BRUKSEL-Pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, ditën e sotmë ka qenë radha e ministrave për çështjet Evropiane të vendeve anëtare dhe ministrave të Jashtëm për të dhënë mesazhet e tyre për çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshillin për Çështjet e Përgjithshme në BE ka nënvizuar domosdoshmërinë e një zgjidhje të përbashkët në BE për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Teksa kanë shprehur dëshirën për hapjen e negociatave me këto dy vende të Ballkanit Perëndimor, Këshilli ka dhënë mesazhe të qarta sidomos në drejtim të shtetit ligjor.
Maros Sefcoviç zëvendës president i Komisionit Evropian për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale, deklaroi se ndërkohë që pritet arritja e një date për mbajtjen e konferencës vendet duhet të ruajnë fokusin dhe ta vazhdojnë reformat për sundimin e ligjit.
“Mund të theksoj se nga ana e komisionit po punojmë shumë që të dyja vendet të mund të zhvillojnë konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur. Zgjerimi është një proces mjaft kërkues. Ne i kemi dhënë rëndësi të veçantë shtetit të së drejtës dhe të gjitha çështjeve të ndjeshme që duhen vendosur në negociata, me ato i mbyllim kapitujt. Mendoj se shteti i së drejtës do jetë parametri kryesor për negociatat. Duhet të japim një sinjal pozitiv për Ballkanin Perëndimor dhe shpresoj shumë që brenda presidencës portugeze të mbahet konferenca e parë”, deklaroi Sefcoviç.
Ndërkohë që Ana Paula ZACARIAS, Sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane të Portugalisë u shpreh se BE po mundohet të gjejë një rrugëzgjidhje për hapjen e negociatave.
“Ne diskutuam për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe po mundohemi të gjejmë një rrugë të përbashkët për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Sundimi i ligjit është e vetmja rrugë që mund të na ndihmojë në mbajtjen e kësaj konference. Sundimi i ligjit është në qendër dhe në thelb të kësaj metodologjie. “
Ditën e djeshme Shefi i politikës së jashtme të BE-së Joseph Borrel, theksoi se integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është një fokus kryesor i unionit dhe theksoi se ata nuk ka pasur asnjëherë qëllim për të ndarë vendet në rrugën e tyre të integrimit. Po dje Këshilli Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme i ka kërkuar përmes një letre vendeve anëtare të hapin sa më parë të jetë e mundur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ata kanë konstatuar se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndihet një sens i zhgënjimit të thellë në procesin e zgjerimit.