Një natë plot emocione pritet të jetë kjo e sotmja në sallën e Universitetit të Arteve, ku pas shumë vitesh mungesë rivjen Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar.

“Pas 14 vitesh mungesë, sot nuk prezantojmë thjesht një festival. Sot rikthejmë një takim mes kinemasë shqiptare, artistëve dhe publikut, të merituar prej shumë kohësh.”, tha producentja e festivalit, Rafaela Rica.

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar rikthehet në Tiranë. Edicioni i 14-të nis sonte, me një program që sjell në vëmendje kinemanë shqiptare, autorët e rinj, por edhe emrat që kanë lënë gjurmë ndër vite.16 figura ikonike të kinematografisë shqiptare: Esat Musliu, Petrit Beci, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Saimir Kumbaro, Tinka Kurti, Robert Radoja, Pëllumb Kulla, Birçe Hasko, Kristaq Mitro, Margarita Xhepa, Piro Milkani, Xhanfise Keko, Xhevdet Feri dhe Ibrahim Muçaj do të nderohen me çmime të karrierës, për disa prej tyre pas vdekjes, si një homazh për kontributin e tyre të çmuar në historinë e filmit shqiptar.

Filmi që do të prezantohet i pari është edhe filmi i fundit i regjisorit Gjergj Xhuvani, "Liqeni im", ndërsa festivali synon të jetë jo vetëm një seri shfaqjesh, por edhe një pikë takimi dhe diskutimi për të ardhmen e kinemasë shqiptare.

“Ju lutem, m’i vadisni filizat.” Ky është edhe slogani që për mua përfaqëson më së miri frymën e festivalit.”, tha drejtori artistik i festivalit, Ilir Butka.

Tashmë gjithçka është bërë gati, ndërkohë që në tapetin e kuq do të ecin artistë dhe personalitete të ftuara.

“Në radhë të parë ndihem tejet i lumtur që kthejmë një festival traditë dhe një event të rëndësishëm për kinemanë. Ia rikthejmë vendit tonë, kineastëve dhe shoqërisë sonë.”, tha kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji.

Një nga sfidat e këtij rikthimi është afrimi i publikut me kinemanë shqiptare. Organizatorët e kanë bërë hyrjen falas, ndërsa filmat do të shfaqen në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, në sallën “Black Box”, te Piramida dhe te kinema “Agimi”.

“Hyrja për të gjithë të interesuarit është falas. Kushdo që është i interesuar mund të vijë në këto katër salla për të ndjekur programin.”, tha Butka.

Për 10 ditë, Tirana do të jetojë me filmin shqiptar, ndërsa për publikun do të shfaqen rreth 220 filma në disa prej hapësirave kryesore të kryeqytetit.