Kuvend/ Manastirliu: Lufta me COVID ende larg fundit! Dozat e para të Pfizer përmes COVAX vijnë brenda shkurtit, për 800 000 qytetarë

Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare! Deputetët diskutuan sot për disa çështje të rëndësishme, ku fokusi është përqendruar në ndryshimet për buxhetin 2020, rindërtimin, pandeminë dhe shtyrjen e afatit të OFL

Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj gjatë fjalës së saj ka deklaruar se 2020 ka qenë një vit i vështirë dhe se në thelb ka qenë pandemia e tërmeti. Për këto dy çështje Denaj tha se qeveria ka marrë masa të menjëhershme dhe efikase.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj ka theksuar se vijon puna për marrjen e dozave të para të vaksinës anti COVID nga Pfizer, ndonëse thekson se lufta me virusin është ende larg fundit. Ministrja shtoi se kemi të kontraktuara doza për 800 mijë qytetarë. Sipas saj edhe instrumenti Covax është angazhuar të sjellë dozat e para brenda muajit shkurt.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilëson një sukses shumë të madh mënyrën se si qeveria ka arritur të menaxhojë situatat e krijuara në ekonomi vitin e kaluar. Ai tha se edhe pse situata ishte e jashtëzakonshme qeveria ka arritur të mos lërë askënd pa mbështetje. Deputetja Rudina Hajdari ka hedhur akuza ndaj qeverisë e cila sipas saj nuk po mbështet familjet e varfra por kriminelët. Konkretisht u ndal te Elbasani duke thënë se qytetarët i dinë me erma grupet kriminale, të cilat sipas deputetes po “lulëzojnë” në këtë zonë. Deputeti Myslym Murrizi ceku punën e OFL-së, e cila sipas tij nuk bëri asgjë, nuk goditi asnjë që duhej të godiste.

Në fund të seancës Kuvendi miratoi  ndryshimet në buxhetin e vitit 2020, shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik etj dhe zgjatjen e efekteve të OFL. Kuvendi refuzoi në votimin e sotëm kandidatët për anëtarë të Këshillit Drejtues të Radio - Televizionit Shqiptar, Besnik Mustafaj, Edmond Tullumani dhe Helidon Haliti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:23
Mbyllet seanca, Kuvendi miraton buxhetin e ndryshuar 2020 dhe zgjatjen e kolaudimit! Refuzohen tre kandidatët për anëtarë të Këshillit të RTSH

Kuvendi ka mbyllur pak më parë seancën plenare duke hedhur në votim të gjitha ccështjet e parashikuara në rendin e ditës.

Kuvendi ka miratuar me 88 vota pro Aktin Normativ ndryshimet në buxhetin e vitit 2020,  të ndryshuar. Vendimi për të shtyrë me tre muaj afatin e vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik është miratuar me  94 vota,

PO me 94 vota pro u votua edhe akti normativ për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Edhe spitali i Fierit ishte në vëmendjen e seancës së sotme plenare. Deputetët votuan për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për shpronësimin për negociimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të tokës ku do të ndërtohet spitali.

Kuvendi refuzoi në votimin e sotëm kandidatët për anëtarë të Këshillit Drejtues të Radio - Televizionit Shqiptar, Besnik Mustafaj, Edmond Tullumani dhe Helidon Haliti.

Ora 13:13
Balluku: Situata e COVID zgjat afatin e vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik! Balluku për spitalin e Fierit: Janë lidhur marrëveshjet e shpronësimit

1611831614_balluku.jpg

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, në fjalën e saj në parlament, deklaroi se situata e koronavirusit, ka detyruar qeverinë që të shtyjë disa vendime.Balluku thekson se në funksion të parandalimit të Covid-19, qeveria shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik

“Në funksion të parandalimit të Covid-19, Qeveria Shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik. Ky akt synon të menaxhojë emergjencën aktuale shkarkuar nga Covid-19 si dhe të garantojë të gjithë standardet e sigurisë për të gjithë qytetarët, ashtu siç është parashikuar në një sërë aktesh e urdhrash të Komitetit të Ekspertëve dhe të Ministres të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Si të gjithë vendet e tjera të botës, edhe Shqipëria ka qenë e detyruar të marrë një sërë masash për të kufizuar shpërndarjen e pandemisë mes popullsisë, e veçanërisht mes më të rrezikuarve prej saj, duke kufizuar lëvizjen brenda vendit, duke kufizuar lëvizjen e automjeteve në zonat urbane, duke kufizuar lëvizjen brenda kufijve dhe sigurisht duke vendosur një orar policor për të kufizuar të gjithë lëvizjen në fashën 22:00 e mbrëmjes me orën 06:00 të mëngjesit. Të gjitha këto sakrifica të përbashkëta kanë sjellë kontrollin mbi kuotat në spitale dhe rastet e rënda, por një tjetër efekt i tyre ka qenë që kanë kufizuar dhe lëvizjen e mjeteve e për pasojë edhe amortizimin e  tyre përgjatë këtij viti.

