë send, madje edhe nga policia maqedonase nuk ka patur një përgjigje zyrtare. Ndonëse po kalojnë tetë vjet, prindërit e tyre nuk binden se fëmijët e tyre janë mbytur në liqen.
NJË KAFKË NJERIU NË RRJETAT E PESHKATAREVE
Në 24 shtator të vitit 2003 disa peshkatarë pogradecarë, gjatë mbledhjes së rrjetave të peshkimit në liqen, midis peshqve të kapur, gjetën edhe një kafkë njeriu, e cila kishte vetëm pak flokë në pjesën e pasme dhe të cilës i mungonte nofulla e sipërme e krahut të djathtë. Tek të gjitha familjet që kishin humbur të afërmit në liqen u krijua një ankth i paparë, madje një pjesë prej tyre kërkuan me ngulm indentifikimin e saj. Të paktën, ta dinin se kush ishte dhe të kishin një varr ku ta qanin. Por policia kriminale nuk mundi të indentifikojë kafkën me anën e fotove në kompjuter, pasi mungonin nofullat dhe ADN-ja nëpërmjet flokëve nuk iu bë, pasi kushtonte shumë. Kështu, kafka ngeli në frigoriferët e kriminalistikës në Tiranë. Por, përveç personave të mbytur aksidentalisht në liqen, ka patur një rast, në vitet ’80, kur liqeni ka nxjerrë pjesë trupi të dy personave, njëri nga fshati Potgorie, i cili punonte në Pogradec dhe një i ri nga qyteti i Pogradecit, që ende nuk janë zbuluar. Megjithatë, kafka solli shumë pështjellime në familjet që kanë patur tragjedi në liqenin e Pogradecit
VARKAT NË DIKTATURË, EDHE PËR ARRATISJE
Por varkat në kohën e diktaturës komuniste janë përdorur edhe për arratisje drejt shtetit fqinj nëpërmjet liqenit. Kuptohet, në vitet e diktaturës varkat ishin jo vetëm në inventar dhe vetëm për ndërmarrjen e peshkimit, por edhe ruheshin tek moli i qytetit nga policia. Por, më 3 korrik të vitit 1975, ishin 16 persona të familjes Fejzollari, që i bënë një sfidë diktaturës komuniste, pikërisht në atë kohë, kur ishte me pushime Enver Hoxha në këtë qytet. Ata u arratisën me një varkë primitive nëpërmjet liqenit dhe sot varka ndodhet në muzeun e Shkupit, ku ruhet si relike e veçantë, me që me të është realizuar një nga arratisjet më të mëdha me varkë primitive. Me të kaluan kufirin edhe dy fëmijë të vegjël, 6-muajsh dhe 3-vjeç, por edhe një plakë e moshuar, nënë Kushja, me djemtë e saj, nuset dhe fëmijët e tyre.
RRETH 1.200 VARKA GJUAJNË BARBARISHT
Sot numri i varkave ka arritur shifra marramendëse. Vetëm në qytetin e Pogradecit janë mbi 600 varka dhe po kaq edhe në fshatrat Hudënisht dhe Lin, të cilat përdoren për gjuetinë e peshkut. Sot liqeni shfrytëzohet barbarisht dhe pa kriter, duke dëmtuar rëndë peshkun, duke e gjuajtur atë edhe në kohën e shumimit.
Pas ardhjes së demokracisë, shumë minatorë që ngelën pa punë pas mbylljes së dy minierave të mëdha, asaj të hekur-nikelit dhe asaj të qymyrit, për mbijetesë blenë varka dhe ushtronin profesionin e peshkatarit pa licensë. Peshku koran dhe belushka gjuhen barbarisht edhe në kohën e shumëzimit, çka sjell dëme të pallogaritshme.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)