Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Mitrovicë Veriore dhe në Zveçan, persona të identifikuar kanë shkruar në mure dhe në tabela mbishkrime me ngjyrë të kuqe emrin e grupit rus “Wagner”. Lidhur me këtë rast, autoritetet kosovare kanë njoftuar nisjen e një hetimi.
Mbishkrimet janë cilësuar si “nxitje e urrejtjes dhe përçarjes ndëretnik”. Aktualisht nuk ka ende asnjë person të ndaluar, ndërkohë që hetimet vijojnë.
“Nxitje e urrejtjes dhe përqarjes ndëretnike - Mitrovicë Veri 22.01.2023 – NN. Është raportuar se në mure të objekteve nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime me ngjyrë të kuqe "Wagner". Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar.
Zveçan 22/23.01.2023 – NN. Është raportuar se në në tabelat e komunikacionit nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime "Wagner". Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Një muaj më parë gjatë situatës së tensione ne veri të Kosovës dh barrikadave, u shfaqën simbolet “Z”, që është përdorur dhe karakterizon agresionin rus në Ukrainë. Simboli “Z” është vendosur në mure, tanke, bluza e shume vende të tjera, si shenjë për të treguar luftën e Rusisë në Ukrainë.
Më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha për një gazetë holandeze se barrikadat në veri ishin të nxitura nga Serbia dhe se gjatë vendosjes së tyre, grupi famëkeq i merenarëve rusë ‘Wanger’ ka qenë në komunat me shumicë serbe dhe shtoi se për këtë kishte edhe prova me foto që tashmë i janë dërguar prokurorisë për t’i hetuar.