NJU JORK - Disa nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk e kanë ndryshuar mendimin sa i përket mënyrës së trajtimit të serbëve në Kosovë. Ndërsa SHBA-të, Franca, Britania vlerësuan në mbledhjen e së premtes përpjekjet që po bëhen, Kina dhe Rusia nuk kanë ngurruar së akuzuari ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tyre, nuk po bëjnë asgjë për sigurinë e serbëve, shkruajnë mediat kosovare.

Përfaqësuesi i Kinës shprehu shqetësimin për zbardhjen e trafikimit të organeve në Kosovë.

Ndërkohë Përfaqësuesi i Francës ka thënë se e përshëndet përparimin e arritur në dialog, duke kërkuar më pas nga Serbia heqjen e strukturave paralele. Ndërsa Kosovës i ka kërkuar që të respektojë multietnicitetin dhe t’u ofrojë serbëve të kësaj pjese një lloj autonomie.

Ndërsa përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se të dyja palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Përfaqësuesi i Rusisë ka kërkuar që në Kosovë të vendoset sipas rezolutës së Kombeve të Bashkuara dhe se për çdo ndryshim të mundshëm fjalën e fundit duhet ta japë Këshilli i Sigurimit.

Redaksia Online
(ln/Gre.M/Shqiptarja.com)