Të ndarë për 'Open Balkan'? Rama: Jemi si shqiponja, shikimin në kënde të ndryshme, por jemi në 1 trup! Një ditë do të bashkohemi në një 'kokë'

"Jemi si 2 koka e shqiponjës, që shikojnë në kënde të ndryshme, por janë në një trup të vetëm dhe trupi i mban e nuk lejon që të kapet në befasi". Kështu zgjodhi Kryeministri Rama t'i përgjigjej diferencave të thella me Albin Kurtin e Kosovës për projektin 'Ballkani i Hapur'.

Për Kryeministrin mendimi i Shqipërisë lidhur me Kosovën dhe Serbinë nuk është as sekret, as i panjohur. "Është i njëjti mendim që unë e kam shprehur që në krye të herës, edhe në mes të Beogradit, kështu që nuk ka ndryshuar. Në këtë pikë nuk ka asnjë dilemë", përsëriti ai, duke nënvizuar se fakti që ka 2 qëndrime të ndryshme dhe të gjithë të mësohen me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat.

Në konfercën e përbashkët për shtyp pas mbledhjes së 2 qeverive Shqipëri-Kosovë, Rama e tha hapur edhe një qëndrim të tijin për të ardhmen e 2 shteteve të një kombi.

"Një ditë Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, nuk di se si dhe se kur por kjo do të ndodhë", tha Rama.

Ndërkohë që Albin Kurti pranoi që në zbatimin e marrëveshjeve ndër vite mes Kosovës dhe Shqipërisë ka pasur ngecje, por kjo nuk i dekurajon në punën e tyre të përbashkët. Sipas Kurtit ato do të punojnë edhe më tej për të zbatuar dhe realizuar në mënyrë konkrete marrëveshjet.

Në hyrje të konferencës për shtyp kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se do të krijohet një manual i ri i përbashkët për procedurat standarde në Portin e Durrësit. Po ashtu kreu i qeverisë theksoi sërish se në kufi do të krijohet një sistem alternativ me kamera në kufi, për kontrollin e makinave pa ndaluar.

"Më në fund,-tha ai, është dakordësuar krijimi i një regjimi të ri doganor, në kufi duke pasur parasysh të mos krijohen radha për shkak të kontrolleve të dyfishta. Duam të krijomë sa më shumë hapësira të përbashkëta të shërbimeve konsullore. Të racinalizojmë shpenzimet", tha ndër të tjera ai.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:39
Tregu i përbashkët, Rama: Marrëdhëniet me Kosovën shkojnë përtej, është një proces me shumë akte

Kryeministri Edi Rama tha se tregu i përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës është një proces në shumë akte dhe se kjo do të garantojë lëvizjen e lirë, të njerëzve, mallrave, kapitaleve e shërbimeve.

‘'Treg i përbashkët është një proces dhe nuk është një akt. Do të thotë që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve mallrave kapitale dhe shërbimeve. Korniza finale është që lëvizja nga pika A në pikën B, nga cilado pika A në Shqipëri dhe cilado pikë B në Kosovë dhe kjo vlen për të gjithë rajonin të jetë një lëvizje e pandërprerë. Pavarësisht se ti kalon nga një shtet në një shtet tjetër nga pikëpamja praktike ti nuk sheh ndryshim. Sa i përket lejeve të qëndrimit ishte një absurd total dhe të gjitha sot janë hequr. Ministria e Brendshme ka lënë një 5-vjeçar se kjo duhet, po nuk pengon. Pra të gjitha këto çojnë atje ku çdo ndërveprim nuk ka më kufi, as kufi fizik dhe as kufi burokratik. Në rastin me Kosovën ne nuk kemi vetëm një marrëdhënie që është domosdoshmërisht e natyrës ekonomike dhe sociale , por është shumë më e thellë sepse është marrëdhënie identitare dhe në këtë aspekt kemi një sërë elementësh të tjerë të bashkëpunimit, dhe abetarja e unifikuar menjëherë gjen dakordësi dhe bëhet edhe projekt i Kosovës sepse marrëdhënia jonë shkon përtej tregut të përbashkët’,- tha Rama.

Ora 12:33
Ballkani i Hapur/ Rama: Kemi qasje të ndryshme, por sërish qëndrojmë si shqiponjë me dy koka, por trup të unifikuar! Askush s'na kap në befasi

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë dhe forcojnë marrëdhëniet edhe pse Albin Kurti ka qasje tjetër me nismën Ballkani i Hapur. Ai tha se edhe shqiponja ka dy koka që shikon në 360 gradë por kanë një trup të përbashkët dhe nuk lejon kurrë të kapet në befasi nga të tjerët.

"Tani, mendimi i Shqipërisë, mendimi i kësaj qeverie, mendimi im lidhur me Kosovën dhe Serbinë nuk është as sekret, as i panjohur. Është i njëjti mendim që unë e kam shprehur që në krye të herës, edhe në mes të Beogradit, kështu që nuk ka ndryshuar. Në këtë pikë nuk ka asnjë dilemë.Për sa i përket Ballkanit të Hapur, kemi sigurisht dy qasje, qëndrime, opinione të ndryshme, por nga ana tjetër duhet edhe ju, edhe të gjithë të mësohen me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat për të bërë sëbashku gjërat e duhura në funksion të të ardhmes së dy vendeve tona.Kështu që mendoj që këto opinione të ndryshme, në raport me Ballkanin e Hapur, nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse do më lejoni t’i referohem Shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm, ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër sheh nga ana tjetër, por trupi qëndron drejtë, që do të thotë se shqiponja është krejtësisht e informuar vizualisht në 360 gradë. Prandaj, mos kini asnjë dyshim se Shqiponja me dy koka rrezikohet që të kapet në befasi nga njëra anë apo nga ana tjetër, pasi i kontrollon me sy të dyja anët.Asnjë shqetësim për këtë dhe mendoj që është një vlerë e shtuar në këtë rast, në këtë periudhë të historisë sonë, që jemi shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sa sot që nuk e kemi këtë luks e nuk e kemi as këtë qëllim. Kështu që, unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, jam optimist për këndvështrimin strategjik, por edhe për angazhimin që kemi vendosur bashkërisht, në funksion të këtij këndvështrimi për sa i përket marrëdhënieve tona. Për Ballkanin e hapur është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që të gjitha debatet mes meje dhe Albinit të jenë të mbyllura. Se pastaj i bie që ne të ndryshojmë emrat e të mos jemi ata që jemi, është fiziologjia e një marrëdhënieje mes njerëzish që nuk rrinë dot pa menduar dhe e kanë problem po të mendojnë njësoj për të gjitha gjërat", tha Rama.

Ora 12:33
Rama: Shqipëria dhe Kosova do bashkohen një ditë, se di si apo kur! Kush provokohet nga kjo gjë, po i them se hodha fall

Kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se bashkimi Shqipëri-Kosovë do të ndodh një ditë, o ai nuk e di se  kur dhe si. Rama pati edhe një përgjigje për reagimet që do vijnë pas deklaratës së tij duke thënë se le ta quajnë si një provokim nga një fallxhor dhe jo nga një politikan.

Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, unë do bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës dhe do votoja hapur pro, që të jemi të qartë. Në rast se më pyesni a do ndodhë kjo apo jo, meqë ju më provokoni, po iu provokoj dhe unë, unë them që kjo do ndodhë. Unë nuk di kur do ndodhë, si do ndodhë sot, por që kjo do ndodhë një ditë, unë them po. Atyre që mund ta marrin këtë dhe mund të dalin dhe të bërtasin për “Shqipërinë e Madhe” është që fallxhorët nuk gjykohen, sepse është një fall. Meqë ju po më pyesni, të hedhim fall dhe nëse unë do hidhja fall, po e hedh me imagjinatë në këtë rast, se unë nuk shoh filxhan, unë them që kjo do ndodhë. Se kur do ndodhë, se si do ndodhë këtë unë nuk e di.

-Pa fall mund të ndodhë?

