Qeveria miraton garancinë sovrane 4 mld lekë për fasonët! Ndryshon buxheti 2024, rriten pritshmëritë për të ardhurat

Qeveria ka rishikuar për herë të parë buxhetin e shtetit për këtë vit, pa bërë ende dy muaj në fuqi. Ministri i Financave Ervin Mete sqaroi se me këtë rishikim është bërë e mundur vendosja në dispozicion e fondit 4 miliardë lekë për garancinë sovrane që do të përfitojë sektori i manifakturës.

“Përmes këtij akti normativ po mbështesim edhe një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve në këtë sektor. Ky instrument synon mbështetjen e bizneseve nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë”, tha Mete.

Ndërsa kushtet se sa do të jetë norma e interesit për kredinë që do të marrin bizneset, apo sesa përqind do të dalë garant shteti për këtë skemë do të përcaktohen me VKM, tjetër. Ky sektor po përballet me humbje të mëdha për shkak të zhvlerësimit të euros, që po tkurr vlerën e eksporteve.

Nëpërmjet këtij rishikimi është caktuar edhe buxheti për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe janë planifikuar fonde për disa projekte në fushën e turizmit si dhe është specifikuar burimi i financimit të portit të ri tregtar në Porto Romano.

“Ndryshimet në këtë akt parashikojnë riklasifikimin e kategorisë së financimit të portit të ri tregtar financimin e strukturës së posaçme në mbrojtje të mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, si edhe mbështetjen financiare për rikonstruksionin e disa godinave dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore të arsimit profesional, në kuadër edhe të vëmendjes së Qeverisë për këtë sektor”, tha Mete.

Për shkak të performancës pozitive të ekonomisë në vitin e kaluar dhe uljes së borxhit nën 60%, Ministri Mete sqaroi se këtë vit pritet të mblidhen 687 miliardë lekë, nga 676 miliardë lekë që ishte caktuar në buxhetin fillestar, ndërkohë që  deficiti do të jetë 57 miliardë lekë, nga 61 miliardë që ishte plani fillestar.

BUXHETI I VITIT 2024

Fillestari  676 mld lekë

Rishikimi 687 mld lekë

Diferenca +11 mld lekë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:43
Balla: Ndryshojnë kompetencat e Prefektit, më shumë rol për garantimin e sigurisë në komunitet

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se kanë miratuar disa ndryshime në ligjin për Prefektin që parashikojnë t’i japin më shumë kompetenca rolit të tij. Roli kryesor sipas Ballës, do jetë drejtimi i Këshillit të Sigurisë Publike me synimin për rritjen e sigurisë në komunitet.

I pyetur nga gazetarët nëse Prefekti me kompetencat e reja mund të kërkojë shkarkimin e kryetarit të Bashkisë, tha se nuk është e vërtetë.

Ministri Balla: Në Republikën e Shqipërisë, Prefekti është një institucion tepër i rëndësishëm, pikë së pari ai përfaqëson Këshillin e Ministrave në nivel vendor dhe si i tillë na duhet ta ngremë rolin e Prefektit në pritshmërinë e kësaj qeverie për një rol sa më të rëndësishëm, jo vetëm koordinues me pushtetin vendor, por edhe me të gjitha institucionet e tjera vendore. Një rol udhëheqës sa i përket të gjitha strategjive tona në nivel vendor. Mos harroni asnjëherë se Prefekti është drejtuesi i pothuajse të gjitha Task Forcave që ne zhvillojmë në kuadër të proceseve tona qeverisëse në nivel vendor. 

