Nga mbledhja e jashtëzakonshme e gjyqtarëve për ngërcin e pagave në drejtësi, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se mosveprimi i Kuvendit për formulën e re të pagave nuk mund t’i japë qeverisë të drejtën të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi se vendimet përfundimtare mund të kritikohen apo të mos pëlqehen, por duhet të zbatohen.
"Ndarja e pushteteve nuk është ndarja e shtetit në kampe kundërshtare, por është mënyra se si demokracia e shpërndan pushtetin, që askush të mos e ketë të gjithin. Marrëdhënia ndërmjet pushteteve nuk mund të ndërtohet mbi epërsi, nënshtrim apo mosbesim, por mbi respektin reciprok të kompetencave kushtetuese. Secili duhet të jetë i fortë brenda kufijve të tij: Kuvendi në ligjvënie, ekzekutivi në qeverisje dhe gjyqësori në dhënien e drejtësisë, i pavarur nga çdo ndërhyrje. Asnjëri nuk është mbi tjetrin dhe asnjëri nuk është nën tjetrin. Të gjithë janë nën Kushtetutën.
Këtu qëndron dallimi ndërmjet konfliktit politik dhe kontrollit kushtetues. Një vendim gjyqësor mund të mos pëlqehet, të kritikohet, madje të konsiderohet i gabuar. Ndërkohë, kur ai është përfundimtar, nuk është një propozim, që zbatohet vetëm nëse pushteti tjetër bindet për drejtësinë e tij. Prej atij çasti nuk diskutohet më nëse pajtohemi me të, por diskutohet vetëm se si do të zbatohet.
Mosveprimi i Kuvendit nuk mund t'i japë ekzekutivit të drejtën të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe, fuqia e vendimit do të varej nga vullneti i organit, që duhet ta zbatojë. Në një shtet të së drejtës ndodh e kundërta. Organi shtetëror i nënshtrohet vendimit, jo vendimi vullnetit të organit shtetëror.
Mënyra se si institucionet sillen përballë një vendimi të tillë tregon nivelin real të kulturës sonë kushtetuese dhe evropiane. Shqipëria kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por integrimi nuk është vetëm proces ligjor apo destinacion politik. Para së gjithash, është kulturë institucionale: respekt për shtetin e së drejtës, vendimet e gjykatave, ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Nuk mjafton të përafrojmë ligjet, sepse duhet të përafrojmë edhe mënyrën se si institucionet i kuptojnë dhe i respektojnë kufijtë e tyre. Mentaliteti evropian provohet pikërisht, kur një vendim zbatohet edhe pse nuk pëlqehet. Shteti i së drejtës nuk matet me gatishmërinë për të zbatuar vendimet që na leverdisin, por me bindjen ndaj Kushtetutës, kur zbatimi është i vështirë. Ligjet evropiane, pa kulturë institucionale evropiane, nuk mjaftojnë.
E njëjta kulturë duhet të reflektohet në mënyrën si flasim për drejtësinë. Kritika ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është legjitime. Asnjë gjyqtar dhe asnjë gjykatë nuk është mbi kritikën, por ndërmjet kritikës dhe denigrimit ka një kufi që nuk duhet fshirë. Shteti i së drejtës nuk ndërtohet duke e dobësuar apo anatemuar drejtësinë. Kush mendon se një gjyqësor më i dobët i shërben interesit të çastit, duhet të kujtojë se nesër mund të ketë nevojë për një gjyqtar të fortë, të paanshëm dhe të pavarur nga qeveria, parlamenti, media dhe presioni i opinionit publik. Pikërisht këtë gjyqtar duhet të mbrojmë sot", tha Sadushi.
Lajmi kryesor:
Ngërçi me pagat/ Sadushi: Nuk po negociojmë çmimin, qeveria s’mund të zvogëlojë pagën që buron nga vendimi i Kushtetueses (VIDEO)









