Shërbimet britanike dhe amerikane të sigurisë e kaluan fundjavën duke diskutuar me dyer të mbyllura: çfarë të bëhet me vizitën e mbretit Charles në Shtetet e Bashkuara, pas atentatit gjatë darkës së korrespondentëve në Uashington? A duhej anuluar gjithçka? Në fund u vendos të vazhdohej gjithsesi, edhe pse me disa ndryshime të vogla në program: mbreti është “guximtar”, komentoi Donald Trump.

Megjithatë Charles, i cili mbërrin sonte së bashku me Kamilën, zbret në një terren të vërtetë të minuar diplomatik: e ashtuquajtura “marrëdhënie speciale” mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve është ndoshta në pikën më të ulët të historisë.

Duket shumë larg marrëdhënia idilike e vitit të kaluar, kur kryeministri Keir Starmer dukej se kishte hyrë në ’oborrin’ e Donaldit edhe falë vizitës te familja mbretërore të organizuar në shtator.

Tani presidenti amerikan nuk kalon ditë pa e sulmuar e fyer kryeministrin e Londrës, dhe duke e fajësuar që nuk ka dhënë menjëherë bazat për sulmin ndaj Iranit.

Starmer “nuk është Churchill”, “aeroplanmbajtëset britanike janë si lodër” Trump nuk kursehet dhe sulmet e tij shtrihen nga emigracioni te politika energjetike, deri te vënia në diskutim e sovranitetit britanik mbi Ishujt Falkland.

Pikërisht për këtë arsye në Londër prej javësh ishin ngritur zëra që kërkonin anulimin e vizitës, dhe në oborrin mbretëror thuhet se Elizabeta, në këto rrethana, do të kishte gjetur një mënyrë për ta anuluar. Por Charles ka natyrë tjetër, përballja për të është një sfidë dhe ai është i vetëdijshëm se ky është misioni më i rëndësishëm i mbretërimit të tij.

Sepse në Londër mbështeten pikërisht te magjepsja e Trumpit ndaj familjes mbretërore për të riparuar një marrëdhënie transatlantike që mbetet thelbësore.

Vetë Trump, në një intervistë të shkurtër për BBC, tha se udhëtimi me siguri do të ndihmojë në riparimin e marrëdhënieve: sepse nëse sot ai përçmon Starmerin, për të Charles mbetet “një njeri i madh”.

Prandaj mbreti, në takimin dypalësh në Shtëpinë e Bardhë, si edhe në fjalimin në Kongres dhe më pas në darkën shtetërore, do të përdorë gjithë aftësinë e tij diplomatike.

Thuhet se ai mezi pret të angazhohet në një mision që nuk është vetëm ceremonial, por që mund të bëjë ndryshimin.

Megjithatë rreziqet mbeten.

Frika më e madhe është se Trump mund të dalë jashtë skenarit dhe ta vërë në siklet mbretin me ndonjë thumb ndaj Starmerit apo Britanisë së Madhe: në fund të fundit, ai ka arritur të përmendë Pearl Harbor përpara kryeministres japoneze...

Mbi të gjitha qëndron edhe hija e skandalit Epstein, që përfshin si Andrew, vëllanë e Charles, ashtu edhe Trumpin. Mbreti nuk do të takojë viktimat e Jeffrey Epstein, siç ishte kërkuar, por ekziston frika e protestave të mundshme.

Në Buckingham Palace , dhe jo vetëm, shtrëngojnë dhëmbët dhe mbajnë gishtat e kryqëzuar, mjafton që gjithçka të shkojë pa probleme për tu shpallur sukses. Me kusht që ta lejojë Donaldi./CorrieredellaSera