Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të enjten se është i gatshëm të nisë diskutimet me partitë e tjera për çështjen e presidentit që nesër.

Në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, Kurti tha se është i gatshëm për bisedime menjëherë pas miratimit të Buxhetit prej 4 miliardë euro dhe marrëveshje ndërkombëtare.

"Mësimet që kemi nxjerr gjatë mandatit të kaluar se bashku me ekspertizën dhe dijet tuaja më bëjnë të besoj se ky kabinet i ka të gjitha parakushtet të jetë kabineti më i mirë. Jemi mbledhur qysh në ditën e parë të punës për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare që kanë qenë në pritje”, tha Kurti

Ndërkohë dy partitë opozitare LDK dhe PDK, kanë bërë me dije se kësaj here nuk do t`i ikin përgjegjësisë për çështjen e presidentit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili mori votëbesimin e partisë, bëri të qartë se çështja kërkon marrëveshje politike por jo pazare.

“Kur flasim për marrëveshje politike, nuk e kemi fjalën për pazare politike, kemi fjalën që duhet të ulën partitë që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Kosovës. Pra jam i gatshëm të flas me gjithë spektrin politik, për t’i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të presidentit i cili do të jetë konsensual dhe do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Kosovës” tha ai, duke nënvizuar se LDK   është e “përkushtuar që të gjejë konsnesus”

Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka pranuar  PDK-ja është e gatshme të diskutojë me Vetëvendosjen për çështjen e presidentit.

“Nuk ka asgjë të keqe të flasim, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”, ka thënë Hamza.

Debatet mbi këtë çështje, sipas mediave, duken se çuan presidenten Vjosa Osmani të anullojë pjesëmarrjen e saj në  Konferencën e Sigurisë në Mynih. 

Zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin mes partive politike.