Për këtë arsye, nga ekipi ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është propozuar që duke pasur parasysh këtë fakt teknik, mos amortizimin e këtyre mjeteve, por mbi të gjitha nevojën për të kufizuar rrezikun që vjen prej pandemisë, kemi kërkuar që të shtyhet vlefshmëria e afatit të kontrollit teknik me tre muaj, për të qenë në një linjë dhe konformitet të plot me të gjithë udhëzimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve si dhe për të ruajtur sigurinë  fizike si të operatorëve, të cilët e zhvillojnë kontrollin, si dhe mbi të gjitha të vetë qytetarëve, kemi vendosur të shtyjmë afatin e vlefshmërisë të certifikatës së kontrollit teknik me 3 muaj.

Për të gjithë qytetarët që kanë apo kanë patur datën e kontrollit periodik teknik të automjeteve të tyre në këto kohë ata kanë edhe 3 muaj kohë për të përcaktuar datën e kontrollit të tyre të radhës. Efekti primar i këtij vendimi do të jetë që do të ketë një ulje të grumbullimeve dhe radhëve për kontroll teknik duke ulur kështu rrezikun për jetën e qytetarëve. Sigurisht, sistemi i caktimit të takimeve është një sistem online, ne kemi prej kohësh që nuk kemi më radha në sportelet tona, por përsëri si pasojë e masave të diktuara nga standardet e sigurisë përballë pandemisë, kohët e këtij kontrolli janë zgjatur disi, duke ulur fluksin e kontrolleve mundësohet kështu menaxhimi i tyre brenda standardeve dhe domosdoshmërisë për sigurinë e secilit drejtues automjeti”, tha Balluku.

Kuvendi miratoi edhe aktin normativ për shpronësimin e 12 familjeve që preken nga ndërtimi i Spitalit të Fierit, që do të financohet nga Turqia. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se marrëveshjet e shpronësimit janë lidhur ndërkohë që ka nisur puna në kantier prej ditësh.

“Janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet me banorët për angazhimin e ndërsjellët në funksion të kryerjes së procedurave ligjore për shpronësimin e tyre. Kantieri tashmë është i hapur, është siguruar furnizimi me energji dhe me ujë i këtij kantieri. Ka nisur puna për rrugët dytësore që do të aksesojnë spitalin, duke pasur parasysh edhe parametrat që kërkon aksesi në një spital siç është edhe hyrja e urgjencës dhe në ndërkohë mjetet e para nga Turqia, trajlerat të cilat po sjellin bazën materiale janë nisur, kanë arritur dy dhe po vijnë edhe shtatë të tjerë”, deklaroi Balluku.

Ora 12:52
Manastirliu: Lufta me COVID ende larg fundit! Kemi kontraktuar doza për 800 mijë qytetarë, të parat mund të vijnë brenda shkurtit nga Pfizer

1611833388_OgertaManastirliu2.jpg

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend ka theksuar se vijon puna për marrjen e dozave të para të vaksinës anti COVID nga Pfizer, ndonëse thekson se lufta me virusin është ende larg fundit.

Ministrja tha se kemi të kontraktuara doza për 800 mijë qytetarë. Sipas saj edhe instrumenti Covax është angazhuar të sjellë dozat e para brenda muajit shkurt.

“Lufta me COVID është ende larg fundit edhe pse vaksina është drita që shihet në fund të tunelit. Përpjekjet tona janë maksimale dhe jemi të vendosur në mundësim sa më të shpejtë të dozave të vaksinës.  E ndërkohë që stafet tona janë në krye të detyrës për tiu përgjigjur çdo qytetari që ka nevojë për kujdes shëndetësor. Përpjekja jonë e pandaluar për sigurimin e vaksinave.

Ne kemi të kontraktuara doza për 800 mijë qytetarë duke filluar me grupet prioritare. Jemi në pritje të dërgesës së parë nga kompania Pfizer, jemi besimplotë se Pfizer do ti qëndrojë kontratës së lidhur për dërgesën e dozave të para.

Edhe instrumenti Covax është angazhuar të sjellë dozat e para të Pfizer brenda muajit shkurt. Vaksina është malli më i dërguar në botë. Qeveria shqiptare ka marrë masa në kohë. U angazhuam në paraagimin e marrëveshjes Pfizes.

Puna jonë vijon për të lidhur marrëveshje me vende europiane për të siguruar doza të tjera të vaksinave. Megjithatë në botë po rriten infektimet. Të jemi të kujdesshëm. Të mos ulim vigjilencën ndaj virusit. Vëmendja është sot më shumë se kurrë për çdo qytetar. Me punë pa fjalë ia kemi dalë të shtojmë numrin e testimeve. 36 autoambulanca të reja iu shtuan flotës anti covid. Një spital i ri do i  shtohet rrjetit të spitaleve tona me financimin e turqisë mike. Kemi vaksinuar 600 mjekë dhe infermierë me dozën e parë dhe për të siguruar dhe dozën e dytë. Gjithashtu kemi gati dhe vaksinimin e grupeve parësore menjëherë sapo të mbërrijnë dozat e para të Pfizer në vendin tonë”, tha ajo.

Ora 12:32
'1.5 miliardë lekë për strehimin',  Spiropali për rindërtimim: Përfitojnë 14 mijë familje, mbi 50 mijë qytetarë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend, foli në lidhje me procesin e rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit 2019. Spiropali theksoi se preken 14 mijë familje dhe mbi 50 mijë persona, duke shtuar se akti normativ do të vijojë edhe për vitin 2021, ku sipas ministres janë 1.5 miliardë lekë të projektuara në funksion të strehimit.

“Në kuadër të Rindërtimit qeveria shqiptar paraqet sot aktin normativ i cili prek 14 mijë familje ose mbi 50 mijë persona të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe të mbetur të pastrehë. Akti i parë që qeveria miratoi pas tërmetit ishte vendimi për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhe dhe ku u parashikua projektimi i një strategjia afatgjate jo vetëm të rimëkëmbjes të qytetarëve të mbetur të pastrehë, por një projeksion i një ndihme sociale dhe një projekti më të madh social në këto 30 vite. Banesa falas dhe infrastrukture rrethuese në të tria këto qarqe.

Duke parë nevojën në vazhdim dhe situatën e vështirë të pandemisë në vitin 2020 kemi vendosur që ky akt normativ të vazhdojë tu japë mundësi familjeve të trajtohen me qira dhe procedure të shpejtuar. Fondi gjatë këtij viti për subvencionimin e qirasë, nga 14 mijë familje, 32% e të cilave në Durrës, 20 në Tiranë, 15 % në Krujë dhe në 8 bashki të qarqeve të ndodhur brenda rrethit të Emergjencave Civile përkon me një buxhet të konsiderueshëm 1.5 miliardë lekë në funksion të strehimit ne vitin 2021.

Projekti i rindërtimit është një projekt i madh social dhe një projekt urbanizmi në disa qarqe. Vetëm 8447 subjekte familje përfitues nga dëmshpërblimet për dëmet nga tërmeti në Tiranë.

Në Bashkinë Kamëz janë 3.4 miliard lekë të vjetra grante. Ka filluar rindërtimi 177 banesave individuale. Ka përfunduar rindërtimi i dy kopshteve dy shkollave.  Për ne projekti i rindërtimit nuk është një lëmoshë. Është një vizion i ri për të transferuar qendrën jo vetëm në Qarkun Tiranë, por edhe në Qarkun e Durrësit. Vizioni i Edi Ramës ka treguar se ne dimë që të ndërtojmë edhe në kushte shumë të këqija ndryshe nga ato që shkatërrojnë.”-tha Spiropali.

 

Ora 12:13
Murrizi: OFL nuk bëri asgjë! SPAK të hetojë korrupsionin në institucione, t'i lërë gjobat e biçikletave

Duke diskutuar në seancën plenare sot, deputeti Myslym Murrizi ceku punën e OFL-së, e cila sipas tij nuk bëri asgjë, nuk goditi asnjë që duhej të godiste.

