Mbillen 3000 rrënjë fidanë në Prush, Veliaj: Periferia është fokusi i këtij mandati; Jeta ndahet në ata që bëjnë punë dhe në ata që bëjnë si bretkosat në liqen

Fushata e mbjelljes së pemëve vijon në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Toni Gogu, iu bashkuan aksionit të mbjelljes së 3000 fidanëve të rinj në Liqenin e Prushit, bashkë me tur-operatorët që operojnë në kryeqytet dhe drejtues të federatave sportive që shfrytëzojnë periferinë për aktivitete ‘outdor’.

Veliaj tha se pemët që mbillen sot janë pajë për qytetin dhe fëmijët, teksa kërkoi nga komuniteti i zonës të mirëmbajë këtë investim të rëndësishëm.

“Siç kemi bërë gjithë ato transformime urbane në Tiranë, ëndrra ime është që ta mbyllim këtë punë në Bashkinë e Tiranës duke transformuar edhe pjesën rurale, me natyrën, pyjet dhe parqet. Nëse do arrijmë të tregojmë se kemi ndryshuar edhe natyrën, parqet, kemi mbjellë pemë, kemi shtuar pëllëmbët e gjelbërimit, ashtu siç kemi bërë transformimin e Tiranës, atëherë do të jetë misioni i përmbushur. Për të gjithë besimtarët kjo është edhe fundjava e Pashkës, ndaj shpresoj shumë që edhe simboli i mbjelljes së jetës dhe kujtesa e ringjalljes së Krishtit, ndoshta të bëhet me mbjelljen e një peme. Ftoj të gjithë besimtarët që, teksa thyejnë vezët, të hapin edhe tokën për të mbjellë një pemë, për të mbjellë një jetë. Për të gjithë besimtarët myslimanë do të kemi përgatitjet për faljen e Bajramit. Sheshi “Skënderbej” do të jetë në dispozicion me parkingun falas, që të sigurohemi që një vend i mirë ta tregojë çdo ditë që ka vend për të gjithë. Ama, të gjithë duhet t’i japim diçka mbrapsht këtij vendi të mirë, qoftë një fidan, një pemë, dashuri apo një përqafim”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ekonomia pyjore duhet të shikohet me syrin e një ekonomie të mirëfilltë për komunitetin e zonës. Sipas tij, të gjitha parqet zonale që janë rikuperuar falë mbjelljes së pemëve të reja, duhen mirëmbajtur dhe mbrojtur.

“Në qoftë se shkollat dhe komuniteti e kuptojnë që nga këta fidanë prodhohen para dhe ato fidanë të Bashkisë së Tiranës, në pjesën e Liqenit që u dyfishuan pas rikuperimit që u bë me ndërtimet pa leje, kanë prodhuar aktivitete dhe financa pa fund nga kompani, shoqata të ndryshme, nga rrethe të ndryshme turistike dhe sportive, do doja ta shikonim ekonominë pyjore si një ekonomi të mirëfilltë për komunitetin. Ftesa është që edhe administratorja dhe gjithë komuniteti i shkollave në Vaqarr, në Pezë, në Ndroq - kur mendoj se i bëmë 4 shkolla të reja në Pezë - do ishte mëkat i madh që nga 4 shkolla supermoderne, ne të vazhdonim me një mentalitet të vjetër”, tha kryebashkiaku.

Në fund, ai tha se ata që flasin dhe nxjerrin vrer për çdo punë të bërë në qytet, vetë nuk bëjnë asgjë.

“Dëgjoj kontrastin e bretkosave në liqen, edhe në fakt ky është edhe kontrasti i jetës sonë të përditshme. Jeta jonë e përditshme ndahet në ata që bëjnë punë dhe në ata që, si bretkosat ‘kuak-kuak-kuak’, japin mendim për gjithçka. Është shumë kollaj të japësh mendim, por bretkosa nuk i mbolli këto pemë, e sado që ajo kënga thotë “ec bretkose, ec”, bretkosa nuk mbjell dot pemë. Bretkosa rri në Facebook dhe komenton, rri nëpër tavolina analistësh, zgjohet vonë, nuk ka ndonjë kontribut real, por vetëm merr nëpër gojë dynjanë. Ndërkohë, njeriu që është punëtor, e menaxhon punën e tij, biznesin e tij, detyrën e tij, shërbesën e tij, por përtej asaj bën edhe diçka për komunitetin”, përfundoi Veliaj.

G.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë