Me mbi 350 mijë rrënjë ullinj, Kurjani i Roskovecit është një ndër zonat më prodhuese në vend.

Fermerët thonë se, prodhimi eshte i larte, por mungesa e tregut i ka vendosur në udhëkryq. Tonelata vaj ulliri kanë mbetur pa u shitur në banesat e tyre.

“Kemi të vjeçmin, një ton vaj, plus sivjet i kemi plot", tha Bashkim Vengo, fermer.

Aktualisht, një litër vaj ulliri kushton 500 lekë. Çmim tepër i ulët për të përballuar kostot e prodhimit.

“Treg nuk ka fare, fare, fare. Ulliri ka shpenzime. 700 rrënjë ullinj 7 milionë lekë i duan. 10 mijë lekë rrënja i duan. Freza, spërkatje, krasitje, të gjitha. Në rast se nuk ndërhyn shteti këtu, mbaroi çdo gjë", tha Astrit Abedini, prodhues.

Markimi i vajit është i pamundur, pasi fabrikat nuk plotësojnë standardet. Për këtë arsye, prodhuesit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit.

“Ka nevojë për ndihmën e shtetit, domethënë ndihmën në kuptimin financiar, një kredi të butë... Kemi nevojë për kapacitet magazinimi", shprehet Armand Kuka, prodhues.

E njëjta situatë dhe në Dushk të Lushnjës ku fermerët bëjne thirrje bashkisë dhe Ministrisë së Bujqësisë që të ndihmojnë në markimin e produktit.

“Është vaj nga ullinj të plehëruar vetëm me pleh organik. Cilësia është shumë e mirë. Prodhimi sivjet është i mbarë, po problem është tregu. S’po gjejmë treg për të shitur", thekson Vladimir Baze, fermer në Dushk.

Sakaq, prodhuesi Asqeri Hoxha e ka vajin e ullirit të certifikuar dhe e tregton ne Poloni, Hungaria e Italia por serish ndeshet ne barriera burokratike. Kerkon qe te zgjerohet eksporti, pasi Shqipëria nuk konsumon as 30% të vajit që prodhon.

Sipas INSTAT-it, një vit më parë Shqipëria prodhoi rreth 35 mijë e 600 tonë vaj ulliri. Prodhimi i lartë vihet re kete sezon, por fermerët vijojnë të përballen me vështirësi për të siguruar tregun e shitjes.