“Në Dardani po bien tupanat”, “Liridona”, kënga e Jakup Ferrit, por edhe këngë të tjera të njohura popullore rikthyen në koncert recital këngëtarin Gëzim Nika, “Mjeshtër i madh”. Nika erdhi para publikut “Me zanin e bjeshkëve”, duke sjellë tingujt autentikë të folklorit dhe energjinë e gjallë të muzikës shqiptare.

“Jam shumë i gëzuar me thënë të drejtën kam kënduar nëpër gjithë botë sidomos ku ka botë shqiptare dhe fatmirësisht edhe fatkeqësisht kemi boll apo jemi boll. Po tashi fatmirësisht se edhe atje e ruajmë traditën dhe jemi shqiptarë.”, tha këngëtari Gëzim Nika.

I shoqëruar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore bashkë me të interpretuan edhe këngëtarët Aurela Gaçe, Eli Fara, Fatmira Breçani e Aranit Hoxha.

“Ne kemi punuar shumë vite bashkë dhe arritëm t'i thoshim njëri-tjetrit vëlla e motër. Ndaj unë sot jam e lumtur që jam pjesë e këtij koncerti që ka vonuar pak. Duhet ta kishe bërë më herët.”, u shpreh këngëtarja Aurela Gaçe.

Aurela Gaçe interpretoi për të pranishmit këngë tropojane dhe vlonjate.

Publiku pati mundësinë të shijojë edhe kërcimin e artistëve të Ansamblit, të cilët interpretuan valle me koreografi të bashkëshortes së Gëzimit, Angjelina Nikës.