Rriten të ardhurat në gjashtëmujor, por shtyhet rishikimi i buxhetit dhe garancia e paralajmëruar për bujqësinë

Bujqit pritën më shumë para për sezonin e dytë të të mbjellave, por buxheti i shtetit nuk u rishikua në fund të muajit qershor siç ishte paralajmëruar. Edhe pse në 6 muaj janë mbledhur afro 23 miliardë lekë (230 mln euro) më shumë se vjet duket se treguesit nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të rishikuar buxhetin në muajin qershor siç ishte paralajmëruar nga Ministri i Financave Ervin Mete dhe ministrja e Bujqësisë Anila Denaj.

Ndërhyrja kryesore nëse do të rishikohej buxheti i këtij viti do të ishte për sektorin e bujqësisë, për të rritur financimin për fermerët, madje edhe për të vënë një garanci të bizneseve për të rritur investimet në këtë industri.

“Ne do të bëjmë një ndërhyrje rishikuese të buxhetit në qershor të vitit 2024 dhe bujqësia do të jetë sektori kryesor i rishikimit", është shprehur në 7 nëntor 2023 Ervin Mete në Komisionin e Ekonomisë, teksa prezantoi buxhetin e këtij viti, ku u deputetët e kanë konsideruar të pamjaftueshëm buxhetin e caktuar për bujqësinë.

“Besoj në muajin qershor do të ketë pasqyrim edhe në aktin normativ me mbështetjen e qeverisë, synon një garanci sovrane për bujqësinë në raport me investimet. Me një akses në financë, dhe me mundësi subvencioni për të pasur një mbështetje gjatë gjithë viteve në vijim”, deklaroi Anila Denaj më 10 maj 2024, pas një takimi që zhvilloi më fermerët ku u diskutua mbi problemet e tyre.

Rishikimi i buxhetit do të varej nga treguesit financiar të 6 mujorit të parë të vitit, por ndryshimet janë shtyrë, tashmë për në shtator, pasi është në mbyllje edhe sesioni parlamentar. Për pasojë shtyhet edhe garancia për sektorin bujqësor për në një moment të dytë.

Jo vetëm ndryshimi i buxhetit, por edhe dy nismat e qeverisë për uljen e tatimit mbi pagat dhe lehtësimin e të rinjve deri 29 vjeç nga tatimet kanë mbetur pezull, edhe pse ishte paralajmëruar se do të bëheshin publike në muajin qershor.

"Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave, parashikojmë që si një masë lehtësuese për të punësuarit, në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga muaji korrik, të rrisim kufirin mbi të cilin aplikohet shkalla e sipërme e tatimit mbi pagën", tha ministri Mete më 26 mars 2024 në një takim me CEO-të AMCHAM.

“Po diskutojmë dhe tani jemi në një moment të mirë ekonomik, që ta përkthejmë edhe në rishpërndarje dhe mirëqenie të shtuar për qytetarët. Do të kemi dy lehtësime të targetuara për të rinjtë dhe fëmijët, që do të thotë, nëse një i ri deri në moshën 29 vjeç do të punësohet ne do t’i lejojmë që të ketë zbritje nga detyrimi tatimor, vetëm për shkak të moshës, në mënyrë që të nxisim punësimin e tyre,” tha Mete më 12 prill 2024.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave në gjashtë muajit e parë të vitit janë arkëtuar gati gjysma e totalit të të ardhurave të planifikuara për këtë vit. Ministria e Financave parashikon që këtë vit të mblidhen 686.7 miliardë lekë, ndërkohë deri në fund të qershorit u arkëtuan 342.8 miliardë lekë, duke e tejkaluar edhe planin.

BUXHETI PËR VITIN 2024
Totali i të ardhurave      686.7 mld lekë
Janar-Qershor                342.8 mld lekë
Korrik-Dhjetor             343.9 mld lekë?
 
TË ARDHURAT NË 6 MUAJ
Janar-Qershor 2023        319.9 mld lekë
Janar-Qershor 2023        342.8 mld lekë
Rritja                              +22.9 mld lekë

K.T./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?