Kryeministri Edi Rama: Unë fallën e futa në mes për përkthyesit dhe ata që do bëjnë deklarata pas kësaj që “U takuan në Elbasan, do digjet Ballkani, duhet të ngrihet bota se po na sulmojnë shqiptarët”. Për këta e kisha, që kështu më ndihmoni dhe ju që të thoni që “Foli zëri i fallxhorit dhe jo zëri i politikanit dhe i kryeministrit të përgjegjshëm”. Meqë më provokoi Klani i Kosovës, Klani i Shqipërisë provokoi Albinin. Unë iu përgjigja provokimit me provokim. ", tha Rama

Edhe Albin Kurti tha se "Kur flitet për bashkimin e shqiptarëve nuk mund të vendosim ne mbi procese historike dhe të përcaktojmë data dhe mënyra.

Ora 12:27
Vonesa në zbatimin e marrëveshjeve, Kurti: Ka pasur ngecje, po këto na shtojnë zellin për të punuar më tepër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pranoi që në zbatimin e marrëveshjeve ndër vite mes Kosovës dhe Shqipërisë ka pasur ngecje, por kjo nuk i dekurajon në punën e tyre të përbashkët. Sipas Kurtit ato do të punojnë edhe më tej për të zbatuar dhe realizuar në mënyrë konkrete marrëveshjet.

‘Së pari nuk e vej në dyshim që edhe pararendësit e mi e kanë qenë të kënaqur në mbledhjet që janë mbajtur. Jam evidente që kanë pasur ngecje. Por ngecjet na entuziazmojnë e na shtojnë zellin për të punuar. Unë besoj që kjo mbledhje është sigurisht mbledhja e 7, por në të njëjtën kohë është me një koordinator të përbashkët, e besojmë se ai ka meritat për zbatimin e dakordësimeve tona. Do kërkoj që stafi të jetë më aktiv edhe në fushën virtuale sociale, por edhe në punën aktive reale. Nuk Unë jam shumë optimist për çfarë do të bëjmë këtë vit, vitin e ardhshëm do të shihet interesat e vullneti i qytetarëve është shndërruar në përgjegjësi. Do kemi kritika për më shumë punë, por jo pesimizëm për dështimet.’- tha Kurti.

Ora 12:24
Nuk po zbatohen marrëveshjet, Rama batutë gazetares: Unë mund të pi ujë me gotën gjysmë plot, po ju me gotën gjysmë bosh?

 

I pyetur se çfarë po bëhet për mos zbatimin e marrëveshjeve të firmosura më herët Shqipëri-Kosovë, Rama e pranoi se nuk ka qenë i njëjti sukses në zbatim për çdo marrëveshje, ndaj është vendosur edhe krijimi i sekretariatit ndërkoordinues.  

Në fund Rama pati edhe një batutë me gazetaren: "Puna juaj që ta shihni gotën gjysmë bosh dhe puna ime që ta shoh gotën gjysmë plot. Puna është se nga gjysma plot pihet ujë ndërsa nga gjysma bosh..."

 

Ora 12:21
Kurti: Fati ynë i përbashkët në BE! Marrëveshjet t'i përkthejmë në projekte konkrete

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e ardhmja e dy vendeve është në BE dhe se marrëveshjet e firmosura të përkthehen në projekte konkrete dhe shtim të tregjeve dhe shkëmbimeve tregtare.

" Ne po mbjellim bashkë dhe do na duhet shumë diell dhe shumë shi për frytet që duhet t'i gëzojnë qytetarët tanë në të dy anën e kufirit. jam i nderuar me mbledhjen e 7 të përbashkët mes dy qeverive tona. Do rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazi dhe mirëqenie. Marrëveshja do të shoqërohet me cilësi në zbatimin e tyre dhe janë me rëndësi ekonomike e kulturore dhe historike. Marrëveshjet janë në horizontin tonë të integrimit në BE që është fati ynë.  Marrëveshja ti përkthejmë në projekte konkrete ku do të diskutohen dhe me biznesin Shqipëri-Kosovë. Të shtojmë tregjet dhe kapacitete tona në tregti dhe shkëmbimet tregtare", tha Kurti.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter do të varroset më 9 janar 2025

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter do të varroset më 9 janar 2025