TIRANË- Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente pasditen e së shtunës, ndërkohë që ky institucion ka mbetur pa drejtues pas arrestimit dje të Guvernatorit Ardian Fullani.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë pritet të analizohet qëndrimi që do të mbahet pas arrestimeve të fundit, ndërkohë që në përfundim të kësaj mbledhje do ketë edhe një deklaratë për mediat.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe Inspektorja e Përgjithshme e BSH-së Elivar Golemi u arrestuan dje në mbrëmje nga policia e Tiranës me akuzën "për shpërdorim detyre".
Ndaj tyre rëndon akuza e 'shpërdorimit të detyrës', për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon me hetimin e kësaj çështje, ku fokusi kryesor vijon të mbetet destinacioni i shumës së vjedhur./ATSH/