 “Çfarë bëri OFL në një vit,OFL duhet të jetë për këto që kanë qenë këtu për ato që kanë qenë para atyre dhe këto pas meje. OFL duhet të rrethonte me tel me gjemba rezidencat para dhe pas tegut në Palasë e kudo. OFL duhet të jetë për ato që nuk justifikojnë me pagën e tyre as një nga kostumet e tyre. Unë jam dakord që SPAK të bëhet me 50 prokurorë, do të isha dakord që të ftoja prokurorin e përgjithshëm Olsi Çelën që të sillte ndryshimin për ligjin e SPAK. SPAK duhet të hetojë, ministrat, drejtorët e përgjithshëm, presidentin, 140 pjesëtarët e kuvendit, jo të merret me gjobën e biçikletave dhe të mushkave të merret SPAK me e vuri se vuri maskën. SPAK duhet të ketë 50 prokurorë jashtë çdo lidhje me politikën", tha ndër të tjera ai.

Ora 11:16
Hajdari: Çdo qytetar në Elbasan i di me emra grupet kriminale! Kriza e ulur 'këmbë kryq', me taksat e qytetarëve paguani kompanitë e Ndranghetës (VIDEO)

Deputetja Rudina Hajdari ka folur me tone të ashpra nga Kuvendi. Ajo ka hedhur akuza ndaj qeverisë e cila sipas saj nuk po mbështet familjet e vrafra por kriminelët. Konkretisht është ndali te Elbasani duke thënë se qytetarët i dinë me erma grupet kriminale, të cilat sipas deputetes po “lulëzojnë” në këtë zonë.

“Po amendoni një akt normativ që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar por pyetja që kam unë se çfarë vlere kanë këto ligje kur nuk ka vullnet për të luftuar krimin e organizuar. Çfarë vlere kanë këto ligje kur shteti është bërë një me krimin e organizuar.

Vij pas disa javësh nga Elbasani ku shikoj se çdo qytetar në atë vend i di me emra e mbiemra grupet kriminale. Nuk ka banor që nuk di se ku janë me vendndodhje, magazina, me detaje aktivitetet e 4 bandave që sot sundojnë Elbasanin. Të gjithë banorët kanë dijeni për aktivitetet kriminale. Si ka mundësi që ministri i Brendshëm nuk thotë asgjë, si ka mundësi që km dhe kryeprokurori nuk thotë asgjë mbi këto organizata kriminale. Si ka mundësi që ky shtet është gati ti marrë fshatarët nga qerret, t’i nxjerrë, t’i vërë taksa, t’i gjobisë dhe kur nuk paguajnë energjinë elektrike, ky është i njëjti shtet që vret të rinjtë nëpër lagje. Si ka mundësi që e njëjta qeveri nuk arrin dot të luftojë krimin e organizuar. Si mundësi që i njëjti shtet i çon taksidarët biznesit të vogël, duke iu vënë gjoba, godet padrejtësisht ata që punojnë në mënyrë të ndershme dhe e ka të pamundur të luftojë kriminalitetin.

Në Elbasan i  vetmi aktivitet që lulëzon është kriminaliteti. Flisni me qytetarët të cilët do iu tregojnë se skanë marrë asnjë lloj ndihme në situatën  e covid. Banorët e belshit ende sjanë paguar nga firmat mashtruese që u morën dhe produktin dhe ikën pa lanë asnjë gjirmë. Ata do u thonë se kriza është ulur këmbë kryq në sofrat e tyre, shkollat pa ngrohje. Kompjutera sfunksionojnë as laboratorët. Dilni nga këto vila luksoze që keni dilni e takoni  ata njerëz të cilët iu paguajnë taksat dhe ju sot përmes atyre taksave paguani kompanitë e ndranghetës mafies italiane. Godet qytetarët e thjeshtë njerëzit e thjeshtë, aktivitetet e ndershme. Krimineli merr tendera, kurse tregtari, fermeri goditet. Ky është i njëjti avaz, që vijon përditë. Por tani do të humbisni”, tha ajo.

Ora 11:07
Bledi Çuçi: OFL, moment kulmor në histori! Dhamë mesazhin e qartë se askush nuk mund ta gëzojë pasurinë nga aktiviteti kriminal (VIDEO)

Në kuvend po diskutohet sot Akt Normativ për të shtyrë efektet e OFL, që Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të mund të vijojë me punën për shqyrtimin e qindra ccështjeve që janë në pritje.

