ANGLI - Mbretëresha e Britanisë së Madhe është shtruar në spital për t’u kuruar nga simptomat e gastritit, kanë bërë të ditur zyrtarët e Buckingham Palace. Që prej të dielës 86-vjeçarja është shtruar në spitalin “King Edward VII” në Londër.

Një zyrtar i pallatit mbretëror tha se mbretëresha është shtruar pas disa problemeve me pëzierje në stomak dhe aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Të gjitha angazhimet e kësaj javë, përfshirë edhe udhëtimin e saj të planifikuar me 6 dhe 7 mars për në Romë, do të shtyhen ose anulohen, në varësi të gjendjes shëndetësore.

Hera e fundit, që Mbretëresha u shfaq në publik ishte të enjten më 28 shkurt kur ajo iu dha disa dekorata sportistëve britanikë fitues në lojërat olimpike të 2012-s përfshirë atleten Jessica Ennis.

Monarkja e Britanisë është e njohur për shëndetin e saj të mirë dhe hera e fundit, që ajo është shtruar në spital ka qenë 10 vite më parë, për shkak të një operacioni të lehtë në gju.

Elizabeta, apo ‘Mbretëresha e Diamantit’, siç e quajnë në mbarë botën, e cila në 2012-n festoi 60-vjetorin e mbretërimit të saj në fronin e Anglisë dhe hapi zyrtarisht Lojrat Olimpike në Londër ngjalli një popullaritet të gjerë nga gjithë mediat ndërkombëtare.

(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)