Edhe sot e kujton shumë qartë zërin e gjyshit të saj duke kënduar nëpër shtëpi, ndërsa mbillte te vetë ajo dëshirën për muzikën. Për pianisten Elvina Gurra, Muharrem Gurra nuk ishte thjesht një artist, por engjëlli i saj mbrojtës.
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u ngjit koncerti “Kur dy zemra dashurohen”, një homazh për një prej krijuesve më të mëdhenj të muzikës qytetare të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme. Një mbrëmje që solli emocione të forta dhe kujtime të gjalla, dhe që rikthehet edhe sonte për publikun.
“Për mua është një emocion i veçantë që jam sonte këtu, jo vetëm si pjesë e këtij koncerti, por si dikush që pati fatin të rritet pranë artistit që po nderojmë sot. Ky koncert nuk është thjesht një event, por është një ëndërr që e kam mbajtur brenda vetes për shumë kohë. Unë jam rritur me gjyshin tim Muharrem Gurra dhe muzika nuk ishte thjesht diçka që dëgjohej, por pjesë e frymëmarrjes sonë. Zëri i tij në shtëpi, përkushtimi dhe qetësia me të cilën i jepte kuptim çdo note janë kujtime që më shoqërojnë gjithmonë.”, tha mbesa e artistit, Elvina Gurra.
Në këtë koncert premierë, në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës shqiptare si Merita Halili, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani dhe Artan Bakija, duke sjellë interpretimet më të bukura të Gurrës, pjesë e repertorit të muzikës qytetare të Shqipërisë së Mesme.
Komente










