BRISBANE-Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi sot në përfundim të mbledhjes së G20-s në Brisbane se vendimi i Kievit për t'i dhënë fund financimit në lindjen separatiste të Ukrainës është një gabim i madh, pasi ky veprim i shkëput "de facto" këto territore nga pjesa tjetër e vendit.

"E morra vesh nga media bllokimin ekonomik të rajoneve të Luganskut dhe Donetskut. Mendoj se është një gabim i madh pasi ata i shkëpusin nga duart e tyre këto rajone. Përse?", pyt Putini para gazetarëve, gjatë një konference për shtyp të publikuar nga televizioni rus. "Ne do të bisedojmë për këtë me Petro Poroshenkon", shtoi ai.

Gjatë takimeve dypalëshe, në mbledhjen e G20-s, u bisedua gjatë mbi çështjen ukrainase. "Bisedimet ishin të drejt për drejta, me kuptim dhe për mendimin tim të dobishme. Mendoj se kemi arritur të kuptohemi më mirë me kolegët tanë, të kuptojmë arsyet e Rusisë. Ata më njoftuan mbi prokupimet e tyre. Mendoj se kjo do të na ndihmojë", deklaroi ai.
"Situata në përgjithësi, ka prespektiva të mira për një rregullim, çka mund të duket e çuditshme, por të gjitha strukturat e krijuara nga të dyja palët mund të zgjidhin sfidat me të cilat ato po përballen, duke pasur parasysh mbi të gjitha interesat e personave që jetojnë në territoin Ukrainas dhe në juglindje të vendit", vazhdoi ai.

Pushteti ukrainas urdhëroi dje mbylljen e të gjitha shërbimeve publike në rajonet nën kontroll të separatistëve prorusë në lindje të Ukrainës, një vednim që ndan "de facto" vendin./ATSH/