Trafikantët e qenieve njerëzore mund të përballen me dënime të përjetshme, ka deklaruar sekretarja e brendshme britanike Priti Patel. Nisma vjen në përpjekje për të ndaluar numrin në rritje të emigrantëve që kalojnë Kanalin me anije të vogla. Ministria e Brendshme tha të Dielën, se ministrat do të përcaktojnë detaje të mëtejshme "në javët e ardhshme".
Aktualisht, dënimi maksimal për trafikimin e njerëzve është 14 vjet burg, por Times raportoi se zonja Patel është e shqetësuar pasi dënimi mesatar është vetëm tre vjet.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme u shpreh : “Ndërsa bandat kriminale vazhdojnë të vënë në rrezik jetën e njerëzve, është e drejtë që ne konsiderojmë çdo mundësi për të ndaluar shfrytëzimin e të pafajshmëve. Ky veprim do të synojë të bëjë më të vështirë për emigrantët të kërkojnë azil dhe e bën më të lehtë dëbimin e atyre nga MB.
Vendimi erdhi pasi 87 emigrantë kaluan Kanalin të Shtunën, duke e çuar totalin e këtij viti në 531 - 40 përqind më të lartë se në të njëjtën kohë të vitit të kaluar. Në vitin 2020, 8.410 emigrantë kapërcyen Kanalin me anije të vogla, tetë herë më shumë se 2019. Rritja e emigranteve këtë vit vjen pavarësisht se qeveria në bashkëpunim me qeverinë franceze kanë shtuar ndjeshëm patrullimet e policisë. Sidoqoftë, kjo duket se nuk ka arritur të zvogëlojë numrin e përpjekjeve për të hyrë në MB. Ministria e Brendshme tashmë ka rishkruar ligjin për të deklaruar çdo kërkesë azili nga një emigrant të papranueshme nëse ata kanë kaluar tashmë nëpër një vend të sigurt, përfshirë Francën. Masat shtesë, do të vendosin gjithashtu ulje të padive "gjyqësore" të të drejtave të njeriut që kërkojnë të vonojnë dëbimin e tyre. Ata që përpiqen të kërkojnë azil do të kërkohet gjithashtu të paraqesin të gjitha arsyet e tyre për apelim në fillim të procesit. Patel ka ngritur më parë shqetësime se dëbimet po vonoheshin qëllimisht me ankesat e çështjes së fundit. Ajo po mendon gjithashtu ta bëjë më të lehtë dëbimin e shkelësve që u jepen dënime të shkurtra. Kriminelëve të huaj, të cilët u janë shqiptuar dënime gjashtë mujore, mund t'i nënshtrohen dëbimit për herë të parë.