Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, u përfshi në një debat të fortë me socialistët për çështjen e drejtoreshës së shkarkuar të SHISH, Vlora Hysenit.

Debati me socialistët u zhvillua gjatë mbledhjes së Komisionit, ku Zhupa tha se është cenuar siguria kombëtare.

Zhupa shtoi se kryeministri Edi Rama del në bisedat e Vlora Hysenit, që disponon SPAK. Teksa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, ajo shtoi gjithashtu se një grup i strukturuar kriminal ka zaptuar çdo qelizë të shtetit.

Referuar mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ditën e sotme, Zhupa tha se ata s'mund të jenë zgjidhja, pasi sipas saj, janë vetë problemi.

“Mblidhen shkaktarët, diskutojnë si ta mbulojnë këtë skandal të radhës. Ata s’mund të jenë zgjidhja kur janë vetë problemi. 90% e tyre kanë vetë dosje në SPAK dhe janë pjesë e rrjetit të kreut të organizatës Rama.

Një patetizëm që, nga aeroporti, i trembur nga pyetjet e gazetarëve, bëri monologun: vetëm unë të shpëtoj, pa në djall të gjithë. Mori në mbrojtje Vlorën, se ka hallin e bisedave ku del edhe vetë. Më shumë ishte shqetësuar mos dilnin bisedat, sesa për skandalin.

Rama nuk i shërben dot sigurisë kombëtare kur ai vetë e katandisi shtetin në këtë gjendje: radarët që fiken për drogë, radarët që fiken për përgjime, radarët që fiken për vrasje. Një grup i strukturuar që ka zaptuar çdo qelizë të shtetit, me formën dhe vullnetin e Edi Ramës. Ndaj, i vetmi akt real që do të kishte vlerë për sigurinë kombëtare është dorëheqja e tij”, tha Ina Zhupa.


Lajmi kryesor:

Këshilli i Sigurimit u mblodh pas arrestit ndaj Hysenit/ Bardhi: Begaj manekin, aty kishte përfaqësues të Agasit! Rama të dorëhiqet