Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi kërkoi zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të administratës gjyqësore, duke theksuar se punonjësit nuk mund të mbajnë pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e kanë krijuar. 

"Kjo situatë ka edhe një dimension të drejtpërdrejtë njerëzor. Administrata gjyqësore është pa paga. Sekretarë gjyqësorë, kancelarë, nëpunës dhe punonjës të gjykatave, njerëzit që çdo mëngjes hapin dyert e gjykatave dhe bëjnë të mundur që sistemi të funksionojë, janë lënë pa të ardhurën me të cilën mbajnë familjet e tyre. Ata nuk kanë marrë asnjë vendim për këtë çështje dhe nuk janë palë në asnjë mosmarrëveshje ndërinstitucionale. Pasojat nuk mund të shkarkohen mbi ta.

Administrata gjyqësore nuk mund të mbajë pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e ka krijuar. Nëse shteti ka një mosmarrëveshje juridike, ai ka institucione dhe mjete juridike për ta zgjidhur, por nuk mund ta zgjidhë mbi ekonominë familjare të njerëzve, që mbajnë gjykatat në funksion.

Dua t’u drejtohem sot posaçërisht atyre. Ju nuk jeni pjesa e harruar e sistemit të drejtësisë. Jeni pjesë e domosdoshme e tij. E dimë se çfarë do të thotë për një familje të mbetet pa pagë: detyrime dhe kredi që nuk presin, shpenzime të përditshme dhe nevoja të fëmijëve. Kjo është edhe më e ndjeshme në fillim të vitit të ri shkollor. Për ju, paga nuk është formulë juridike apo zë buxhetor. Ajo është siguria e përditshme e familjes.

Ju nuk mund dhe nuk duhet të mbani mbi familjet tuaja koston e një situate, që nuk e keni krijuar. Respekti për pavarësinë e gjyqësorit fillon edhe nga respekti për njerëzit, që e bëjnë atë të funksionojë. Prandaj, zhbllokimi i menjëhershëm i pagave të administratës gjyqësore nuk është çështje negociate, por është detyrim njerëzor, institucional dhe shtetëror", u shpreh Sadushi. 


Lajmi kryesor:

Ngërçi me pagat/ Sadushi: Nuk po negociojmë çmimin, qeveria s’mund të zvogëlojë pagën që buron nga vendimi i Kushtetueses (VIDEO)