Shehaj interpelancë me Meten: U dhanë 1.3 mld euro për Thumanë-Kashar! Ministri: Markimi i karburanteve nga gushti pa tarifë, mbyllet edhe i pullave fiskale

TIRANË- Në Kuvend deputeti Agron Shehaj ka zhvilluar një interpelancë plenare me ministrin e Financave në lidhje me kontratat koncesionare dhe sa paguhet nga buxheti i shtetit në lidhje me këto kontrata. Po ashtu Shehaj ka pyetur ministrin nëse ka pasur ndonjëherë ndërprerje të ndonjë kontratë koncesionare për performancë të ulët në zbatimin e kontratës.

‘Pavarësisht miliarda eurove të PPP ka një mungesë totale informacioni mbi respektimin e kontratave koncesionare. Ne dimë sa para jep shteti koncesionarëve, por nuk kemi asnjë informacion mbi ecurinë e investimeve që privatet duhet të kishin bërë. Nuk dimë nëse këto investime janë bërë brenda afateve. Ne nuk dimë nëse koncesionari ka plotësuar kushtet e kontratës. Këto kontrata janë hartuar në interes të koncesionarëve dhe jo qytetarëve. Vetë kontratat nuk kanë logjikë ekonomike të përbashkët.

Rruga e Arbrit psh, një investim prej 74 km, në terren të vështirë, investimi i parashikuar 265 mln euro. Rruga Thumanë Kashar 20 km, fushore, 224 mln euro. Është më i shtrenjti qe ka dhëne qeveria 1.3 mld euro për 20 km rrugë dhe është i paligjshëm!

Si ka mundësi kjo? Mos vallë janë fryrë kostot e rrugës Thumanë -Kashar? A keni bërë verifikime për këtë? A keni monitoruar këtë kontratë koncesionare se në raportin që keni publikuar me një vit e gjysmë vonesë mungon koncesioni Thumanë Kashar. Do të doja të dija pse e keni mbajtur të fshehur këtë koncesion. Pse në 3 prej koncesioneve të Shëndetësisë, shënohet numri i shërbimeve dhe në një prej tyre nuk përmendet, sa shërbime për koncensionin e laboratorit që është në hetim?’- tha Shehaj.

"Keni fituar 3 zgjedhje e nuk doni të lejoni rrotacionin politik. Me këto para që keni vjedhur, koncesion për 35 vite, 1.3 miliardë euro për 20 km. E keni ndarë Shqipërinë në dy, kush është nga jugu në veri duhet të paguajë taksën, për të vajtur në aeroport duhet të paguajë taksë. Pse sepse ju duhen paratë, 1.3 miliardë euro për të ndaluar rotacionin politik" 

Në përgjigje ministri Mete tha se ministria e Financave nuk ishte autoriteti kontraktor duke ia kaluar topin ministrisë së Infrastrukturës.

"Në dy koncesione ku autoritet është ministria e Financave markimi dhe pullat fiskale në dhjetor kam dhënë urdhër të mbyllen,e po mbyllen. Nëse doni të bëni retorikë e të mendoni se ministria e financave është autoritet kontraktor për të gjitha koncesionet në republikë jeni i gabuar. Ne kemi nxjerrë raportin me numrin më të madh të kontratave.

Raporti i Monitorimit të Koncesioneve, për të cilin është bërë përpjekje domethënëse gjatë kohës që kam qenë ministër për të mbledhur raportimet nga të gjitha entet e autoritetet përmban numrin më të madh të kontratave të raportuara. Në 2019 kur u bë nga 230 kontrata që janë sot u raportuan 19. Vjet nuk ka dalë e unë nuk kam qenë. Ne kemi nxjerrë në fund të majit sepse na duhet për buxhetin faktit. Nëse nuk ka kontratë të raportuar aty, nuk e ka raportuar autoriteti kontraktor dhe keni të drejtë të kërkoni tek ky autoritet të gjitha shpjegimet"

Ministri i Financave Ervin Mete në deklaroi se dy koncesione ku Ministria e Financave është autoritet kontraktor po shkojnë drejt mbylljes.

‘Specifikisht për dy koncensione ku autoritet kontraktues është Ministria e Financave, koncesioni për pullat fiskale dhe koncesioni i markimit të karburanteve, po ndiqen procedurat për mbylljen e tyre

Në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, ne kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Gjithashtu, sa i përket koncesionit tjetër, atij të pullave fiskale, Ministri i Financave vuri në dukje se për miratim në seancën e fundit plenare, atë të ditës së nesërme janë ndryshimet ligjore për të hequr koncesionarin nga dispozitat e ligjit të akcizave, si dhe për të hequr prerogativat e koncensionarit nga ky ligj. Ky shërbim nga 1 Janari 2025 kalon në menaxhim shtetëror. Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit.’- tha Meta.

Në dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave, me urdhër të Ministrit, është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes për këtë kontratë koncesionare dhe tani po ndiqen të gjitha procedurat, në mënyrë që duke nisur nga 1 janar 2025, prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të bëhet nga një person juridik publik, i autorizuar nga Këshilli i Ministrave, që do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.

Por Shehaj pyeti sërish ministrin Mete.

‘Nuk u përgjigjët. Pse koncensionin më të shtrenjtë 1.3 mld euro thumanë-kashar për 20 km, nuk e keni përfshirë në raport? Është paguar apo jo TVSH? Nuk ma thatë. Jua them unë, është paguar. Pse fatuara e Check up, Sreilizimit është paguar me tvsh? Keni paguar TVSH, kur nuk duhej paguar. Jua thotë KLSH dhe ju prap vazhdoni e paguani. Nuk je i pastër. Je pjesë e qeverisë më të korruptuar në Europë. Shumë shpejt do japësh llogari tek SPAK se nga aty do të të heqin e di dhe vet ti. Keni vjedhur edhe në Shëndetësi, se doni të mbani pushtetin. Dhe pushtetin e mbani vetëm nëse keni para. Lërini broçkullat “na duan”.’-tha Shehaj.

Ministri përsëriti se në dy koncesioni ku autoritet është Ministria e Financave, ka nxjerrë urdhër që të hiqen.

‘Për pullat çmimi do të ulet, për markimin do të hiqet’- tha Mete.

Shehaj insiston sërish: Pse mungon në raportin e koncensioneve ai i Thumanë-Kashar dhe pse keni paguar TVSH?

Mete: Janë autoritetet kontraktore që monitorojnë zbatimin nëpërmjet njësive të tyre të menaxhimit të kontratave dhe janë ato që raportojnë në ministrinë e Financave që në vijim bëhet ky raport. Ne do hartojmë  dokument të risqeve fiskale, synimi ynë është të publikohet në shtator dhe do të  jetë i emërtuar “deklarata e risqeve fiskale”. Në sot kemi 11 kontrata PPP me mbështetje buxhetore dhe gjatë 2023 nuk është lidhur asnjë kontratë e re dhe as në 2024 nuk kemi ndonjë kontratë të re.

Shehaj: Raporti duhet që ju mos të bëni kërkesa kot e koncesione kot. Shkoni në SPAK nëse nuk u dhanë raportin. TVSH-në ministër keni paguar 4.5 mln euro tvsh.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë