Mbledhja e radhës së Task Forcës së Turizmit është zhvilluar në qarkun e Beratit, ku u diskutuan problematikat e evidentuara gjatë sezonit të 2018.
I pranishëm në këtë takim, ministri i turizmit, Blendi Klosi ka njoftuar se ISHMPT do të nisi ditën e nesërme kontrollet e detajuara në strukturat akomoduese.
Më pas Klosi ka thënë se Berati është pjesë e dy projekteve të mëdha për investime për shkak se është një pikë shumë e rëndësishme turistike për Ballkanin.
“Është një sezon turistik që tashmë ka filluar në Berat , jemi në kulmin e tij për qarkun e Beratit. Është e njohur tashmë që muajt e pranverës janë muajt me më shumë popullaritet dhe me më shumë vemendje në këtë rast. Po të gjykosh nga shifrat jemi shumë më mirë sesa viti i kaluar. Tashmë është e qartë që Berati si destinacion turistik nuk mund të ketë sukses në qoftë se është vetëm Kalaja, lagjja Goricë dhe Mangalem. Vetëm këto të dyja kanë pranuar vitin e kaluar të paktën 68% më shumë se 2017-a”, tha ministri Klosi. Shifra, qe sipas tij, megjithese optimiste, nuk mjaftojne pasi Berati ka nevoje te kete shume me shume zona muzeale, për të tërhequr me shume turiste.
“Ne kemi shume nevoje që jo vetëm bashkia e Beratit por edhe 4 bashkitë e tjera të tregojnë arsyet pse një visitor duhet të vijë në Berat dhe duhet të kalojë më shumë se 24 orë në Berat. Është shumë e nevojshme që ne të vlerësojmë jo vetëm me respekt, me krenari, me përulje sakrificën që ka bërë komuniteti i biznesit të qytetit të Beratit e zonave përreth për ndërtimin e një sërë strukturave akomoduese. Nuk janë pak, në vitin 2018 në Berat u shtuan të paktën 1 mijë shtretër të rinj që është një investim i madh po të krahasosh me situatën e një viti më parë. Ne në ministrinë e turizmit po punojmë për krijimin e destinacioneve pro Beratit edhe nga puna e madhe e qeverisë shqiptare si qark është futur të paktën në dy projekte të mëdha të zhvillimit të infrastrukturës; projekti i BB që tashmë është në administrim dhe ka filluar investimet e para të cilat ju i keni prekur është rreth 70 milionë euro dhe shumë shpejt besoj do të kalojmë në qeveri shpronësimin për rrugën e dytë që vjen në kala, për të pasur një pamje krejt tjetër rruga që në fakt sjell më shumë turistë që vijnë me autobusa për t’u ngjitur në kala. Dhe po ashtu investime të tjera që kanë të bëjnë me objekte të vërteta të vizitueshme në qarkun e Beratit por po ashtu projekti i BB dhe i BERZH i cili jep plot 100 milionë euro të përcaktuara për 4 pole turistike ku Berati është nr 1 do të ketë mundësi të fillojë brenda këtij viti" tha ministri Klosi.
Ai tha se ne kuadër të investimeve publike, Berati do të marrë shumë investime jo vetem për kalanë, jo vetëm për të zhvilluar 3-4 pika për ta bërë kalanë, Mangalemin dhe Goricën më të vizitueshme por edhe investimet që do të kryhen qofte për malin e Tomorrit, për rrugën që shkon në këtë mal, për investime të tjera që kanë të bëjnë me kanionet e Skraparit dhe po ashtu me investimet nëpër fshatra dhe bashki të tjera përvec Beratit që do të marre natyrisht investime më të mëdha.
“Berati duhet të krijojë guidat e veta turistike. Është e pafalshme që ne të kemi problematika me pastërtinë në Berat e në qarkun e Beratit. Ndaj mendoj që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, bashkitë duhet të jenë shumë më active përsa i përket sistemimit edhe me fonde që vijnë nga qeveria zviceriane për sistemimin përfundimtar të venddepozitimeve të mbetjeve urbane; Do të duhet një punë shumë e madhe nga AKU për të garantuar cilësinë e produkteve. Do të duhet shumë që nëpërmjet bashkëpunimit me strukturat e rendit të përqëndrohemi në zonat e vizitueshme. ISHMP do të ngarkohet me një urdhër të brendshëm të ministrit që nga data 20 të bëjë një inspektim të detajuar të gjithë situatës se strukturave akomoduese. Është e paimagjinueshme që Berati që ka kaq shumë traditë në kulinari, në prodhimet e verës dhe kaq shumë histori suksesi në etiketat të cilat garojnë si etiketat më të mira të verës në vendin tonë të kemi vetëm 1 pikë agroturistike. Unë besoj që kryetarët e rinj të bashkive që do të dalin nga zgjedhjet e 30 qershorit do ta kenë shumë mirë parasysh këtë hapësirë të re për nxitjen e investimeve dhe me politikat fiskale dhe ato që ka shteti për të nxitur ndërtimin e këtyre qendrave agroturistike pasi është e pafalshme që ne në komitetin e turizmit të mos marrim në shqyrtim këtë mundësi të artë që ka Berati e të mos e zhvillojmë për t’i ardhur në ndihmë biznesit dhe komunitetit vendas”, tha ministri Klosi.
Ai foli edhe per projektin 'Smile Albania' për vitin 2019, ku nje pike te tille do ta kete edhe qyteti i Beratit.
"Në 10 korrik një grup studentësh të menaxhimit të turizmit do të jetë në Berat në një pikë të informacionit turistik . Do t’i kërkoja të gjithë operatorëve turistikë që janë këtu me ne , por edhe prefektes dhe kryetarëve të bashkive që duan të promovojnë nëpërmjet fletëpalosjeve, guidave dhe prodhimeve lokale, etiketave të tyre të jenë pranë qendrës Smile dhe studentët të jenë të gatshëm ta ofrojnë pa pagesë, një nxitje të biznesit turistik në qarkun e Beratit të paktën për dy muajt intensivë të verës sepse Berati ështe një pikë shumë e çmuar për të gjithë Ballkanin”, tha ministri Klosi.