Gjithashtu, dua të ndaj me ju se po krijojmë edhe Këshillat Vendore të Sigurisë Publike, për të koordinuar më së miri të gjitha agjencitë ligjzbatuese që  lidhen me sigurinë publike në çdo komunitet përgjatë zbatimit të paketës të sigurisë në shkolla. U kemi besuar prefektëve rolin drejtues në këtë proces dhe na ka rezultuar të jetë një rol efikas, por gjithashtu kemi identifikuar edhe disa ndryshime që lidhen me do të thosha unë, nevojën e rregullimit dhe të përcaktimit më qartë të vendimeve të Këshillave Bashkiak apo të akteve të tjera të Njësive të Qeverisjes Vendore, të cilat kalojnë përmes filtrit ligjor të Prefektit për ta reduktuar këtë numër në mënyrë që të lehtësojmë procesin e qeverisjes vendore, por pa harruar asnjëherë rolin shumë të rëndësishëm që ka Prefekti në këtë kontroll. 

Kështu që në këtë aspekt këto do të ishin disa prej çështjeve kryesore që mund të ndajmë në këtë proces të parë. Kujtojmë që është një ndryshim në ligj. Do të kemi mundësi që gjatë diskutimit në Kuvend që bashkë me deputetë, por dhe përfaqësues të tjerë ta diskutojmë më gjerë këtë nisëm ligjore. Dua të informoj publikun se kemi marr si referencë eksperiencat më të mira të rolit të Prefektit, kryesisht modeli francez, ai italian apo dhe rumun dhe besoj që pas miratimit të këtij ligji do të kemi një institucion Prefekti shumë më efektiv në procesin e  ndërlidhjes mes qeverisë qendrore, qeverisë vendore dhe mbi të gjitha të organizimit më të mirë të punës në nivel vendor të agjencive shtetërore.

Pyetje: Me ligjin e ri, Prefektit i jepni kompetencë që mund të kërkojë shkarkimin e kryetarit të Bashkisë?

Ministri Balla: Ka qenë një informacion i rremë lidhur me këtë qasje. Qeveria ka të drejtën e rasteve të propozimit të shkarkimit dhe në ligjin “Për qeverisjen vendore” përcaktohet qartë si zhvillohet ky proces dhe që vendimin përfundimtar e jep Gjykata Kushtetuese. Pra nuk ka një lajm lidhur me këtë pretendim të ngritur në media dhe nuk është e shkruar në ligj, nuk është e vërtetë.

Pyetje: Çfarë kompetencash i shtoni Prefektit dhe a ka përplasje kjo me Kryetarin e Bashkisë?

Ministri Balla: Nuk ka asnjë përplasje të kompetencave të Prefektit dhe Kryetarit të Bashkisë. Prefekti është përfaqësuesi vendor i Këshillit të Ministrave. Ajo që për mua sot ka më shumë rëndësi, sa i përket rolit të Prefektit, është drejtimi i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, i cili bën bashkë të gjitha agjencitë për të garantuar sa më shumë siguri publike në çdo komunitet. Unë ju thashë nga zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla në territor, kemi kuptuar sa e rëndësishme është koordinimi i të gjitha agjencive ligjzbatuese në funksion të rritjes së cilësisë së sigurisë publike. Kemi qenë e mbetemi të qartë me publikun, Shqipëria kampione e Ballkanit jo vetëm në turizëm, por edhe në çdo fushë tjetër përfshirë sigurinë publike nuk është më një ëndërr, por një realitet për të cilën punojmë ta realizojmë çdo ditë.

M.Q./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pse duhet te paguaj taksa per politika te gabuara?: 21/02/2024 14:44

    Nderkohe qe barkmedhenjte e ministrive krekosen mejhaneve ne na duhet te paguajme taksa per kompensimin e renies se euros. Haram i paçi ne femijet tuaj o te pangopur qe e plaçkitet kete shtet

    Përgjigju
  • Parajsë për taksa: 21/02/2024 13:35

    Garanci për skllavizëm

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

‘TIMS’/ PS braktisi mbledhjen, Salianji: Kërkuan të bllokojnë punën pasi kanë gjëra për të fshehur

‘TIMS’/ PS braktisi mbledhjen, Salianji: Kërkuan të bllokojnë punën pasi kanë gjëra për të fshehur