Në fjalën e tij në Kuvend, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është shprehur OFL është një mesazh i fortë për të botën e krimit se askush nuk mund ta gëzojë pasurinë e vendosur nga aktiviteti kriminal

"OFL pati një efekt mjaft të ndjeshëm në uljen e kurbës së krimit dhe korrupsionit. Do të mbetet në historinë e vendit si moment kulmor në luftën ndaj grupeve kriminale. Ky operacion po ia arrin qëllimin për të cilin u kërkua edhe Akti Normativ një vit më parë.  Ky është një mesazh i fortë për të botën e krimit se askush nuk mund ta gëzojë pasurinë e vendosur nga aktiviteti kriminal.  Arsyeja pse e kërkojmë miratimin e këtij akti është që GJKKO të vazhdojë punën dhe të marrë vendimin për të gjitha pasurinë që janë të dyshuara se vijnë nga krimi",

Ora 10:54
Taulant Balla: Edhe pas krizave të njëpasnjëshme ne ia dolëm të mos lëmë askënd vetëm në këtë vend (VIDEO)

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilëson një sukses shumë të madh mënyrën se si Qeveria ka arritur të menaxhojë situatat e krijuara në ekonomi vitin e kaluar.  Ai tha se edhe pse situata ishte e jashtëzakonshme Qeveria ka arritur të mos lërë askënd pa mbështetje.

"Gjej rastin të ri nënvizoj disa prej çështjeve që ministrja Denaj nënvizoi. Ne duhet të jemi krenarë që gjatë 2020-s kemi bërë punë të rëndësishme publike dhe të mos lëmë vetëm askënd në këtë vend.

Më të keqen e kemi lënë mbrapa dhe jemi shumë të sigurt tani, edhe me procesin e vaksinimit që po ecën. Ekonomia po e rimerr veten. Buxheti është më i madhi për sa i përket investimeve publike, ndërkohë që vijmë në një vit kur COVID pati një impakt shumë të madh.

28 miliard lekë japim në vitin 2021 për rindërtimin. Ne po ndërtojmë qytetet të reja dhe ky është një proces që po ecet më së miri.  Vetëm PS i ka qëndruar fshatit afër si askush tjetër në këto 30 vite. E hoqëm TVSH-në për imputet bujqësore. U angazhuam për heqjen e akcizës së naftës, e kemi hequr.  Në një vit të vështirë ne kemi arritur të planifikojmë edhe mbështetjen për bujqësinë. Investimet në kanalet kulluese dha efektin edhe për situatën e reshjeve", tha ndër të tjera Balla.

Ora 10:23
Denaj: Tërmet dhe pandemi, togfjalëshi i vitit të kaluar! Reagimi i menjëhershëm i qeverisë Rama me efektivitet (VIDEO)

Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj gjatë fjalës së saj në Kuvend ka deklaruar se 2020 ka qenë një vit i vështirë dhe se në thelb ka qenë pandemia e tërmeti.

Për këto dy çështje Denaj tha se qeveria ka marrë masa të menjëhershme dhe efikase.

“Ky është një vit i vështirë që na mësoi si t’ja dalim. Qeveria reagoi me efikasitet. Mori masa në kohë rekord. Siguruam për banesat tatim fitimi 0 dhe rritën pragun e TVSh nga 2 milion në qarkullim vjetor në 10 milion.

Rritën pagën minimale në 300 mijë lekë. Rriten investimet në 2021, në 7.2% të PBB. Dyfishuam ndihmën ekonomike në shtresat në nevojë. Janë disa instrumenta që kanë ardhur në ndihmë të qytetarëve. Shqipëria është kthyer në një kantier. Mund të them se ndihma dhe mbështetja finacniare e dhënë nga buxheti i shtetit.

Pandemi dhe tërmet por një reagim i menjëhershëm i  qeverisë Rama me efektivitet. Alookuam 1.4  miliard lekë për shëndetësinë. Ruajtëm paramentrat fiskal pavarësisht borxhit. Sistemi financiar është tërësisht i qëndrueshëm”, tha Denaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi për Dibrën, garë e ngushtë mes PS dhe PD, bojkotohen partitë e vjetra të tjera! Të rejat shohin ngjitje

Sondazhi për Dibrën, garë e ngushtë mes PS dhe PD, bojkotohen partitë e vjetra të tjera! Të rejat shohin ngjitje