Kryeministri Edi Rama tha se, “Shqipëria duhet që krizën e ekonomisë dhe financave të veta ta kthejë në një oportunitet për ta kapërcyer duke dalë më e fortë”.
Në fillim të mbledhjes, në dosjen e çdo anëtari të Këshillit është paraqitur një draft, i cili sipas kryeministrit pret sugjerimet e tyre, për t'u paraqitur më pas në qeveri.
Më tej, ne fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal tek borxhet dhe detyrimet e qeverisë ndaj biznesit, që duhet të shlyhen, ndërsa shtoi se lidhur me këtë situatë, qeveria e re po diskuton intensivisht me FMN dhe BB.
Sipas ministrit të Zhvillimit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, “sot nisi mbledhja e parë e Këshillit Ekonomik Kombëtar, për të patur shumëllojshmërinë e perspektivave të përfaqësuara nga botë të ndryshme edhe pse të lidhura me njëra-tjetrën, për të sugjeruar propozimet për funksionimin e Këshillit, për të na çuar drejt një vendimi për të institucionalizuar një strukturë konsultative dhe bashkëshoqëruese të të gjithë procesit të analizës”.
RAMA: FILLIMI I NJË KUVENDIMI PËR EKONOMINË
Pasi prezantoi anëtarët e këtij Këshilli, ku bënin pjesë Zv/kryeministri, ministri i Financave, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë dhe një grup përfaqësuesish të sipërmarrjes shqiptare, kryeministri u ndal tek çështjet konkrete ku do fokusohet ky Këshill.
"Falënderoj për praninë përfaqësues të misioneve ndërkombëtare me të cilët po punojmë ngushtësisht. Si dhe një grup përfaqësuesish të sipërmarrjes shqiptare të zgjedhur mes taksapaguesve më të mëdhenj më korrektë në këtë vend.
Kjo është tryeza e Këshillit Ekonomik Kombëtar. Ky është fillimi i një kuvendimi për të cilin unë jam shpresëplotë. Sot askush nuk mund ta drejtojë dot botën vetëm, as ekonomistët, as politikanët, as akademikët, as shkencëtarët, pro gjithmonë e më shumë shtrohet nevoja për bashkëpunim dhe bashkërendim. E rëndësishme është të ketë shumëllojshmëri përspektivash. Një tryezë e tillë, është një prej shumë tryezash prej nga ku duhet të drejtohet Shqipëria, dhe jo thjesht ekonomia dhe financat.
Në dosjen e kësaj mbledhje, anëtarëve të Këshillit u është paraqitur një draft i cili pret sugjerimet e tyre, për t'u paraqitur më pas në qeveri", tha Rama.
RAMA: KËSHILLI DO MBLIDHET NJË HERË NË 3 MUAJ
kryeministri tha se Këshilli Ekonomik Kombëtar do të mblidhet çdo tre muaj në praninë e kryeministrit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, ndërsa çdo muaj do të mblidhen për të diskutuar problematikat e ndryshme. Kreu i qeverisë theksoi se ky Këshill nuk do të varet nga humori i qeverisë dhe tha se do të funksionojë si një strukturë më vete. Ndërkaq, do të ngrihet dhe një zyrë për të pritur ankesat e sipërmarrësve.
"Ky këshill do të jetë një strukturë më vete që nuk varet nga humori i qeverisë, kryeministrisë, ministrive,etj. por mblidhet për të zgjidhur problemet e nevojshme. Njëherë në tre muaj ky Këshill do të mblidhet në këtë formë që jemi sot, kur do të variojnë prezancat e ministrave, sipas temave përkatëse, ku mund të variojnë prezencat e ekspertëve sipas mundësive të tyre.
Çdo tre muaj ne do të sjellim temat e nxehta me synim që të diskutojmë për aspektet strategjike të zhvillimit të politikave ekonomike e financiare. Ndërsa cdo muaj ky Këshill do të mblidhet pa praninë e ekspertëve të huaj. Synojmë që ky Këshill të jetë dhe vendi ku trajtohen probleme të vogla por që mund të na shërbejnë jo thejsht për të zgjidhur atë problem, por për të luftuar me fenomene problematike.
Të gjithë ata që në emër të administratës shqiptare, tatimore doganore, apo të shërbimeve ndaj sipërmarrjes ta mësojnë se kur shkojnë të dhunojnë apo kërcënojnë një sipërmarrje për të marrë para me korruspionin do të përgjigjen për veprën e tyre. Ne do të ngrejmë një zyrë për ankesat e sipërmarrjes", tha Rama.
RAMA: DO SHLYEJMË BORXHET NDAJ BIZNESIT
Kryeministri Rama tha se qeveria e re do të shlyejë borxhet ndaj biznesit, ndërsa theksoi se po bashkëpunohet me FMN dhe BB për gjetjen e mënyrave efektive, për t’i bërë këto plane të realizueshme dhe në terma afatmesëm.
“Janë një sërë borxhesh e detyrimesh ndaj biznesit që duhet të shlyhen. Në këtë situatë gjendemi. Po diskutojmë intrensivisht me FMN dhe BB. Kemi probleme që lidhen me vetë borxhin publik dhe deficitin. Dhe ana tjetër e planit është që të gjejmë mënyrën që kjo që bëjmë në terma afatshkurtër, të fuksionojë edhe në terma afatmesëm dhe afatgjatë. Nga njëra anë dërgesat e emigrantëve që kanë qenë një pjesë e rëndësishme në GPD e vendit ka shënuar rënie. Kemi nevojë për burime të tjera rritje. Shqipëria ka potenciale, dhe është një vend ku burimet e reja të rritjes, janë jo vështirësisht të aksesueshme”, tha kreu i qeverisë.
Redaksia online
(e.s/a.c/shqiptarja.com)