TIRANE - Situata hidroenergjetike është nën kontroll. Kjo është deklaruar dje, pas mbledhjes së grupit të punës për përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen në sektorin elektroenergjitik dhe sektorët e tjerë të ekonomisë nga reshjet dhe prurjet e mëdha nga lumenjtë dhe kaskadat.

Përfaqësues të METE-s, KESH-it, OST-së dhe CEZ-it bënë një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes elektroenergjetike duke raportuar të dhënat nga terreni për kushtet klimaterike, prurjet e ujërave dhe shkarkimet nga liqenet e HEC-eve në kaskadën e lumit Drin. Mbledhja u drejtua nga kreu i i METE-s Florjon Mima.

Në konkluzion, është raportuar se nuk ekziston rrezikshmëri e shtimit të prurjeve të ujërave dhe veçanërisht asnjë rrezik për përmbytje apo të natyrës së përmbytjeve. Nga ana tjetër, gjendja e digave të HEC-ve është nën kontroll dhe turbinat e HEC-ve në kaskadën e Drinit janë të gjitha në punë.

Gjendja e prurjeve të ujërave dhe shkarkimet janë nën kontroll, ndërkohë që çdo institucion dhe strukturë është në gatishmëri të plotë, thuhet në një njoftim të METE-s për shtyp.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)