Mbrojtja e Erion Veliajt i kërkon Gjykatës Kushtetuese të përshpejtojë datën për shqyrtimin e padisë, në të cilën avokatët e tij argumentojnë se masa e arrestit në burg, është anti-kushtetuese, pasi sjell dëme nga mungesa në detyrë e kryebashkiakut.  

“Vendimet gjyqësore e mbajnë kryetarin e bashkisë ende në paraburgim. Funksioni i kryebashkiakut nuk mund të ushtrohet nga paraburgimi, humbja e ditëve të mandatit është e pariparueshme, dëmtohet besimi i publikut dhe parimi i stabilitetit të institucioneve vendore”, thuhet në kërkesë.

Çështja ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë ndodhet në fazën e seancës paraprake, ku vendoset nëse dosja hetimore e SPAK kalon apo jo për gjykim. Kryebashkiaku, i cili prej muajit shkurt ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ka kërkuar një proces të drejtë, pasi deri më tani ende nuk është njohur me dosjen voluminoze me afro 60 mijë faqe. 

Veliaj ka kërkuar t’i krijohet akses real mbi materialet e dosjes, që deri më tani SPAK ia ka vënë në dispozicion mbrojtjes vetëm në USB, kur në burg nuk ka as kompjuter. Qytetari i parë i Tiranës, po ashtu ka kërkuar që gjatë seancave të qëndrojë jashtë kafazit të xhamit. Këto kërkesa të përsëritura edhe në seancën e fundit të premten, u rrëzuan sërish nga gjyqtarja e posaçme Etleva Dedja.

Për këtë, mbrojtja e Veliajt akuzoi drejtësinë për standarde të dyfishta, pasi ish-presidentit Meta dhe të pandehurve të tjerë u janë vënë në dispozicion materialet në formë të printuar. Megjithatë, Erion Veliaj përballë rrëzimeve të njëpasnjëshme në gjykatë, hoqi dorë nga mbrojtja e Artan Gjermenit, dhe Gjykata e Posacme caktoi një avokate kryesisht, të cilës do i duhet të studiojë nga zero 60 mijë faqet e dosjes.

Seanca e radhës paraprake, ku Veliaj pritet të bëjë mbrojtjen, do të mbahet më 5 janar e deri atëherë, pritet të shihet se si do të zhvillohet ajo, nëse kryebashkiaku do të qëndrojë apo jo pranë avokatit jashtë kafazit. 

Më herët, Gjykata Kushtetuese, ku mbrojtja kërkon të ketë shpejt një vendim për padinë e tyre për masën e sigurisë, i dha të drejtë Erion Veliajt, duke e rikthyer në detyrë dhe duke shfuqizuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij.

Kërkesa nga mbrojtja e Veliajt

Më datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese ka vendosur konfirmimin e vlefshmërisë së mandatit të zotit Erion Veliaj si Kryetar i Bashkisë Tiranë. Ky vendim ka përcaktuar qartë se kërkuesi gëzon të drejtën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën deri në përfundimin e mandatit, duke rrëzuar çdo pasojë juridike që cenonte ushtrimin e funksionit.

Megjithatë, vendimet gjyqësore objekt i kësaj kërkese kushtetuese e mbajnë kryetarin e bashkisë ende në paraburgim e për rrjedhojë çdo ditë paraburgimi redukton në mënyrë të pakthyeshme kohën reale të ushtrimit të mandatit, duke sjellë: dëm kushtetues e drejta për të ushtruar funksionin e fituar me votë, dëm institucional - paralizim i funksioneve të Bashkisë së Tiranës, si edhe një dëm publik si pasojë e vakumit efektiv drejtues.

Duke qenë se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar mandatin e kryetarit të bashkisë Tiranë me vendimin e 3 nëntorit 2025, vazhdimi i paraburgimit bie ndesh me vetë efektet e këtij vendimi, pasi funksioni i kryebashkiakut nuk mund të ushtrohet nga paraburgimi, humbja e ditëve të mandatit është e pariparueshme, dëmtohet besimi i publikut dhe parimi i stabilitetit të institucioneve vendore.

Neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së garantojnë të drejtën për një proces brenda afatit të arsyeshëm. Në këtë rast, urgjenca nuk buron nga vullneti subjektiv, por nga fakti objektiv se mandati elektoral është i kufizuar në kohë.

Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe e GJEDNJ-së e konsideron urgjente çdo çështje që prek mandatin e një funksionari të zgjedhur; të drejtat themelore të personit të privuar nga liria dhe  pasojat institucionale dhe publike të vonesës.