Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, njoftoi sot në një konferencë për mediat se 5 deputetët opozitarë që janë pjesë e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, kanë dorëzuar kërkesën për caktimin dhe mbajtjen e mbledhjes së ardhshme të këtij organi të Kuvendit, me qëllim shqyrtimin e provave që SPAK i ka paraqitur ligjvenësve dhe mbi të cilat akuzon zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrasktrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shkelje të barazisë në tenderë, duke kërkuar arrestimin e saj.

"Kryetari i Kuvendit ka detyrimin ligjor ta thërrasë mbledhjen kur e kërkojnë 1/2 e anëtarëve dhe këtë duhet ta bëjë Niko Peleshi. Çdo interpretim tjetër e provon qartë atë që po themi sot: se Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë, që ai vetë dhe e pandehura Belinda Balluku të fshehin prova dhe të intimidojnë dëshmitarët. Ky është shqetësimi i ngritur disa herë në mbledhje nga prokurorët e SPAK. Belinda Balluku ka kërcënuar vartësit e saj, vartës që po bashkëpunojnë me drejtësinë. Kjo është arsyeja pse prokurorët kërkuan që mbledhja e ardhshme e Këshillit të jetë maksimalisht 5 ditë nga dita e djeshme. Ndërkohë që Edi Rama ka vendosur të marrë kohë të pacaktuar, duke thënë fillimisht se mbledhja do të zhvillohej pas datës 19 janar, e më pas në një moment tjetër. Në mbledhje na thanë se duhej 20 minuta pushim për të caktuar një datë, shkuan në zyrën e kryetarit të Kuvendit dhe u kthyen duke thënë se mbledhja mbyllet pa caktuar asnjë datë dhe pa marrë asnjë vendim. Përfundimin e mbledhjes nuk e shoqëruan me asnjë sqarim për mediat, përveçse shpërndanë lajme të rreme",- tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

Mbledhja e Këshillit të Mandateve/ Bardhi: Prokurorët e SPAK thanë se Balluku po intimidon vartësit që po bashkëpunojnë me drejtësinë! Bëhet fjalë për 11 tenderë korruptivë me vlerë 1.1 mld €