TIRANË- Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është diskutuar mbi mandatin e deputetit Sali Berisha, i cili prej 30 dhjetorit ndodhet në arrest shtëpie për aferën Partizani. Burime për Shqiptarja.com dhe Report Tv nga brenda mbledhjes bënë me dije se Berishës nuk do t’i hiqet mandati i deputetit, pas nuk ka munguar pa arsye.

Në mbledhje, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka lexuar një shkresë përmes së cilës sqaroi qëndrimin e Kuvendit mbi mandatin e Berishës, duke u shprehur se nuk ka arsye për ndërprerje, pasi kjo do ishte një shkelje e ligjit.

“Dua t’i japim fund spekulimeve. Qenia e një personi nën këtë masë nuk mund të konsiderohet si mungesë pa arsye në Kuvend. Jemi konsultuar me njohës të ligjit dhe Kushtetutës”, mësohet të ketë thënë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Të njëjtin qëndrim konfirmoi edhe kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi në deklaratën për mediat, ku tha se këtë herë mazhoranca lexoi drejt kushtetutën dhe se nuk ka asnjë arsye që Berishës t’i ndërpritet mandati.

"Sot Kryetarja e Kuvendit, lexoj drejt kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës Sali Berisha. Strukturat ligjore te kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në Kuvend nuk është pa arsye. Kjo i jep fund debatit dhe spekulimeve te sponsorizuara nga segmente te mazhorances”, tha Bardhi.

Ndërkohë, Bardhi hodhi akuza në drejtim të Kuvendit se në mënyrë arbitrare po pengojnë Berishën të ushtrojë mandatin e tij si deputet, ndërsa theksoi se kanë kërkuar që të krijohen kushtet që ish-kryeministri të marrë pjesë në seancat plenare.

“Ne kërkuam që zotit Berisha, ne përputhje me kushtetutën t’i krijohet mundësia që të ushtrojë të plotë mandatin e deputetit duke marrë pjesë me seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare. Në mënyrë arbitrare i pengohet ushtrimi i mandatit të deputetit, kjo është çështje e Kuvendit të Shqipërisë për të krijuar mundësitë. Kushtetuta nuk lejon pengimin e një deputeti për të ushtruar mandatin, çdo institucion do duhet t’i bindet Kushtetutës", tha Bardhi.

Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.