MANASTIR - Qyteti i Manastirit në Maqedoni, i emertuar edhe si Bitola, është zgjuar këto ditë me grafite dhe kryqe raciste dhe antishqiptare, transmeton INA.

Parullat antishqiptare janë shkruar pikërisht në godinën e Shtëpisë së Kongresit të Alfabetit, por edhe në pjesën qendrore të qytetit.

“Maqedonia e maqedonasve”, “Maqedonia mbi të gjithë”, “Stop Islamizimit” si dhe parulla të tjera antishqiptare kanë shqetësuar qytetarët e Manastirit.

Punonjësit e Muzeut të Alfabetit menjëherë dje kanë ndërhyrë dhe kanë fshirë grafitet e vendosur në godinën e tyre.

Lidhur me situatën e krijuar dhe frymën e tillë raciste dhe antifetare në Manastir nga qarqe të caktuara ka reaguar myftiu i Manastirit, Pëllumb Veliu.

“Shpesh po ndodh shkrimi i parullave kundër popullatës myslimane dhe vizatohen kryqe edhe nëpër xhami. Ne deri tani vazhdimisht kemi reaguar tek policia për të gjetur autorët e këtyre veprimeve. Ne po këshillojmë vazhdimisht besimtarët tonë për të mos ndjekur veprimet e tilla, sepse në këtë situatë kemi provokime”, theksoi Pëllumb Veliu. (INA)

maqedonia
(Në foto: Një nga mbishkrimet e gjetura sot).

Redaksia Online
(mag/a.c./shqiptarja.com)